Kërko

Papa Francesco a Dubai per la Cop 28 dall'1 al 3 dicembre  (AFP or licensors) Papa Francesco a Dubai per la Cop 28 dall'1 al 3 dicembre (AFP or licensors)

Papa në Dubai: rreth tridhjetë takime dypalëshe në Cop28

Papa do të jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe nga 1 deri më 3 dhjetor të ardhshëm për të marrë pjesë në Konferencën e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike Cop28. Sot paradite në zyrën e shtypit të Vatikanit u prezantua udhëtimi apostolik i 45-të i Papës

R.SH. / Vatikan

Do të ketë rreth 30 takime dypalëshe (20 me po aq krerë Shtetesh dhe një duzinë me shoqata të përfshira në çështjen e ndryshimeve klimatike) që Papa Françesku do të mbajë më 2 dhjetor, ditën e fjalimit të tij në Cop28 në Dubai. Kështu ka konfirmuar drejtori i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, gjatë konferencës për shtyp me rastin e paraqitjes së udhëtimit papnor të 45-të apostolik ndërkombëtar. Lista e takimeve ende nuk është përcaktuar përfundimisht.

Françesku do të jetë Papa i parë që do të flasë para asamblenë e krerëve të shteteve dhe qeverive të mbledhur për Cop28. Të shtunën më 2 dhjetor, Papa do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në hyrje të Expo City, lagjen e re të gjelbër të qytetit të Emirateve, që po pret Konferencën Cop28. Ati i Shenjtë Bergoglio është gjithashtu edhe Papa i parë që shkon në Dubai. Por është hera e dytë që ai shkon në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai pati shkuar në shkurt të vitit 2019 me rastin e nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët, së bashku me Imamin e Madh të al-Azhar Ahmad al-Tayyeb.

Edhe pse udhëtimi apostolik në Emiratet e Bashkuara Arabe është i lirë nga takime thjesht baritore, të dielën më 3 dhjetor Papa do të marrë pjesë në inaugurimin e Faith Pavillon, Pavijonit të Fesë, gjithnjë brenda pjesës së Expo City. Një ngjarje që do ta shohë Papën përsëri së bashku me Imamin e Madh të al Azar, Ahmad al-Tayyeb, dhe në prani të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pavijoni u krijua nga Qendra Ndërfetare për Zhvillimin e Qëndrueshëm së bashku me Këshillin e Pleqve Mysliman, është pavioni i parë i këtij lloji në historinë e konferencave të OKB-së COP dhe shërben si një platformë globale për të promovuar angazhimin fetar dhe dialogun ndërfetar në zbatimin e masave efikase për të orientuar krizën klimatike. Në fund të ceremonisë Papa Françesku do të nënshkruajë Deklaratën e "Confluence of Conscience".

28 nëntor 2023, 17:03