Papa emëron imzot Cuña Ramos prelat të Urdhrit Sovran të Maltës
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku ka emëruar prelat të ri Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës Monsinjor Luis Manuel Cuña Ramos, nga kleri i Dioqezës Ourense, Spanjë. Mons Cuña Ramos ka lindur më 22 janar 1966 në Ourense dhe është shuguruar meshtar më 14 qershor 1992 në Dioqezën e Ourense, në Spanjë. Në vitin 1994 mori licencën në historinë kishtare pranë Universitetit Papnor Gregoriana në Romë. Nga viti 1996 deri në vitin 2020 ka punuar në Arkivin Historik të asaj kohe të Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin e Popujve. Që nga viti 2012 është Konsulent Historik i Dikasterit të Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve. Në Dioqezën e inkardinimit a të prejardhjes deri më tani kreu këto detyra: arkivist kanunik dhe bibliotekar i Katedrales; delegat ipeshkvnor për trashëgiminë dhe të mirat kulturore; profesor i historisë antike dhe mesjetare në Institutin Teologjik "Mësuesi hyjnor"; administrator famullie.
Prelati i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës është epror kishtar i klerikëve të Smomit për ato çështje që kanë të bëjë me funksionin meshtarak. Nga data 4 korrik 2015 deri sot postin e mbajti ipeshkvi francez, mons. Jean Laffitte, i komunitetit Emmanuel.
I quajtur shkurtimisht Urdhri i Maltës, është krijuar në shekullin XI, dhe është një organizatë katolike sovrane, selia e së cilës në Romë gëzon një status ekstraterritorialiteti. Kjo e bën Urdhrin e Maltës të vetmen strukturë qeveritare në botë me vokacion humanitar, të pranuar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare publike, njësoj si një shtet. Pra, Urdhri ushtarak i Kalorësve të Maltës, themeluar në shekullin e XI, vijon të jetë aktiv ende sot dhe tashmë ka natyrën e një organizate të madhe humanitare ndërkombëtare.