Kërko

Palestinezët e takimit me Papën Palestinezët e takimit me Papën

Drama e Gazës i tregohet Papës nga palestinezët e izraelitët

Dje paradite, para audiencës së përgjithshme, Papa takoi dhjetë anëtarë të familjeve të palestinezëve nga Gaza, të krishterë dhe myslimanë, si edhe 12 familje të pengjeve izraelitë, që mbahen nga Hamasi në Rrip

R.SH. – Vatikan

         “Nuk jemi vetëm numra”. Deri katër ditë më parë, Suhair Anastas jetonte në qytetin e Gazës, e strehuar në famullinë e Familjes Shenjte. Dje paradite ndodhej në Vatikan, në mesin e grupit të palestinezëve, që takuan Papën Françesku, para audiencës së përgjithshme të së mërkurës. “Arrita të largohem nga Gaza, së bashku me vajzën time 16-vjeçare, falë pasaportës kanadeze – shpjegon Suhair. – Në takimin që patëm me Papën, secili prej nesh tregoi ç’kemi pësuar. Të gjithë kishin histori të ndryshme, por të gjitha përfundonin njëlloj: njerëzit në Gazë po vdesin”.

Gruaja palestineze shpjegoi se ishte një nga ato “fatlumet”, që mundi të strehohej në një kishë, e cila “gjithsesi, nuk ishte vend i sigurt”, pasi nuk dihej nëse zgjoheshe “të nesërmen në mëngjes. Është përvojë e tmerrshme. Kur i lë të gjithë atje, pas vetes, ndihesh vërtet fajtor”. Ajo i tregoi Papës vështirësitë e udhëtimit për të ardhur në Evropë, duke mbajtur gjatë gjithë rrugës një flamur të bardhë, së bashku me një grup prej shtatë vetësh, ndërmjet të cilëve një fëmijë 1-vjeçar dhe një 7-vjeçar .

Suhair dhe grupi i palestinezëve, pritur nga Papa, kanë humbur miq e familjarë, për shkak të bombardimeve izraelite. “Pjesa më e vështirë – pohoi Suhair – është kur nuk di ç’po ndodh përreth. Nganjëherë mendon se po ndodhi ndonjë gjë, familja as nuk do ta marrë vesh". Ndërkaq, familja e saj e pret në Jordani, ku jetojnë edhe dy fëmijët e tjerë, studentë të universitetit. “Ëndërroj një jetë të sigurt. Tani nuk na ka mbetur asgjë. Nuk kemi plane për të ardhmen. Shpresoj se do të jetë e mundur të kthehemi në Gaza”, përfundoi gruaja palestineze.

Konferenca e shtypi me familjarët e pengjeve izraelite
Konferenca e shtypi me familjarët e pengjeve izraelite

Po dje, para audiencës së përgjithshme, Papa priti edhe 12 familje të pengjeve izraelite, rëmbyer nga Hamasi në Rripin e Gazës. Në konferencën për shtyp, që pasoi, mediat e Vatikanit intervistuan Rachel Goldberg, nënën e djaloshit 23-vjeçar, sekuestruar më 7 tetor nga Hamasi. “Ishte – thotë ajo për audiencën me Papën - një takim shumë intensiv, megjithëse i shkurtër, në të cilin Ati i Shenjtë shprehu afërsinë dhe dhembshurinë e tij për ne. Papa na e përsëriti shpresën që të heshtin armët. Kjo situatë absurde dhe e tmerrshme, që filloi më 7 tetor, ka sjellë shumë viktima të pafajshme, si djali im Hersh, por edhe shumë civilë të pafajshëm palestinezë. Do të dëshironim të rrinim më tepër me Papën, por e ndjemë mbështetjen dhe dashurinë e tij”.

“Papa Françesku – vazhdon Rachel – nuk është vetëm udhëheqës shpirtëror i dy miliardë të krishterëve, por edhe autoritet moral i padiskutueshëm në mbarë botën. Ai dëgjohet gjerësisht edhe në botën myslimane dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne. Zëri i tij ndikon tek të fuqishmit e Tokës, që edhe ata të jenë të vetëdijshëm se sot ka përparësi lirimi i pengjeve. Nëse 50 të parët u liruan, nuk duhet harruar se 190 prej tyre mbeten ende në duart e rrëmbyesve. Shpresoj sidomos që të autorizohet Kryqi i Kuq për të vizituar pengjet; mendoj për djalin tim të plagosur në krah, por edhe për të gjithë të tjerët”.

23 nëntor 2023, 10:32