Dita Botërore e Paqes: lutja e Papës drejtuar Marisë
R.SH. / Vatikan
Paqe e pritur, e shpresuar e ftuar, paqe, fatkeqësisht ende e kërcënuar "nga tundimi i egoizmit, interesit personal, dëshirës për fitim dhe etjes për pushtet"… Paqe! Është fjala e parë që jehon në vitin e ri dhe në mesazhin e Papës shkruar për 1 janarin 2024, Ditën LVII Botërore të Paqes. Fjalë dhe, në të njëjtën kohë, lutje për një botë të copëtuar nga konfliktet, të cilën Françesku ia beson Virgjëreshës Mari, që është Nënë dhe i vuan vuajtjet e të gjithëve.
“Silli sytë tuaj të mëshirës kah familja njerëzore, së cilës i pëlqeu më shumë Kaini se Abeli, ndërmjetëso për botën tonë të zhytur në rreziqe e trazira” - u lut Papa më 27 tetor 2023 në Bazilikën e Vatikanit, rrethuar nga Etërit Sinodalë. "Të vetëm, nuk mund ta bëjmë këtë" - theksoi - e këtë e dëshmojnë lajmet që vijnë nga Siria - në Ukrainë; nga Toka Shenjte - në Armeni, në Sahel dhe në pjesën tjetër të kontinentit afrikan, e dëshmon kokëfortësia e qeverive, tregtia e armëve, etja për pushtet, brutaliteti i terrorizmit që shkakton viktima në heshtje dhe paaftësi në dukje, për të reaguar. Por besimtarët nuk e gjejnë forcën tek armët, e gjejnë te lutja!
Ndaj Papa Françesku u bën thirrje të gjithëve t'i drejtohen pa u lodhur Mbretëreshës së Paqes dhe "Birit të Zotit, që u bë fëmijë i përvuajtur". Duke thënë Rruzaren gjatë gjithë vitit, duke iu drejtuar besimtarëve me rastin e audiencës së përgjithshme dhe kremtimit të lutjes së Engjëllit, Papa kërkoi dhe vazhdon të kërkojë ndihmë që të hapen vezullime drite në "natën e errët të konflikteve".
“Nëna e Zotit dhe e jona, ne vijmë te ti, kërkojmë strehim në Zemrën tënde të papërlyer. Kërkojmë mëshirë, Nënë e mëshirës; paqe, mbretëreshë e paqes! Shkundja shpirtin atyre që ranë në grackën e urrejtjes, shndërroji ata që ushqejnë e nxisin lufta. Teri sytë e fëmijëve – që qajnë shumë në këtë kohë lotësh! Ndihmoi të vetmuarit dhe të moshuarit, përkrahi të plagosurit dhe të sëmurët, mbroji ata që largohen me lot në sy nga atdheu dhe njerëzit e tyre më të dashur, ngushëlloi të dëshpëruarit, rizgjona shpresën”.
Teknologji dhe paqe
Paqja nuk mund të arrihet, nëse nuk reflektojmë për "kuptimin e kufijve", nënvizon Papa në Mesazhin për Ditën LVII Botërore të Paqes, në të cilin paralajmëron rrezikun e "algoritmeve", që mund të minojnë "vlerat themelore të dhembshurisë, të mëshirës dhe të faljes". E po ashtu, edhe rrezikun e "shfrytëzimit luftarak të inteligjencës artificiale" që kërkon formim të përshtatshëm në përdorimin e teknologjive të reja. Bota - shkruan sërish Papa në Mesazh - nuk ka nevojë që teknologjitë e reja të kontribuojnë në zhvillimin e padrejtë të tregut dhe tregtisë së armëve, për të nxitur më tutje çmendurinë e luftës. Duke vepruar kështu - shton ai - jo vetëm inteligjenca, por edhe vetë zemra e njeriut, do të ketë rrezikun të bëhet gjithnjë e më “artificiale”. Zbatimet teknike më të avancuara nuk duhet të përdoren për të lehtësuar zgjidhjen e dhunshme të konflikteve, por për të hapur shtigjet drejt paqes:
"Progreset në zhvillimin e formave të inteligjencës artificiale i shërbejnë, në analizën e fundit, kauzës së vëllazërisë dhe të paqes njerëzore. E kjo nuk është përgjegjësi e disave, por e mbarë familjes njerëzore. Paqja është fryt i marrëdhënieve, që e pranojnë dhe e mirëpresim tjetrin me dinjitetin e tij të patjetërsueshëm, në bashkëpunim, në angazhim e në kërkim të zhvillimit të gjithanshëm të të gjithë njerëzve dhe të mbarë popujve”.