Kërko

Migrantë Migrantë

Migrantët, Papa: nuk duhet të kthehen mbrapsht në vende ku rrezikojnë jetën

Françesku i dërgon një mesazh Forumit të dytë Global për Refugjatët, që po zhvillohet në Gjenevë: "Shpëtimi i jetëve njerëzore është përparësi. Por të gjithë duhet të kenë mundësinë për të jetuar një jetë dinjitoze në vendin e tyre". Çdo individ, thekson Ati i Shenjtë, "meriton një vend, që mund ta quajë shtëpi. Të jesh refugjat nuk do të thotë thjesht të kesh një status, por të të njihet dinjiteti i plotë njerëzor"

R.SH. – Vatikan

 “Mbrojtja dhe shpëtimi i jetëve njerëzore duhet të mbetet përparësia jonë kryesore”. Këtë thekson Papa Françesku në Mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në “Forumin e dytë Global për Refugjatët”, që po zhvillohet në Gjenevë. Mesazhi u lexua nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

"Sot jemi pushtuar nga shumëllojshmëria e lajmeve dhe e statistikave e, shpesh, harrojmë se pas këtyre numrave fshihen fytyra njerëzore, secila me historinë dhe vuajtjet e veta. Çdo numër përfaqëson një nga vëllezërit dhe motrat tona, që kanë nevojë për ndihmë", nënvizon Papa.

Sot, pothuajse 114 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë, shumë prej tyre brenda vendit, për shkak të konflikteve, dhunës dhe persekutimit, duke përfshirë ato, që kanë për bazë problemet fetare e pasojat e ndryshimeve klimatike", kujton Françesku në mesazh. "Këta faktorë janë bërë gjithnjë e më të ndërlikuar, por përgjigjet tona nuk i kanë trajtuar në mënyrën e duhur sfidat e reja dhe urgjente. Si rezultat, vazhdojmë të mbajmë zi për jetët e panumërta, të humbura në tokë dhe në det, ndërsa njerëzit kërkojnë mbrojtje, ose ikin nga një e ardhme e pashpresë”.

Papa nënvizon se "nuk duhet harruar kurrë që të gjithë duhet të jenë të lirë të zgjedhin nëse të migrojnë apo jo. Të gjithë duhet të kenë mundësinë të bëjnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre". Ati i Shenjtë vë në dukje parimin e riatdhesimit të sigurt dhe vullnetar të atyre, që detyrohen të ikin. “Askush nuk duhet të riatdhesohet në një vend, ku mund të përballet me kushte të rënda njerëzore, shkelje të të drejtave apo edhe vdekje”.

“Duhet të pranojmë se të jesh refugjat nuk do të thotë thjesht të kesh një status, por të të njihet dinjiteti i plotë njerëzor dhënë nga Zoti. Si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore, çdo individ meriton një vend, që mund ta quajë shtëpi", vëren Papa. "Kjo do të thotë të kesh ushqim, asistencë shëndetësore, arsim dhe punë të denjë. Por do të thotë edhe të kesh një vend, ku mund të kuptohesh dhe të përfshihesh, ku të duhesh e të kujdesen për ty, ku mund të marrësh pjesë dhe të kontribuosh. Refugjatët janë njerëz me të drejta dhe detyra, jo vetëm objekte ndihme”, përfundon Ati i Shenjtë, duke kërkuar të rigjallërohet fryma e Konventës për Refugjatët, nënshkruar pikërisht në Gjenevë, në vitin 1951.

14 dhjetor 2023, 11:54