Françesku: pranë Tokës Shenjte, që po jeton Krishtlindje dhimbjesh
R. SH. - Vatikan
“Dy mendime”, për Betlehemin e sotëm dhe atë të dy mijë viteve më parë. Për Krishtlindjen nën dritat e bombave, e në atë që solli dritën e një shprese të re për njerëzimin. Lëkundet ndërmjet këtyre skajeve përshëndetja që Françesku u drejtoi figurantëve të skenës së lindjes së Krishtit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, të cilët që herët në mëngjes ishin rreshtuar tek portat e sigurisë, në Vatikan, për të mbërritur te Papa, të veshur me kostumet e kohës së Krishtit.
"Nuk duam t'i lëmë ata vetëm"
Personazheve të Betlehemit të sotëm, e edhe “të gjithë banorëve të tokës ku lindi, jetoi, vdiq dhe u ringjall Jezusi”, Françesku u dërgon përshëndetjen e solidaritetit. Tokës, kthyer për të njëqindtën herë në fazën e një konflikti të ashpër, që e ka plagosur për dekada, Papa i shpreh afërsinë "me lutje, me ndihmë konkrete dhe - u thotë pjesëmarrësve - me Betlehemin tuaj të gjallë, që u kujton të gjithëve se vuajtja e Betlehemit është plagë e hapur për Lindjen e Mesme dhe për mbarë botën”:
“Atëherë shfaqja juaj duhet të jetohet në solidaritet me këta vëllezër e motra, që vuajnë kaq shumë. Për ta parashikohet një Krishtlindje dhimbjeje, zije, pa shtegtarë, pa festa. Nuk duam t'i lëmë vetëm”.
Skena e mahnitjes
Mendimi i Betlehemit në vitin zero të kujton skenën e parë të Betlehemit të gjallë, konceptuar dhe realizuar 800 vjet më parë nga Shën Fraçesku, në Greccio. Për të mos e reduktuar atë shpikje “vetëm në një fakt folkloristik” - kujtoi Papa - ka rëndësi të nënvizohet, “pse” Shenjti i Asizit deshi ta përfaqësonte “lindjen e Jezusit si të ishte i gjallë”. Një “pse” që vijon të përsëritet edhe sot e kësj dite!
“Ai donte t'i jepte konkretësi skenës: nuk donte as piktura, as shtatore, por njerëz të vërtetë, në mënyrë që të binte në sy realiteti i Mishërimit. Prandaj, mendimi i parë që ju lë, është ky: qëllimi i skenës së gjallë të lindjes së Krishtit është të zgjojë në zemër mahnitjen përballë misterit të Zotit-foshnjë”.