Papa: 2024 i paraprin Jubileut dhe do t'i kushtohet lutjes

"Viti i ardhshëm, i cili i paraprin jubileut, i kushtohet lutjes. Një vit i tërë kushtuar lutjes". Këtë e bëri të ditur Papa në predikimin gjatë lutjes së parë Mbrëmësore të Virgjërës Mari Nënës së Zotit dhe lutjes së falënderimit Te Deum drejtuar Zotit në fund të vitit

R.SH. / Vatikan

Papa e mbylli vitin në shkollën e Marisë Virgjër, me mirënjohje dhe shpresë. Në predikimin e lutjeve të mbrëmësores së parë të Solemnitetit të Nënës së Hyjit dhe të këndimit të lutjes së falënderimit ndaj Zotit ‘Te Deum’ në fund të vitit, në Bazilikën e Shën Pjetrit në prani të 6500 besimtarëve, Papa Françesku na fton të përjetojmë dimensionin e mirënjohjes dhe shpresës: jo në perspektivën e botës, por në atë thelbësore të marrëdhënies me Zotin dhe me vëllezërit.

Me një sy drejt jubileut të ardhshëm të vitit 2025, Ati i Shenjtë shpreson se qyteti i Romës do të jetë një shenjë shprese për ata që jetojnë atje dhe për ata që e vizitojnë atë. "Viti i ardhshëm, i cili i paraprin jubileut, i kushtohet lutjes. Një vit i tërë kushtuar lutjes", bëri të ditur Papa Françesku në predikimin gjatë lutjes së parë Mbrëmësore të solemnitetit të festës së Virgjërës Mari Nënës së Zotit dhe lutjes së falënderimit drejtuar Zotit në fund të vitit.

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË  BERGOGLIO

Mbrëmësorja e parë e Marisë, të shenjtnueshmes Nënës së Zotit dhe Te Deum

Feja na lejon ta jetojmë këtë orë ndryshe nga mendësia e kësaj bote. Besimi në Jezu Krishtin, Zotin e mishëruar, lindur nga Virgjëra Mari,  na  mëson një mënyrë të re për ta ndjerë kohën dhe jetën. Do ta përmblidhja me dy fjalë: mirënjohje dhe shpresë.

Ndokush mund të thotë: “Por a nuk bëjnë të gjithë kështu në këtë mbrëmje të fundvtit? Të gjithë falënderojnë, të gjithë shpresojnë, besimtarë a jobesimtarë”. Ndoshta mund të duket se është kështu, e ndoshta edhe ishte! Por, në realitet, mirënjohja e kësaj bote, shpresa e kësaj bote janë të dukshme; atyre u mungon përmasa themelore, ajo e marrëdhënies me Tjetrin dhe me të tjerët, me Zotin dhe me vëllezërit. Përqendrohen vetëm te vetja, tek interesat e tyre dhe kështu u merret fryma, nuk shkojnë dot përtej kënaqësisë dhe optimizmit.

Ndërkaq, në këtë Liturgji, e cila kulmon me himnin e madh Te Deum laudamus, mund të thithësh një atmosferë krejtësisht të ndryshme: atë të lavdërimit, të mahnitjes dhe të mirënjohjes. E kjo nuk ndodh për shkak të madhështisë së Bazilikës, as të dritave dhe të këngëve - këto janë më tepër pasoja - por për shkak të Misterit që antifona e Psalmit të parë e quan: «Shkëmbim i mrekullueshëm! Krijuesi mori shpirt e korp, lindi nga një virgjër; […] e na dhuron hyjninë e tij".

Liturgjia na ndihmon të hyjmë në ndjenjat e Kishës; dhe Kisha, si të thuash, i mëson nga Virgjëra Nënë.

Të mendojmë se cila duhet të ketë qenë mirënjohja në zemrën e Marisë teksa shikonte Jezusin e porsalindur. Është përvojë që vetëm një nënë mund ta ketë, e megjithatë në të, në Nënën e Zotit, ka thellësi unike, të pakrahasueshme. Maria e di, vetëm ajo, së bashku me Jozefin, nga vjen ai Fëmijë. E pra është aty, merr frymë, qan, ka nevojë për të ngrënë, për t'u mbuluar, për t’u përkujdesur. Misteri i jep hapësirë ​​mirënjohjes, që duket në soditjen e dhuratës, ndërsa mbytet në ankthin e pasjes dhe të dukjes!

Kisha mëson nga Nëna e Virgjër mirënjohjen. E edhe shpresën. Mund të mendosh se Zoti e zgjodhi atë, Marinë e Nazaretit, sepse pa shpresën e tij të pasqyruar në zemrën e saj. Atë, që Ai vetë i kishte dikuar në Të me Shpirtin e tij. Maria është përherë hirplote e, për këtë arsye, është edhe plot me besim dhe shpresë.

Ai i Marisë dhe i Kishës nuk është optimizëm, është diçka tjetër: është besimi te Zoti, besnik ndaj premtimeve të tij (shih Luka 1:55); e ky besim merr formën e shpresës në përmasën e kohës, mund të themi "për udhë ". I krishteri, ashtu si Maria, është shtegtar i shpresës. E kjo do të jetë edhe tema e jubileut 2025: "Shtegtarët e shpresës".

Të dashur vëllezër dhe motra, mund të pyesim veten: Roma a po përgatitet të bëhet "qyteti i shpresës" në Vitin Shenjt? Të gjithë e dimë se organizimi i Jubileut ka nisur prej kohe. Por edhe e kuptojmë mirë se, në këtë këndvështrim, nuk bëhet fjalë kryesisht për të; përkundrazi është dëshmi e bashkësisë kishtare dhe civile; dëshmi e cila më shumë se me ngjarjen, ka të bëjë me stilin e jetës, me cilësinë etike dhe shpirtërore të bashkëjetesës. Atëhere pyetja mund të formulohet kështu: a po punojmë, secili në zonën e vet, që ky qytet të jetë shenjë shprese për ata, të cilët jetojnë këtu e edhe për ata, që do ta vizitojnë?

Një shembull. Të hysh në Sheshin e Shën Pjetrit dhe të shohësh se, në përqafimin e Kolonadës, njerëz të çdo kombësie, kulture dhe feje lëvizin lirshëm e të qetë, është përvojë që të ngjall shpresë; por është e rëndësishme edhe që kjo të konfirmohet me mikpritjen gjatë vizitës në Bazilikë, si dhe në shërbimet e informimit. Një shembull tjetër: hijeshia e qendrës historike të Romës është shumëvjeçare dhe universale; por edhe të moshuarit ose personat me aftësi të kufizuara motorike duhet të jenë në gjendje ta shijojnë atë; e "bukuria e madhe" duhet të përkojë me dekorin e thjeshtë dhe funksionimin normal në vendet dhe situatat e jetës së zakonshme, të përditshme. Sepse një qytet që është më i jetueshëm për qytetarët e vet, është më mikpritës edhe për të gjithë.

Të dashur vëllezër dhe motra, një shtegtim, veçanërisht nëse është i nevojshëm, kërkon përgatitje të mirë. Kjo është arsyeja pse viti i ardhshëm, i cili i paraprin Jubileut, i kushtohet lutjes. E si mund të kishim një mësuese më të mirë se Nëna jonë e Shenjtë? Të ulemi në bankat e shkollës së saj: të mësojmë prej saj ta jetojmë çdo ditë, çdo çast, çdo punë me sytë e shpirtit drejtuar nga Jezusi. Gëzime e pikëllime, kënaqësi e probleme. Të gjitha në prani dhe me hirin e Jezusit, Zotit. Të gjitha me mirënjohje dhe shpresë.

 

31 dhjetor 2023, 16:32