PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Françesku: Gaza është e rraskapitur, jo armëve e po paqes

Papa: “I inkurajoj të gjitha palët e përfshira të rifillojnë bisedimet dhe të marrin ndihma humanitare për popullsinë e Gazës... Të lirohen të gjithë pengjet, që panë shpresën në armëpushimin e ndonjë dite më parë e kjo vuajtje e madhe të marrë fund". Dhurata e paqes të arrijë edhe për "Ukrainën e martirizuar"

R.SH. / Vatikan

Thirrje e Papës për konfliktin në Izrael dhe në Palestinë, në fund të audiencës së sotme të përgjithshme: “I inkurajoj të gjitha palët e përfshira të rifillojnë bisedimet dhe të marrin ndihma humanitare për popullsinë e Gazës... Të lirohen të gjitha pengjet, që panë shpresën në armëpushimin e ndonjë dite më parë e kjo vuajtje e madhe të marrë fund". Dhurata e paqes të arrijë edhe për "Ukrainën e martirizuar":

“Vazhdoj të ndjek me shqetësim dhe dhimbje të thellë konfliktin në Izrael dhe në Palestinë dhe të përsëris thirrjen për armëpushim të menjëhershëm humanitar: atje ka shumë vuajtje. I inkurajoj të gjitha palët e përfshira të rifillojnë bisedimet dhe u kërkoj të gjithëve angazhimin urgjent të marrjes së ndihmave humanitare për popullin e rraskapitur të Gazës, i cili ka me të vërtetë nevojë për to. Të gjithë pengjet, që shpresuan në armëpushimin pak ditë më parë, duhet të lirohen menjëherë: e kjo vuajtje e madhe për izraelitët dhe palestinezët të marrë fund. Ju lutem, jo ​​armëve, po paqes”.

Kështu u shpreh Papa Françesku në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve italianë. Menjëherë më pas i ftoi të gjithë "të kërkojnë dhuratën e paqes për popullsinë që vuan nga lufta, veçanërisht për Ukrainën e munduar dhe për Izraelin e Palestinën".

Për Shën Luçinë, shkëmbimi i dhuratave të miqësisë dhe të dëshmisë së krishterë

Papa Françesku, duke kujtuar se sot liturgjia kremton Shën Luçinë, virgjër e martire, nënvizoi se "në disa zona të Italisë dhe të Evropës është zakon që me këtë rast të shkëmbehen dhurata për Krishtlindjet në prag". I ftoi, më pas, të gjithë "të shkëmbejnë dhuratën e miqësisë dhe dëshminë e krishterë”. Në veçanti, u shprehu mirëseardhjen e përzemërt besimtarëve të Santa Maria La Fossa dhe Tenna Tramonti. Përshëndeti edhe grupe të shumta shkollore, "në veçanti shkollën e mesme Plinio Seniore të Romës, shkollën e mesme Ettore Majorana të Genzano di Lucania dhe studentët nga Tarquinia, Frosinone dhe Valle Roveto". Përshëndetjen e fundit ua drejtoi  të rinjve, të moshuarve, të sëmurëve dhe të sapomartuarve.

13 dhjetor 2023, 12:31