Kërko

Dispanseria  e Shën  Martës Dispanseria e Shën Martës  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa fëmijëve të Dispanserisë: ta përgatisim zemrën për Krishtlindje!

Si çdo vit, të vegjlit që mjekohen në pediatrinë e Vatikanit festuan ditëlindjen e Papës. Në Sallën Pali VI, mes këngëve dhe shfaqjeve të cirkut, i bënë Françeskut urimet më të mira. E Papa i falënderoi dhe i porositi të mendojnë për Jezusin, në prag të lindjes së Birit të Zotit. "Mirënjohja është kujtimi i zemrës”, lexohet në ëmbëlsirën e përgatitur për këtë festë.

R. SH. - Vatikan

Sallën Pali VI në Vatikan, në ditëlindjen e 87-të të Papës Françesku e ndriçojnë buzëqeshjet. Ata të fëmijëve të ambulancës të Shën Martës të cilët, sipas traditës, e festuan Papën me këngët dhe përqafimet e tyre, në  pritje të Krishtlindjes. Ndërsa Ati i Shenjtë, pasi i përshëndeti dhe i mirëpriti në këmbët e skenës në Sala Nervi, u kujtoi, duke folur lirisht: “Duhet të përgatitemi për një festë të madhe”.  

“Të mendojmë e ta përgatisim zemrën për Krishtlindje, për të pritur Jezusin”, u kujtoi Papa, duke i ftuar të gjithë të mendojnë - në heshtje dhe me sy mbyllur - se çka do t’i kërkojnë Jezusit në ditën e madhe, e cila na kujton se ai erdhi të rrijë me ne. Më pas shprehu falënderimet e tij, i gëzuar që po e kremtonte ditëlindjen i rrethuar me këtë turmë kaq gazmore pranë. Turmë, së cilës i uroi që Zoti t’ia plotësojë çdo dëshirë në një Krishtlindje të gëzuar.

Një shfaqje për Papën

Me ndihmën e artistëve të cirkut Vassallo, fëmijët nga Dispanseria dhanë para Papës një shfaqje me akrobaci dhe numra kllounësh, mes duartrokitjeve të rreth 200 familjeve të fëmijëve të përkujdesur nga pediatria e Vatikanit dhe vullnetarëve të Athletica Vatikanit, që i pritën, të presidentit, Kardinalit Konrad Krajewski, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë dhe drejtoreshës Motër Anna Luisa Rizzello.

 Mirënjohja është kujtesa e zemrës

E domosdoshme - dhe e provuar prej kohësh! - “Gëzuar ditëlindjen”, e kënduar nga një kor i vogël, shoqëroi më në fund mbërritjen e tortës. “Mirënjohja është kujtimi i zemrës. Gëzuar ditëlindjen Papa Françesku!”, lexojmë mbi ëmbëlsirën, në të cilën një figurë - e vizatuar nga vetë fëmijët e Dispanserisë – paraqet Papën duke marrë për dore fëmijë nga e gjithë bota. Torta është bërë nga shefi i picave Vincenzo Staiano i cili, si çdo vit, i çon qirinjtë e shuar nga Papa në Shenjtëroren e Zojës së Pompeit.

17 dhjetor 2023, 15:17