Papa: Tereza na kujton dashurinë dhe besimin në mëshirën e Zotit, themelore në Kishë
R.SH. / Vatikan
“Është besimi dhe asgjë tjetër, veç besimit, që duhet të na çojë te Dashuria”. Këto fjalë, shkruar në shtator 1896 nga Shën Tereza e Krishtit Fëmijë dhe e Fytyrës së Shenjtë, frymëzojnë titullin e thirrjes apostolike që Papa Françesku i kushton shenjtores së Lisieux.
Njohjet nga ana Papëve
Ati i Shenjtë rikujton etapat e njohjes të vlerës së jashtëzakonshme të dëshmisë së saj nëpërmjet veprimtarisë së Papëve: duke nisur nga Papa Leoni XIII, që e lejoi të hynte në një kuvend në moshën 15-vjeçare, për të vijuar me Piun XI, që e shpalli shenjtore më 1925 dhe Pajtore e misioneve në vitin 1927 e me Shën Gjon Palin II, i cili e shpalli Doktore e Kishës, në vitin 1980.
Dashuria e një shpirti misionar për Jezusin
Në qelinë e saj, Shën Terezina kishte shkruar: "Jezusi është dashuria ime e vetme"(8) e Papa, duke analizuar përvojën e saj shpirtërore, vëren se takimi me Jezusin "e thirri në mision", aq sa ajo nuk mund t’i kushtohej Zotit "pa iu kushtuar edhe vëllezërve”. Prandaj kish hyrë në Karmel: "për shpëtimin e shpirtrave"(9).”
Rruga e besimit dhe e dashurisë
Françesku shkon në zemër të përshpirtërisë së Terezinës, në atë "rrugë të vogël", që njihet edhe si rruga e foshnjërisë shpirtërore. Për Shën Terezën e Krishtit Fëmijë rëndësi ka vetëm veprimi i Zotit; ka hiri, jo meritat personale, sepse është Zoti ai që shenjtëron. Papa shkruan: “Prandaj, qëndrimi më i përshtatshëm është ta kemi besimin e zemrës jashtë vetvetes: në mëshirën e pafundme të një Zoti, i cili na deshi e na do pa kufi. Ndaj dhuroi gjithçka në Kryqin e Krishtit” (20).
Lëshimi në duart e Atit
Në jetën tonë, ku shpesh - kujton Françesku - "na pushton frika, dëshira për sigurinë njerëzore, nevoja për të pasur gjithçka nën kontroll" (23), besimi, e si pasojë, braktisja në Zotin që e nxit Terezina, "na çliron nga llogaritjet e ankthshme, nga shqetësimi i vazhdueshëm për të ardhmen, nga frika, që dëbon paqen. (…) Nëse jemi në duart e një Ati që na do pa kufi - vazhdon – kjo do të jetë e vërtetë në çfarëdo rrethanash, e ne do të jemi në gjendje të ecim përpara çkado që të ndodhë” (24).
"Prova kundër fesë” e besimi në mëshirë
Jetës shpirtërore të karmelitanes së re nuk i munguan provat, madje edhe kundër fesë. Në atë kohë, ateizmi modern po zgjerohej shumë dhe ajo "nisi të ndihet si motër me ateistët" (26), të ndërmjetësojë dhe të ofrojë jetën e saj për ta, duke përtërirë aktin e saj të besimit. Beson në mëshirën e pafund të Zotit. Gjithçka tek Zoti është dashuri, madje edhe Drejtësi. "Ky, një nga zbulimet më të rëndësishme që ofroi për gjithë Popullin e Zotit Terezina, e cila depërtoi në mënyrë të jashtëzakonshme në thellësitë e mëshirës hyjnore dhe prej andej tërhoqi dritën e shpresës së pakufishme të Zotit për njeriun. ” (27).
Në Zemrën e Kishës, Nëna ime, do të jem Dashuri
Nga Shën Tereza e Avilës, Terezina trashëgoi - lexojmë në thirrje - “dashuri të madhe për Kishën dhe mundi të mbërrinte në thellësi të këtij misteri”. Shkruan në “Historia e një shpirti”: “E kuptova se Kisha kishte një Zemër dhe se kjo Zemër ndizej nga Dashuria. E akoma: "Në zemrën e Kishës, Nëna ime, do të jem Dashuri!" (39). Papa Françesku komenton: “Nuk është zemra e një Kishe ngadhënjyese, po zemra e një Kishe të dashur, të përulur dhe të mëshirshme. (…) Ky zbulim i zemrës së Kishës është gjithashtu një dritë e madhe për ne sot, për të mos u shkandulluar nga kufizimet dhe dobësitë e institucionit kishtar, në çaste errësire e mëkati (41).
Në fund të fundit, çka vlen është dashuria
Në kapitullin e fundit, Papa shpjegon se kjo nxitje apostolike e shtyn të kujtojë se, në një kishë misionare, siç lexojmë në Evangelii gaudium, "shpallja përqendrohet në themeloren, në atë që është më e bukura, më e madhja, më tërheqsja dhe, njëkohësisht, më e nevojshmja” (47). “Në fund - shkruan Papa – çka ka rëndësi, është vetëm dashuria”! E, duke iu drejtuar teologëve dhe moralistëve, thekson: “Ne nuk e kemi kuptuar ende si duhet këtë intuitë të shkëlqyer të Terezinës. As nuk kemi arritur të nxjerrim prej saj pasojat teorike dhe praktike, doktrinore dhe baritore, personale dhe komunitare. Duhet guxim dhe liri e brendshme për ta bërë këtë” (50).
Aktualiteti i "udhës së vogël"
Teksa i afrohet fundit, Papa kujton aspektet kryesore të "rrugës së saj të vogël" dhe rëndësinë e tyre. Nxitja përfundon me një lutje të shkurtër në të cilën, ndërmjet tjerash, Papa i drejtohet Shenjtores me fjalët prekëse:
“E dashur Shën Terezinë, na ndihmo të besojmë gjithmonë, si ti, në dashurinë e madhe të Zotit për ne, që të mund ta imitojmë çdo ditë udhën tënde të vogël të shenjtërisë” (53).