Kërko

Papa: Mesdheu të mos jetë varr, por mozaik qytetërimi e shprese

Vizita e fundit në Marsejë dhe pjesëmarrja në seancën përfundimtare të "Rencontres Méditerranéennes" ishin temat e katekezës së Françeskut në audiencën e përgjithshme: "Njerëzit, me dinjitet të plotë, mund të zgjedhin të emigrojnë, ose të mos emigrojnë"

R.SH. – Vatikan

 “Mesdheu të kujtojë sërish thirrjen e tij, si laborator qytetërimi dhe paqeje”. Ky ishte objektivi i Rencontres Méditerranéennes (Takimeve Mesdhetare), të cilat u mbajtën në Marsejë nga 17 deri më 24 shtator. Papa Françesku mori pjesë për dy ditë në to, të premten e të shtunën e kaluar. Një ëndërr dhe një sfidë, e quajti ai sot përvojën e kaluar në qytetin bregdetar francez, gjatë audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë deshi të trajtojë sërish disa çështje, që ai vetë i konsideron urgjente, si dinjiteti i emigrantëve dhe i refugjatëve dhe detyra për të zgjedhur sot “ndërmjet indiferencës dhe vëllazërimit”.

Mesdheu, vend takimi

Simboli i këtyre dy realiteteve është deti, që rrethohet nga vende dhe kontinente të ndryshme, që nganjëherë bëhet i rrezikshëm, por ruan gjithmonë “thesaret e jetës”:

“Mesdheu – e dimë - është djepi i qytetërimit, e djepi është për jetën! Nuk mund të tolerojmë që të kthehet varr e as në vend konflikti. Jo! Deti Mesdhe është krejtësisht i kundërt me përplasjen ndërmjet qytetërimeve, me luftën, me trafikun e qenieve njerëzore. Është krejt i kundërt, sepse Mesdheu lidh Afrikën, Azinë dhe Evropën; veriun dhe jugun, lindjen dhe perëndimin; njerëzit dhe kulturat, popujt dhe gjuhët, filozofitë dhe fetë”.

Nga Marseja, këndvështrim njerëzor mbi realitetin e shpresën

Nga një breg i Mesdheut, pohoi Papa, erdhi dikur Lajmi i Mirë i Jezusit, realizimi i të cilit “nuk ndodh me magji dhe nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë”, por është “fryt i një rrugëtimi, në të cilin çdo brez është i thirrur të përshkojë një pjesë”. Më pas, Papa reflektoi mbi Takimet e Marsejës, ngjarje jo e izoluar, "hap përpara, pjesë e një udhe", prej së cilës doli një këndvështrim "njerëzor" për Mesdheun, pra, " jo ideologjik, jo strategjik, jo politikisht korrekt”, por një analizë e realitetit, me synimin per t’i kthyer atij vlerën e dinjitetit njerëzor, që mbizotëron mbi gjithçka, si edhe “shpresën”:

“Kjo të bën vërtet përshtypje sot: kur dëgjon dëshmitarë, që kanë kaluar situata çnjerëzore, ose që i kanë jetuar ato me të tjerët, pikërisht prej tyre merr një lloj "besojme të shpresës". E ky është edhe këndvështrimi i vëllazërimit. Vëllezër dhe motra, kjo shpresë, ky vëllazërim, nuk duhet të "avullojë", jo, përkundrazi, duhet të organizohet, të konkretizohet në veprime afatgjata, afatmesme dhe afatshkurtra. Në mënyrë që njerëzit, me dinjitet të plotë, të zgjedhin të emigrojnë, ose të mos emigrojnë. Mesdheu duhet të jetë një mesazh shprese”.

Duhet t’ia rikthejmë shpresën Evropës

Por, nga ana tjetër, ka një aspekt, që e plotëson të parin: jo vetëm migrantët apo azilkërkuesit kanë nevojë për shpresë, por edhe shoqëritë tona evropiane dhe veçanërisht brezat e rinj kanë nevojë për të.

“Si mund ta hapin zemrën për takim e bashkëpunim të rinjtë pa shpresë, të mbyllur në jetën e tyre private, të shqetësuar për pasigurinë e jetës? Shoqëritë tona, shpesh të sëmura nga individualizmi, konsumizmi dhe argëtimet boshe, duhet të hapen, ta ushqejnë shpirtin me oksigjen dhe atëherë do të jenë në gjendje ta shohin krizën si mundësi dhe t’i bëjnë ballë asaj pozitivisht”.

Të gjejmë sërish pasionin dhe entuziazmin

Papa e përfundoi katekizmin duke shqiptuar dy fjalë, që nënvizoi se i gjeti në Marsejë: "pasion" dhe "entuziazëm". Kjo i duhet Evropës, theksoi më tej, duke ia besuar "rrugëtimin e popujve të Mesdheut" Virgjërës Mari, nderuar nga banorët e Marsejës si Notre Dame de la Garde, në mënyrë që ky rajon të realizojë me të vërtetë thirrjen e tij: të jetë “mozaik qytetërimesh dhe shprese”.

Për polakët: kujtoni vëllezërit dhe motrat tuaja në Ukrainë

Në fund të katekezës, duke përshëndetur shtegtarët polakë, Françesku kujtoi se të dielën e kaluar kremtohej Dita Botërore e Emigrantëve dhe Refugjatëve me temën: "Të lirë të zgjedhin nëse të migrojnë apo të qëndrojnë". “Kujtoni vëllezërit dhe motrat tuaja në Ukrainë – u lut ai – të detyruar të braktisin atdheun e goditur nga lufta. Ata kërkojnë ndihmë, strehim dhe mikpritje në vendin tuaj”, prandaj “dëshmojuni mikpritjen ungjillore”.

27 shtator 2023, 10:32

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >