Kërko

Papa i dhuron Zojës Trëndafilin e Artë Papa i dhuron Zojës Trëndafilin e Artë

Ati i Shenjtë i dhuroi Zojës Trëndafilin e Artë, në bazilikën që i kushtohet

Një trëndafil i artë për Zojën aq të dashur për romakët, por edhe për vetë Papën Françesku, i cili ndalet në lutje para fugures së “Salus Populi Romani” sa herë që niset e sa herë që kthehet nga udhëtimet e tij apostolike. Sot, Ati i Shenjtë deshi të vazhdojë traditën e dhuratës papnore në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shkoi sot pasdite në bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’i dhuruar Zojës, në festën e saj, trëndafilin e artë, traditë papnore e dhuratave për Virgjërën Shenjte. Para fugures së Zojës “Salus Populi Romani” (Shpëtimi i popullit romak) u vendos edhe një shportë me trëndafila të bardhë, ndërsa Ati i Shenjtë lutej për të 115-tën herë para saj.

Dhurata e Trëndafilit të Artë është gjest historik i Papëve, që prej 400 viteve. Trëndafili i parë u dhurua më 1551 nga Papa Juli III, tejet i devotshëm ndaj fugures së Marisë, që ruhet në Bazilikën e Zojës së Madhe. Në vitin 1613, Papa Pali V dhuroi një Trëndafil të Artë me rastin e zhvendosjes së ikonës në kapelën e re, të ngritur posaçërisht. Nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga dy Trëndafilat e Artë të dhuruar nga dy Papët mbi 400 vjet më parë. Mendohet se kanë humbur gjatë pushtimit të Shtetit Papnor nga Napoleoni. Papa Bergoglio u largua nga Bazilika duke përshëndetur njerëzit me aftësi të kufizuara, për të shkuar në Sheshin e Spanjës, në qendër të Romës, për aktin e nderimit të shtatores së Zojës së Papërlyer.

08 dhjetor 2023, 10:25