Kërko

Papa në Sinodin e Ipeshkvijve Papa në Sinodin e Ipeshkvijve

Papa: me sa durim, Populli i Zotit u bën ballë keqtrajtimeve të klerikalizmit

Françesku ndërhyn në Kongregacionin e datës 25 tetor, në Sinodin e Ipeshkvijve, duke përsëritur rëndësinë e grave në Kishë: "Ato dinë të presin, të zbulojnë rrugën, të kapërcejën kufijte, me frikë, por edhe me guxim". Më pas, denoncon “shkandullin e meshtarëve, që provojnë veshje të kushtueshme nëpër rrobaqepësi. Së fundi, kujton rëndësinë e Popullit të Zotit: "Kur doni të dini se çfarë thotë Kisha, lexoni magjisterin, por për të menduar si Kisha, drejtojuni popullit”

R.SH. – Vatikan

 Gruaja, “pasqyrim” i një Kishe, që ka fytyrë femërore. Meshtarët dhe “shkandulli” i rrobave të kushtueshme kishtare, së bashku me qëndrimet “maskiliste dhe autoritare”. Kisha e reduktuar në "supermarket shëlbimi" me një listë çmimesh për sakramentet. Pastaj, klerikalizmi, që është si kamxhik për të çuard drejt rrënimit Popullin e shenjtë të Zotit, i cili, nga ana e tij, është “shenjt, por edhe mëkatar”, "i pagabueshëm in credendo”, që me durim të madh duhet t’u bëjë ballë “keqtrajtimeve dhe mënjanimit të klerikalizmit të institucionalizuar”.

 Këto janë disa nga reflektimet, që Papa u ofroi pasditen e 25 tetorit pjesëmarrësve të Sinodit të mbledhur në sallën Pali VI për Kongregacionin XVII të Përgjithshëm, gjatë të cilit u punua mbi Raportin Përmbledhës, që publikohet të shtunën, 28 tetor. Ati i Shenjtë u tërhoqi vëmendjen të pranishmëve mbi konceptin e “Kishës si popull i Zotit”. Ai popull, të cilit pjesëmarrësit e Sinodit i drejtuan një Letër, ku theksojnë dëshirën për të dëgjuar "të gjithë".

Kisha si Popull besnik i Zotit

“Më pëlqen të mendoj për Kishën si për popullin besnik të Zotit, shenjt e mëkatar, popull i thirrur dhe i mbledhur me forcën e Lumnive dhe të kreut 25 stë Ungjillit sipas Mateut”, fillon Françesku.

“Jezusi, për Kishën e tij, nuk përdori asnjë nga skemat politike të kohës së tij: as farisenjtë, as saducenjtë, as esenët, as zelotët. Asnjë "korporatë të mbyllur"; thjesht rimori në dorë traditën e Izraelit: ‘Ti do të jesh populli im dhe unë do të jem Hyji yt’”.

Shenjtor dhe mëkatar

“Më pëlqen – vazhdon Papa – të mendoj për Kishën si për një popull të thjeshtë e të përvuajtur, që ecën në praninë e Zotit”. E, është "edhe më bukur" të flasim për "Popullin e shenjtë të Zotit". "Shenjt e mëkatar", por "besnik".

“Them popull besnik që të shmang rënien në skemat e qasjet e shumta ideologjike në të cilat "reduktohet" realiteti i popullit të Zotit”.

I pagabueshëm “in credendo”

Një nga karakteristikat e këtij populli është “pagabueshmëria”: “Po, duhet ta themi: ai është i pagabueshëm në fe...”. “Infallibilitas in credendo”, siç thotë Lumen Gentium.

“Kur doni të dini se çfarë dëshiron të thotë Kisha Shenjte Nënë, lexoni magjisterin, por nëse doni të mendoni siç beson Kisha, drejtojuni popullit”.

Ky popull besnik “ka shpirt”, thekson Papa Françesku, dhe “që të flasim për shpirtin e një populli, duhet të flasim për një hermeneutikë, një mënyrë për ta parë realitetin, për një vetëdije”. “Vetëdijen e dinjitetit", siç dëshmohet nga gjeste si pagëzimi i fëmijëve dhe varrosja e të vdekurve.

Feja e transmetuar nga nënat dhe gjyshet

Nga ky popull vijnë edhe “anëtarët e hierarkisë”, nga ky popull e kanë marrë fenë, nënvizon Papa. Si në shumë raste të tjera, kujton nënat dhe gjyshet: “Nëna jote dhe gjyshja jote, i thotë shën Pali Timoteut”. “Feja transmetohet në dialektin fëmëror. Ashtu si nëna e Makabenjve ,që u fliste fëmijëve të saj në dialekt”, nënvizon Françesku:

“Më pëlqen shumë të mendoj se në Popullin e shenjtë të Zotit, feja transmetohet gjithmonë në dialekt dhe përgjithësisht në dialektin femëror. Kjo, jo vetëm sepse Kisha është nënë dhe janë gratë ato, që e pasqyrojnë atë më së miri”.

Pastaj, një reflektim tjetër për rëndësinë e grave në Kishë.

“Kisha është grua, sepse janë gratë ato që dinë të presin, që dinë të zbulojnë pasuritë e Kishës, të popullit besnik, që shtyhen përtej kufijve, ndoshta me frikë, por me guxim e, në dritëhijen e një dite që fillon, i afrohen varrit të Krishtit me intuitën (ende jo shpresë) se aty mund të gjejnë diçka të gjallë. Gruaja është pasqyrë e Kishës, Kisha është femërore, është grua dhe nënë”.

Lista e çmimeve të sakramenteve

Prandaj, kur ministrat e Kishës e “ekzagjerojnë shërbimin e tyre dhe e keqtrajtojnë popullin e Zotit, ata e shpërfytyrojnë fytyrën e Kishës, e prishin atë me qëndrime maskiliste dhe diktatoriale”, ankohet Papa. “Është e dhimbshme – shton ai – të gjesh në disa zyra famullitare “listën e çmimeve” të shërbimeve sakramentore, si në një supermarket. Ose Kisha është populli besnik i Zotit për udhë, shenjt e mëkatar, ose përfundon si kompani që ofron shërbime të ndryshme e, kur punonjësit baritorë marrin këtë rrugën e dytë, Kisha bëhet supermarket i shëlbimit dhe meshtarët punonjës të thjeshtë të një firme shumëkombëshe”. Ky është “dështimi i madh” në të cilin çon klerikalizmi.

Klerikalizmi “kamzhik” dhe “plagë”

Papa shpreh të njëjtin trishtim - madje, e quan "dhimbje" - për ata "meshtarë të rinj", që shihen nëpër rrobaqepësitë kishtare, duke provuar lloj-lloj rrobash të kushtueshme. "Mjaft", ngre zërin ai, "ky është me të vërtetë shkandull".

“Klerikalizmi është kamxhik, është plagë, formë e kësaj bote, që e ndot dhe e dëmton fytyrën e nuses së Zotit, e robëron popullin e shenjtë e besnik të Hyjit".

Bota e keqtrajton popullin e Zotit

Një popull, që, megjithatë, “vazhdon të ecë përpara me durim dhe përvuajtëri”: “Me sa durim duhet t’i tolerojë shpërdorimet, keqtrajtimet, përjashtimet, nga ana e klerikalizmit të institucionalizuar”, denoncon Papa Françesku. “E sa natyrshëm flasim për 'princat e Kishës', ose për promovimet ipeshkvnore si promovime në karrierë! Tmerret e botës, mendësia e kësaj bote – përfundon ai – që e keqtrajton popullin e shenjtë e besnik të Zotit”.

26 tetor 2023, 11:53