Papa, të premten në Marsejë: në qendër, emigrantët
R.SH. – Vatikan
Emigrantët dhe dialogu ekumenik. Papa Françesku po përgatitet të shkojë në Marsejë, të premten dhe të shtunën për fazën e fundit të Takimeve Mesdhetare (Rencontres Mediterraneennes), organizuar nga kryedioqeza e qytetit bregdetar francez, nga 17 deri më 24 shtator, në vazhdën e dy takimeve të mëparshme mbi "Mesdheun, kufi i paqes" në vitin 2020, në Bari dhe në vitin 2022, në Firence.
Në Marsejë janë mbledhur ipeshkvijtë e 5 brigjeve të Mesdheut, nga Afrika e Veriut, Lindja e Afërt ndërmjet Detit të Zi dhe Detit Egje, Ballkani dhe Evropa latine. I pranishëm, edhe ipeshkvi i Odesës. Por risia e Takimit të sivjetëm, siç nënvizoi sot drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, është përfshirja e të rinjve në numër të barabartë me ipeshkvijtë. Pra, "një mundësi më shumë për pjesëmarrësit, ipeshkvijtë dhe të rinjtë e mbledhur në Marsejë, që të punojnë së bashku për dialogun dhe kulturën e takimit në brigjet e Mesdheut".
Papa i parë që shkon në Marsejë, qysh nga viti 1533
Shtegtimi i Françeskut, që do të zgjasë dy ditë, të premten e të shtunën, është udhëtimi i 44-të apostolik i tij. Në Francë, Ati i Shenjtë ka qenë edhe një herë tjetër më 25 nëntor 2014, në Strasburg, për të vizituar Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Ndërkaq, ai do të jetë Papa i parë që shkon në Marsejë, qysh nga viti 1533, kur Papa Klementi VII – në shekull, Giulio de' Medici - mbërriti në këtë qytet për martesën e djalit të mbretit Françesku I, që do të bëhej mbreti i ardhshëm Henriku II, me mbesën e tij, Caterina de’ Medici.
Programi i vizitës
Në një ditë e gjysmë – aq sa i takon Atit të Shenjtë të qëndrojë në Marsejë – janë planifikuar katër ndërhyrje. Pasi niset nga aeroporti romak i Fiumicino-s, Papa mbërrin në Marsejë në orën 16.15 dhe pritet nga kryeministrja Elisabeth Borne. Në orën 17.15, lutja mariane me klerin dioqezan në Bazilikën Notre Dame de la Garde, pasuar nga një takim me krerët fetarë pranë Memorialit kushtuar marinarëve dhe emigrantëve të mbytur në det.
Të nesërmen, Françesku do të shohë privatisht disa njerëz në situata të vështira ekonomike dhe më pas, do të marrë pjesë në seancën përfundimtare të "Rencontres Mediterraneennes", në "Palais du Pharo". Ati i Shenjtë do të takohet edhe me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili do të marrë pjesë në meshën e kremtuar në stadiumin Velodrome, veprimtaria e fundit publike e Papës. Kthimi në Romë parashikohet për në orën 20.50.