Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: klima kërcënon tokën, po shkoj në COP28 për të kërkuar të mbrohet

Pas lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi shtegtimin e tij të ardhshëm në Dubai për samitin e ndryshimeve klimatike dhe përshëndeti të rinjtë, që festojnë sot Ditën Botërore të Rinisë në nivel dioqezan.

R. SH. - Vatikan

Nuk janë vetëm raketat dhe masakrat e tmerrshme kundër njerëzve të pambrojtur, tanket që avancojnë dhe qëllojnë në hapësirat e mëdha të Ukrainës a përroskat e një lagjeje në Gaza. Ekziston “një rrezik tjetër i madh”, klima, që kërcënon botën, që kërkon vëmendje maksimale e, mbi të gjitha, angazhim. Këtë përgatitet t'u kërkojë Papa liderëve të botës fundjavën e ardhshme, kur do të niset në Dubai për të folur në COP28, në samitin e OKB-së kushtuar kësaj teme.

Të shpëtohet shtëpia e përbashkët

Ndryshimet klimatike “vënë në rrezik jetën mbi Tokë, e veçanërisht, brezat e ardhshëm” - ripërsëriti Françesku pas lutjes së Engjëllit të Tënzot -  me zërin e kreut të zyrës së Sekretarisë së Shtetit, Imzot Paolo Braida, i cili e ndihmoi në leximin e teksteve para dhe pas lutjes mariane, për shkak të gripit që po kalon Papa.

“Prandaj, fundjavën e ardhshme do të shkoj në Emiratet e Bashkuara Arabe për të folur të shtunën në COP28, në Dubai. I falënderoj të gjithë ata, që do ta përcjellin këtë shtegtim me lutje dhe me përkushtim për ta pasur kështu për zemër mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët”.

Përqafimi, të rinjve të DBR-së

Ndërmjet mendimeve të kësaj së dieleje, nuk munguan as vajzat dhe djemtë që kremtojnë 38-vjetorin e Ditës Botërore të Rinisë në mbarë botën, në nivel kishash të veçanta. Tema është "Të gëzuar në shpresë", në vazhdimësi me DBR-në e Lisbonës - kujtoi Françesku -  që u dha më pas një "përqafim të rinjve, e tashmja dhe e ardhmja e botës" e edhe një inkurajim "për të qenë protagonistë të gëzuar të jetës së Kishës”.

26 nëntor 2023, 13:54