Kërko

Papa në Bazilikën e Zojës së Madhe ia beson Shën Marisë udhëtimin në Marsejë

Françesku në bazilikën liberiane, në lutje para Zojës Salus Populi Romani, tri ditë para nisjes për në qytetin francez, ku do të marrë pjesë në mbylljen e Takimeve "Rencontres Méditerranéennes" mbi temën e emigracionit

R.SH. – Vatikan

Tri ditë para nisjes së tij për në Marsejë, Papa Françesku shkoi paraditen e sotme, 19 shtator, në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, për t'ia besuar shtegtimin e tij të 44-të apostolik ndërmjetësimit të Shën Marisë Salus Populi Romani. Ati i Shenjtë, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, si zakonisht, u ndal në lutje" përpara ikonës mariane, "duke ia besuar asaj udhëtimin e tij të ardhshëm në Marsejë. Në fund u kthye në Vatikan".

Në Marsejë, më 22 e më 23 shtator

Është hera e 113-të, që Papa shkon tek Zoja, e cila nderohet si pajtore e banorëve të kryeqytetit italian, duke konfirmuar kështu, përkushtimin e tij, shprehur që nga fillimi i papnisë. Françesku do të udhëtojë për në Marsejë më 22 dhe 23 shtator, me rastin e "Rencontres Méditerranéennes", takimeve mesdhetare të organizuara nga kryedioqeza e qytetit bregdetar francez, të cilat kanë filluar të dielën, më 17 shtator e do të përfundojnë në datën 24. Kjo nismë vjen pas dy takimeve të tjera të reflektimit e të përshpirtërisë, me titull "Mesdheu, kufi i paqes", që u mbajtën fillimisht në Bari, më 2020 dhe më pas në Firence, më 2022.

Rast për të reflektuar mbi fenomenin e migracionit

Në Engjëllin e fundit të Tënzot, Ipeshkvi i Romës i kërkoi popullit të Zotit ta shoqërojë me lutje gjatë këtij shtegtimi në qytetin jugor të Francës, i mbiquajtur "port i shpresës" për migrantët, që mbërrijnë këtu sidomos nga Afrika. “Nismë e bukur – pohoi Papa, duke folur për Takimet Mesdhetare – që zhvillohet në qytete të rëndësishme të Mesdheut, duke bashkuar liderët kishtarë dhe civilë për të promovuar rrugët e paqes, bashkëpunimit dhe integrimit rreth “mare nostrum”, me vëmendje të veçantë ndaj fenomenit migrator”. Ky i fundit, theksoi Papa, është “sfidë jo e lehtë, siç e shohim edhe nga lajmet e ditëve të fundit, por duhet përballuar së bashku, pasi është themelor për të ardhmen e të gjithëve, e cila do të jetë e begatë. vetëm nëse ndërtohet mbi vëllazërimin, duke vënë në plan të parë dinjitetin njerëzor, njerëzit konkretë, veçanërisht ata më nevojtarët”.

19 shtator 2023, 12:56