Françesku: t’ia besojmë Marisë paqen në Ukrainë, Palestinë dhe Izrael
R. SH. - Vatikan
Në ditën e solemnitetit të Zojës së Papërlyer, Papa Françesku u duk rishtas në Dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Engjëllit. Kujtoi vizitën e pasdites në Shën Marinë e Madhe e, më pas, në Sheshin e Spanjës për t'iu lutur Zojës që të ndërmjetësojë për një botë pa luftëra:
“U kërkoj të gjithëve, veçanërisht besimtarëve të Romës, të bashkohen me mua shpirtërisht në këto gjeste besimi ndaj Nënës sonë, duke u lutur veçanërisht për paqen, paqen në Ukrainë, paqen në Palestinë e Izrael dhe në të gjitha trojet e plagosura nga luftërat. Kërkojmë paqe, që zemrat të jenë të qeta, që të kenë paqe!”.
Papa nxit Veprimin Katolik
Papa, duke përshëndetur me përzemërsi romakët dhe shtegtarët, nga Italia dhe nga vende të ndryshme të botës, i drejtoi përshndetjen e tij edhe anëtarëve të Veprimit Katolik, të cilët këto ditë po rinovojnë anëtarësimin e tyre. Nxitja është që të gjithë anëtarët, "nga fëmijët, tek të moshuarit" të jenë "gurë të gjallë në Kishë dhe majà e mirë në shoqëri".
Urimet më të mira për jubileun e dioqezës së Quebec
Para shpalljes për Ditën e parë Botërore të Fëmijëve majin e ardhshëm, Françesku përshëndeti edhe besimtarët e dioqezës së Quebec, Kanada, të cilët në ditën e Zojës së Papërlyer, Pajtorja e tyre, po përurojnë 350-vjetorin e themelimit. “Quebeku ishte dioqeza e parë e themeluar në Kanada”, kujton Papa, që përfundon me urimin:
“Gëzuar Vitin Jubilar dhe Virgjëra Mari ju shoqëroftë!”.