Papa Françesku feston sot 87-vjetorin e lindjes, urime nga e gjithë bota
R.SH. - Vatikan
Më 17 dhjetor, Papa Françesku mbush 87 vjeç. Në Vatikan arrijnë urime nga mbarë bota, edhe nga bota shqiptare. Personalitete të të gjitha fushave e njerëz të thjeshtë i drejtojnë Papës urime zyrtare e personale, të shkruara e të pashkruara, që shpesh kanë formën e lutjes.
Sot Ditëlindje me ritmin e zakonshëm të punës për Papën Françesku që kremton 87 vjetorin e lindjes. Ati i Shenjtë Jorge Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, sot do të presë fëmijët e varfër që marrin ndihmë nga Dispanseria Pediatrike e Shën Martës, në Vatikan. Në takim fëmijët me familjet e tyre, si dhe vullnetarët, që vijnë këtu çdo ditë për t’u shërbyer nevojtarëve të vegjël, pa dallim etnie a besojme fetare. Më pas, si çdo të diel, Papa do të udhëheqë lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 12.00 në prani të shumë besimtarëve.
Mesazhe të shumta urimi po mbërrijnë në Vatikan nga e gjithë bota.
Kanë kaluar 87 vjet nga ai 17 dhjetor i vitit 1936, kur në Buenos Ajres të Argjentinës, u lind Jorge Mario Bergoglio. Bir emigrantësh piemontezë, kur ishte fëmijë thoshte se kur të rritej, do të bëhej kasap. Ishte i apasionuar pas këngës dhe e kishte zakon të dëgjonte çdo javë në radio një emision me muzikë lirike, së bashku me të ëmën dhe me vëllezërit. I ati i mësoi rëndësinë e punës. Vërtet, Papa i ardhshëm bëri punë të ndryshme dhe u diplomua si teknik kimik.
Thirrja e Zotit
Por horizonti më i rëndësishëm i jetës së tij është, pa dyshim, feja në Zotin, ushqyer nga gjyshja, Rosa Margherita Vassallo. Në vitin 1958, Jorge Mario Bergoglio hyri në noviciatin e etërve jezuitë. Në atë periudhë, qe e rëndësishme për fenë e tij një infermiere, murgesha Cornelia Caraglio, e cila i shpëtoi jetën, duke e bindur mjekun t’i jepte dozën e duhur me antibiotikë, për të kuruar bronkopolmonitin. Këtë “grua të mirë, të guximshme, aq sa të diskutonte edhe me mjekët”, 3 marsin e kaluar, Papa Françesku e falenderoi publikisht, gjatë takimit me një delegacion infermierësh.
Meshtaria
Në vitin 1969, Bergoglio u shugurua meshtar. Atë ditë, gjyshja i dha një letër, që e kishte shkruar për gjithë nipat e vet. I riu Jorge Mario e ruajti në librin e lutjeve. Në të shkruhet: “Paçi një jetë të gjatë të lumtur. Por, nëse ndonjë ditë, dhimbja, sëmundja, ose humbja e njerëzve të dashur do t’ju shkurajojnë, kujtohuni se një psherëtimë para Tabernakullit, ku është martiri më i madh e më mbretëror e, një vështrim drejt Marisë, që rri në këmbët e kryqit, mund të pikojë një sumbull balsami edhe mbi plagët më të thella e më të dhimbshme”.
Kryeipeshkëv i Buenos Ajres
Në vitin 1973, atë Bergoglio u emërua epror provincial i jezuitëve të Argjentinës. Më 1992, e gjejmë kryeipeshkëv të Buenos Ajresit, primat të Argjentinës. Në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal. “Sot paradite – pohoi shenjti i ardhshëm Vojtila, në atë rast – Roma ‘katolike’ shtrëngohet rreth kardinajve të rinj, në një përqafim të ngrohtë, me vetëdijen se po shkruhet një faqe tjetër e rëndësishme e historisë së saj dymijëvjeçare”. Ishte preludi i një faqeje tjetër historike: asaj, që në vitin 2003, e shkroi vetë Papa - i pari, ardhur nga Amerika; i pari, jezuit.
Zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit
Pas dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, kardinali i atëhershëm erdhi në Romë për Konklavin. Por fati nuk i kishte lënë vetëm diskutimet për mënyrën e mbarështimit të Kishës nga një papë i ardhshëm. Më 13 mars 2013, ai vetë u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, si “Papë i ardhur nga fundi i botës”.
“Koha është superiore në krahasim me hapësirën”: ky pohim i Papës Françesku, në Nxitjen e tij të parë apostolike “Evangelii gaudium”, flet qartë për vitet e para të papnisë së tij. Për Jorge Mario Bergoglio-n - Papa i parë jezuit, i pari nga Amerika Latine, i pari që mori emrin e shën Françeskut dhe, i pari i kohëve moderne, që u zgjodh pas dorëheqjes së paraardhësit të tij – “hapësira kristalizon proceset, ndërsa koha projekton drejt së ardhmes dhe na shtyn të ecim me shpresë”. Ja pse ky konceptim i kohës bëhet çelës për të kuptuar papninë aktuale, që realizohet në dy mënyra: njëra progresive dhe tjetra rrethore. E para është ajo, që bën të mundur “fillimin e proceseve”; ndërsa e dyta, është përmasa e takimit dhe e vëllazërimit.
Në këto kohëra ku mbarë njerëzimi vuan dramën e dhunës, ne mblidhemi rreth Teje, Ati i Shenjtë, duke të kërkuar prej Zotit paqen në botë. Ky është mesazhi i urimit tonë për Papën Françesku me rastin e 87-vjetorit të lindjes. Ne besojmë se kjo mund të jetë dhurata më e mirë nga besimtarë e mbarë botës. Të jemi artizanë të paqes së bashku me Ju për të përballuar kulturën e luftës, urrejtjes, injorancës dhe paragjykimit.