Kërko

Papa: dhimbja e emigrantëve arrin deri te Zoti, që ua njeh fytyrat

Çast lutjeje në Sheshin e Shën Pjetrit kryesuar nga Papa, në prani të pjesëmarrësve të Sinodit, kushtuar atyre që humbën jetën gjatë dyndjeve të ndryshme të migrimit, familjeve të tyre, të mbijetuarve dhe të gjithë refugjatëve e migrantëve, ende në lëvizje "Duhet të shumëfishohen përpjekjet për të luftuar rrjetin kriminal, të ketë rrugë më të sigurta dhe të zgjerohet kanali i rregullt i migracionit"

R. SH. - Vatikan

Rrugët që përshkojnë emigrantët duhet të bëhen të sigurta, për të mos rënë në duart e rrjeteve kriminale, që spekulojnë mbi ta dhe të bëhen përpjekje për zgjerimin e kanaleve të rregullta migratore. Këtë kërkon Papa, duke folur para Angel Unawares, kompozimi skulpturor në bronz i një turme emigrantësh dhe refugjatësh, "burrash e grash të të gjitha moshave dhe prejardhjeve, me engjëjt që u prijnë". Turmë e dhimbshme njerëzore, që humbet jetën rrugëve, gjatë migrimit, ose që mbijeton pa iu njohur dinjiteti e as të drejtat. Për ta, ashtu si edhe për familjarët e tyre, ende në shtegtim, mendojnë pjesëmarrësit në Asamblenë e XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për një çast lutjeje kushtuar mërgimtarit dhe refugjatit, kryesuar nga Papa, reflektimi i të cilit, duke u nisur nga shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, ndalohet tek rreziqet e rrugëve të reja migratore “që kalojnë nëpër shkretëtira, pyje, lumenj, dete”:

“Sa vëllezër dhe motra sot ndodhen në të njëjtën gjendje, si shtegtari i shëmbëlltyrës? Shumë! Sa janë grabitur, zhveshur, rrahur gjatë rrugës? Largohen të mashtruar nga trafikantët e paskrupullt. Më pas shiten si mall tregu, kapen, burgosen, shfrytëzohen, robërohen. Poshtërohen, torturohen, dhunohen. E shumë e shumë vdesin pa arritur kurrë qëllimin e tyre. Rrugët e migrimit të kohës sonë janë të populluara nga burra e gra të plagosur e të braktisur gjysmë të vdekur, nga vëllezër e motra, britma e të cilëve arrin deri tek Zoti. Shpesh janë njerëz të ikur nga lufta dhe terrorizmi, siç e shohim fatkeqësisht në ditët e sotme”.

Papa gjatë lutjes për migrantët e refugjatët
Papa gjatë lutjes për migrantët e refugjatët

Vëllazëria lind nga dhembshuria

Sot, si në kohën e Samaritanit të Mirë, "ka edhe nga ata që i shohin e vijojnë rrugën duke shfajsuar vetveten e duke harruar se ky qëndrim nuk është tjetër, veçse egoizëm, indiferencë, frikë. E kjo është e vërteta":

“Po Ungjilli, çka thotë Ungjilli për samaritanin? Na thotë se e pa atë të plagosur dhe ndjeu dhembshuri për të. Ky është çelësi. E dhembshuria është gjurmë e Zotit në zemrat tona. Stili i Zotit është afërsia, dhembshuria, butësia: ky është stili i Zotit! Dhembshuria është gjurmë e Zotit në zemrën tonë”.

Dhembshuria është çelësi që shënon pikën e kthesës, fryt i së cilës është vëllazëria:

“Ashtu si Samaritani i Mirë, edhe ne thirremi të jemi pranë të gjithë endacakëve sot, t'u shpëtojmë jetën, t'u shërojmë plagët, t'ua paqëtojmë dhimbjen. Për shumë njerëz, për fat të keq, është tepër vonë e ne s’na mbetet tjetër, veçse të qajmë mbi varret e tyre, nëse ata e kanë një të tillë, ose mbi Mesdheun e shndërruar në varr. Por Zoti e njeh fytyrën e secilit dhe nuk e harron”.

Lutja për migrantët dhe refugjatët
Lutja për migrantët dhe refugjatët

Migrimet, mundësitë për shoqëritë

Samaritani i Mirë, duke ndihmuar udhëtarin e varfër, plotëson katër foljet "që përmbledhin" veprimin për migrantët: mirëpritni, mbroni, promovoni dhe integroni: "migrantët duhet të mirëpriten, të mbrohen, të promovohen dhe të integrohen". Dhe ashtu si migrimet janë problem kritik sot, nesër mund të përfaqësojnë mundësi për shoqëri "më gjithëpërfshirëse, më të bukura, më paqësore":

“Duhet të angazhohemi të gjithë, për ta bërë rrugën më të sigurt, që udhëtarët e sotëm të mos bien viktima të banditëve. Është e nevojshme të shumëfishohen përpjekjet për të luftuar rrjetet kriminale, të cilat spekulojnë mbi ëndrrat e emigrantëve. Por është po aq e nevojshme edhe të tregohen rrugë më të sigurta. Për këtë arsye, duhet të angazhohemi për zgjerimin e kanaleve të rregullta migratore”.

Politikat demografike dhe ekonomike duhet të dialogojnë me politikat e migracionit, duke vënë gjithmonë në qendër njerëzit më të ligshtë. Më pas duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpërgjegjëse për menaxhimin e flukseve migratore, të cilat duket se janë të destinuara të rriten në vitet e ardhshme.

Papa përfundon duke kërkuar të jemi pranë emigrantëve dhe refugjatëve që trokasin në dyert tona dhe i fton të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje për të kujtuar ata, që humbën jetën nëpër rrugët e ndryshme të migrimit.

20 tetor 2023, 11:08