Françesku për migrantët e Darién: e nevojshme, përgjigjja humanitare
R. SH. - Vatikan
Në shqetësimet e Papës - shprehur pas lutjes së Engjëllit në këtë të Dielë të tretë të Ardhjes dhe në prag të Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së - ka njerëz, mijëra, që po përpiqen për një të ardhme më të mirë duke kapërcyer pyllin Darién, xhungël e territorit në kufirin ndërmjet Kolumbisë dhe Panamasë.
Të marrë fund heshtja për këtë tragjedi
Flitet shpesh për familje me fëmijë që hyjnë në shtigje të rrezikshme - kujtoi Papa - të mashtruara nga ata që u premtojnë rrugë të shkurtër dhe të sigurt, të keqtrajtuar dhe të grabitur:
“Jo pak humbasin jetën në atë xhungël. Ndjehet nevoja për përpjekjet e përbashkëta të vendeve më të prekura drejtpërdrejt dhe bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar që ky realitet tragjik të kalojë pa u vënë re dhe për të dhënë së bashku një përgjigje humanitare”.
Mbi gjysmë milioni emigrantë nëpër Darién
Një rekord prej më se gjysmë milioni emigrantësh të drejtuar për në Shtetet e Bashkuara kaluan këtë vit xhunglën e rrezikshme Darien nga Kolumbia në Panama: këto, të dhënat e publikuara në fillim të dhjetorit nga qeveria panameze. E ky, edhe dyfishi i numrit në krahasim me vitin 2022. Gjatë udhëtimit, migrantët ndeshen me banda kriminale, që i grabisin ose u kërkojnë para për t'i udhëhequr nëpër xhungël. Pavarësisht nga rreziqet, Darien Gap, i gjatë 165 milje, është kthyer në korridor kyç për emigrantët që shkojnë në SHBA nga Amerika e Jugut, përmes Amerikës Qendrore dhe Meksikës. Shumica e njerëzve që rrezikojnë gjithçka në këtë aventurë, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, janë venezuelianë, pastaj edhe ekuadorianë, haitianë, kinezë, vietnamezë, afganë dhe të ikur nga vendet afrikane. Fluksi është aq i madh sa Panamaja, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, ka krijuar qendra ndihme për emigrantët në pjesë të ndryshme të vendit.