Kërko

Federata Italiane Pueri cantores Federata Italiane Pueri cantores  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku: në botë ka ankth dhe mërzi, të kënduarit është bukuri dhe shije për jetën

Papa, duke u takuar me Federatën Ndërkombëtare të Pueri Cantores, pohon se koret i ndihmojnë bashkësitë të luten dhe t’ia hapin zemrat e tyre Zotit: të kënduarit është akt dashurie, është lutje me fjalë e me muzikë, me zemër e me zë, me përkushtim e me art.

R. SH. - Vatikan

Festive atmosfera, që priti Papën Françesku në Sallën Pali VI, ku ishin mbledhur mbi tri mijë Pueri Cantores. Audienca me Federatën e tyre Ndërkombëtare nis me një këngë, që vlerësohet shumë nga Papa, i cili e duartroket, duke i vlerësuar këngëtarët: "Këndoni mirë eh!". E, më pas, në fjalën e tij, nënvizon se sa i rëndësishëm është roli i një kori:

“Me zërat tuaj ju i ndihmoni bashkësitë të luten, t'ia hapin zemrat e tyre Zotit, e kjo është themelore për jetën e Kishës”.

Bota ka nevojë për gëzim

Papa u beson fëmijëve tri fjalë kyçe: gëzim, lutje dhe përvujtëri. Për të parën kujton se “të kënduarit është gëzim, sidomos kur bëhet në kor”. Brezat e fëmijëve dhe të rinjve  kanë shkrirë "shumë kohë dhe përpjekje për të mësuar, për të interpretuar" dhe për t’i përcjellë kompozimet muzikore - vërejti Françesku - dhe kur "këndojnë me entuziazëm", u bëjnë "një dhuratë të madhe" atyre që dëgjojnë:

“Ka kaq shumë nevojë për gëzim në botë! Shumë njerëz, madje edhe të rinj, janë të burgosur të ankthit ose të mërzitjes; të kënduarit dhe muzika mund të prekin zemrat, të dhurojnë bukuri dhe të rikthejnë shijen e shpresën për jetën”.

Kush këndon, lutet dy herë: me fjalë e me muzikë

Të kënduarit e lutjes i ndihmon të tjerët të luten - shtoi Papa - duke shpjeguar fjalën e dytë kyçe dhe duke rekomanduar që çdo këngëtar ta ketë gjithmonë "zemrën pranë Jezusit", si duke kënduar, ashtu edhe duke u lutur. Sepse kur "zemra është plot dashuri për Jezusin, kjo shkëlqen në zëra dhe është si shigjetë që godet në shenjë, duke arritur drejt e në zemrat e njerëzve":

“Shën Agustini na kujton se ‘këndojnë pikërisht ata, që duan’, e ata që këndojnë, luten dy herë. Është e vërtetë: të kënduarit është një akt dashurie, duke e bërë këtë, lutemi me fjalë dhe me muzikë, me zemër dhe me zë, me përkushtim dhe me art”.

Kënga, shkollë e përvujtërisë

 Papa thekson përsëri se "kënga është shkollë përvujtërie", para së gjithash "sepse këngëtari, edhe në pjesët solo, është gjithmonë i përfshirë në një kor", ku "të gjithë janë në shërbim të të gjithëve", dhe pastaj sepse duke qenë "në shërbim të Zotit" dhe duke ndihmuar "të tjerët të takohen me Zotin, ai di edhe të largohet në kohën e duhur, t'i lërë vend heshtjes". Dhe pikërisht këtu "të gjithë mund të dëgjojnë fshehurazi fjalët që vetëm Jezusi mund t'i thotë secilit prej nesh". Françesku vëren se ai "këngëtar që përpiqet ta vërë veten në qendër, ose të mbizotërojë mbi të tjerët, nuk është këngëtar i mirë e shpesh rrezikon të prishë punën e të gjithëve". Për këtë arsye rekomandon që fëmijët e Federatës Pueri Cantores të mos përpiqen të duken, por më tepër të shkrihen "së bashku, që në unitetin, i cili vjen nga përvujtëria", kënga "të shprehë miqësinë e vërtetë, me Zotin, me të tjerët dhe ndërmjet tyre".

Angazhim i përbashkët, që jep fryte

Së fundi - kujton Papa - ka edhe një mësim të fundit, që duhet mësuar nga një kor: nëse "të këndosh mirë së bashku kërkon përpjekje, ashtu si kërkon përpjekje të jetosh mirë së bashku", harmonia e ekzekutimeve, drita që shkëlqen në fytyrat e këngëtarëve dhe bukuria e zërave na ndihmojnë “të kuptojmë se ia vlen mundimi”.

30 dhjetor 2023, 12:54