Papa Françesku: “teknologjitë e reja nuk duhet të promovojnë çmendurinë e luftës”
R.SH. – Vatikan
“Bota nuk ka vërtet nevojë që teknologjitë e reja të kontribuojnë në zhvillimin e padrejtë të tregut dhe të tregtisë së armëve, duke nxitur çmendurinë e luftës. Duke bërë kështu, jo vetëm inteligjenca, por edhe vetë zemra e njeriut, ka rrezik të bëhet gjithnjë e më artificiale”. Këtë shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, e cila kremtohet më 1 janar 2024, me temë: “Inteligjenca artificiale dhe paqja”.
Inteligjenca artificiale na bën ta shohim luftën nga larg, pa na prekur
“Zbatimet teknike më të avancuara nuk duhet të përdoren për të lehtësuar zgjidhjen me dhunë të konflikteve, por për të hapur rrugët drejt paqes”, nënvizon Ati i Shenjtë. Më pas, paralajmërimi për “çështjet serioze etike të lidhura me sektorin e armatimeve”: “Mundësia për të kryer operacione ushtarake me sisteme të telekomanduara ka çuar në një perceptim më të vogël të shkatërrimit, që shkaktojnë dhe të përgjegjësisë për përdorimin e tyre, duke kontribuar në një trajtim edhe më të ftohtë të tragjedisë së madhe të luftës”, e cila shihet nga larg e duket më pak e dhunshme.
Traktat ndërkombëtar i detyrueshëm për AI
“Nuk mund të mos e marrim parasysh edhe mundësinë që armët e sofistikuara të përfundojnë në duar të gabuara, duke favorizuar, për shembull, sulme terroriste, ose ndërhyrje, që synojnë destabilizimin e institucioneve legjitime të qeverisjes”, ngre zërin Françesku, i cili nxit të “miratohet një traktat ndërkombëtar i detyrueshëm, që rregullon zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në format e saj të shumta”. Gjithashtu, Papa denoncon “paradigmën teknokratike” dhe diktaturën e algoritmeve, duke kërkuar që njerëzimi të mos bjerë pre e tyre.
Shndërrime të thella në shoqërinë globale
"Përparimet në informatikë dhe zhvillimi i teknologjive dixhitale gjatë dekadave të fundit kanë filluar tashmë të sjellin shndërrime të thella në shoqërinë globale dhe në dinamikën e saj", vë në dukje Françesku, sipas të cilit "mjetet e reja dixhitale po ia ndryshojnë fytyrën komunikimit, administratës publike, arsimit, konsumit, marrëdhënieve personale dhe aspekteve të tjera të panumërta të jetës së përditshme". Për më tepër, “teknologjitë, që përdorin algoritme të shumëllojshme mund të nxjerrin, nga gjurmët dixhitale të mbetura në internet, të dhëna që lejojnë kontrollin e rutinës mendore dhe bashkëvepruese të njerëzve, për qëllime tregtare, ose politike, shpesh pa dijeninë e tyre, duke ua kufizuar ushtrimin e ndërgjegjshëm të lirisë së zgjedhjes".
Pa dijeninë e përdoruesve
“Në një hapësirë si interneti, karakterizuar nga mbingarkesa e informacionit, mund të strukturohet fluksi i të dhënave sipas kritereve, që jo gjithnjë perceptohen nga përdoruesi”, jep alarmin Ati i Shenjtë, sipas të cilit “inteligjenca artificiale duhet kuptuar si një galaktikë realitetesh të ndryshme, prandaj, nuk mund të supozojmë se zhvillimi i saj do të japë pa tjetër një kontribut të dobishëm për të ardhmen e njerëzimit dhe për paqen ndërmjet popujve”. Që këtej, nevoja për të "vepruar me përgjegjësi dhe për të respektuar vlerat themelore njerëzore si gjithëpërfshirja, transparenca, siguria, drejtësia, privatësia dhe besueshmëria".
Organizma përgjegjëse për shqyrtimin e çështjeve të reja etike
“Zhvillimet teknologjike, që nuk çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së mbarë njerëzimit, por përkundrazi, i ashpërsojnë pabarazitë dhe konfliktet, nuk mund të konsiderohen kurrë përparim i vërtetë”, vijon Papa. Nuk mjafton as impenjimi i atyre, që hartojnë algoritme dhe punojnë me teknologjinë dixhitale, për të vepruar në mënyrë etike dhe të përgjegjshme, nënvizon Françesku, i cili kërkon “të forcohen ose, nëse është e nevojshme, të krijohen organizma përgjegjëse për shqyrtimin e çështjeve të reja etike dhe për mbrojtjen e të drejtave të atyre, që përdorin forma të inteligjencës artificiale, ose ndikohen prej saj".
Pasojat e përdorimit të padrejtë të Inteligjencës Artificiale
Disa pajisje të inteligjencës artificiale mund të "na e marrin mendjen", domethënë "të krijojnë pohime, që, në shikim të parë, duken të besueshme, por që në realitet janë të pabaza, ose bazohen mbi paragjykime", denoncon më tej Ati i Shenjtë. "Kjo ngre çështje serioze kur inteligjenca artificiale përdoret në fushata dezinformuese, që përhapin lajme të rreme dhe çojnë në mosbesimin në rritje ndaj mediave”, argumenton Françesku. Ndër pasojat e përdorimit jo të drejtë të Inteligjencës Artificiale, "diskriminimi, ndërhyrja në proceset zgjedhore, vendosja e një shoqërie që i mbikqyr dhe i kontrollon njerëzit, përjashtimi dixhital dhe shtimi i individualizmit gjithnjë e më i shkëputur nga kolektiviteti".
Të gjithë, faktorë që "ka rrezik të nxisin konflikte dhe të pengojnë paqen", vëren Françesku, për të cilin aftësia e disa pajisjeve për të prodhuar tekste koherente nga pikëpamja sintaktike e semantike "nuk është garanci për besueshmërinë e tyre", ashtu siç "nuk është garanci e paanshmërisë, sasia e madhe e të dhënave të analizuara nga inteligjenca artificiale": "Kur algoritmet analizojnë informacionin, ka gjithnjë rrezik ta shtrembërojnë atë".
Inteligjenca artificiale të mos i rrisë pabarazitë dhe padrejtësitë
“Respekti themelor për dinjitetin njerëzor kërkon ta refuzojmë identifikimin e njeriut vetëm me një sërë të dhënash”, përfundon Papa, i cili jep alarmin për pasojat e mundshme të përdorimit të inteligjencës artificiale në botën e punës: “detyrat që dikur ishin prerogativë ekskluzive e punës së njeriut absorbohen me shpejtësi nga zbatimet e inteligjencës artificiale në industri". Që këtej, lutja e Papës për Vitin e Ri: “Zhvillimi i shpejtë i formave të inteligjencës artificiale të mos i rrisë pabarazitë dhe padrejtësitë e shumta të pranishme në botë, por të kontribuojë për t’u dhënë fund luftërave dhe konflikteve dhe për të lehtësuar format e shumta të vuajtjeve, që prekin familjen njerëzore”.