Papa Françesku: angazhimi për të drejtat e njeriut nuk përfundon kurrë!
R. SH. - Vatikan
“Rrugë kryesore, në të cilën janë bërë shumë hapa përpara, por ende shumë mungojnë e, ndonjëherë, për fat të keq, vërehet edhe kthimi mbrapa”. Kështu e kujtoi Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit, 75 vjetorin e nënshkrimit, më 10 dhjetor 1948, të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. E sot kremtohet pikërisht Dita botërore kushtuar kësaj ngjarjeje. “Angazhimi për të drejtat e njeriut nuk mbaron kurrë!”- përsëriti Papa, i cili kujtoi më pas se është “pranë të gjithë atyre që, pa proklamata, në përditshmërinë konkrete, luftojnë dhe paguajnë personalisht për të mbrojtur të drejtat e njeriut të atyre që nuk përfillen".
Tekst bazë i së drejtës ndërkombëtare humanitare
“Të gjitha njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta”, lexojmë në nenin e parë të Deklaratës, nënshkruar në Paris nga 48 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara të sapokrijuara. Pjesë përbërëse e Statutit të OKB-së, teksti - me 30 nene që mbrojnë përmasa të ndryshme të personit, nga barazia para ligjit - tek ndalimi i skllavërisë dhe torturës e tek e drejta për punë, familje dhe arsimim - pavarësisht se nuk është zyrtarisht një traktat ndërkombëtar dhe ligjërisht i detyrueshëm në vetvete, mbetet bazë e së drejtës ndërkombëtare humanitare, që frymëzoi një kornizë për më shumë se 70 traktate humanitare, ende në fuqi.
Guterres: të mbrohen të drejtat e njeriut, gjithmonë dhe kudo
75 vjet pas nënshkrimit - shkroi Sekretari i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres - deklarata është edhe "udhërrëfyes, që ndihmon në përfundimin e luftërave, shërimin e ndarjeve dhe krijimin e një jete me paqe e dinjitet për të gjithë". Megjithatë - përsërit sekretari i OKB-së - bota po e humbet këtë rrugë. “Varfëria dhe uria po shtohen. Pabarazitë po thellohen, autoritarizmi është në rritje”. Sot është më e rëndësishme se kurrë të mbrohen dhe të respektohen të gjitha të drejtat e njeriut - shoqërore, kulturore, ekonomike, civile dhe politike - që na mbrojnë të gjithëve”, nënvizon ai, duke vlerësuar gjithashtu rëndësinë e arritjes së barazisë gjinore dhe duke kujtuar se kriza klimatike “është krizë e të drejtave të njeriut, që prek kryesisht më të pambrojturit”. Prej këndej, ftesa që u drejtohet "njerëzve në mbarë botën për të mbrojtur dhe për të respektuar të drejtat e njeriut, çdo ditë, për të gjithë e kudo".