Kërko

Kardinali Parolin lexon fjalimin e Papës Françesku në COP 28 Kardinali Parolin lexon fjalimin e Papës Françesku në COP 28 

Papa: klima është çmendur, me paratë e armëve të krijohet një Fond kundër varfërisë

Kardinali Parolin mban fjalimin e Françeskut në COP28, në Dubai: Papa u kërkon liderëve botërorë t’u japin fund "ndarjeve" dhe "tifozerive”, të vazhdojnë me një aksion të përbashkët përpjekjen kundër shkatërrimit të Krijimit, "fyerje ndaj Zotit" dhe t’i frenojnë "andrrat me gjithpushtet” e “lakmi e pakufishme”: “Ora është urgjente. Historia do të jetë mirënjohëse". Më pas hedh poshtë tabunë e lindjeve dhe të varfërve, parë si përgjegjës për krizën e vazhdueshme dhe uron: "2024 qoftë vit kthese”.

R. SH. - Vatikan

Sy të hapur drejt së ardhmes së tokës dhe popullsisë së saj, të cilët e shohin ekzistencën e tyre të kërcënuar; veshë të tendosur për të dëgjuar "klithmën" e të varfërve, viktima që nuk janë përgjegjës për krizën e vazhdueshme klimatike; duar dhe krahë të zënë në luftë kundër asaj "lakmie të pakufishme, që e ka bërë ambientin objekt shfrytëzimi të shfrenuar"; mendje e lirë nga "tifozët" përfshirë katastrofistët dhe mohuesit dhe e përqendruar në zhvillimin e projekteve dhe nismave që i shërbejnë "kulturës së jetës". Si ai i një Fondi Global për të zhdukur urinë, i krijuar me paratë që sot përdoren për armë dhe shpenzime ushtarake. Papa Françesku nuk është fizikisht i pranishëm në Cop28, por mesazhi i tij – i padisë dhe i shpresës - ushton rishtas në Expo City, ku mbi 190 krerë shtetesh dhe qeverish janë mbledhur në ditën e tretë të punës.

Koha nxiton

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, që drejton delegacionin e Selisë së Shenjtë në Konferencën e OKB-së, lexoi fjalët që Françesku - i pamundur për të udhëtuar për shkak të bronkitit akut që e goditi javën e kaluar - do të kishte dashur t'i shqiptonte në asamblenë ndërkombëtare. Takim që ai shpreson se do të jetë "pikë kthese". Sepse “koha është urgjente”, thotë Papa.

Klima e çmendur tingëllon si një paralajmërim për të ndaluar këtë deliri të plotfuqishmërisë

Shkatërrimi i Krijimit, fyerje ndaj Zotit

Françesku është në vijë të parë në këtë sfidë, së bashku me liderët e kombeve: “Unë jam me ju sepse, tani më shumë se kurrë, e ardhmja e të gjithëve varet nga e tashmja që zgjedhim. Unë jam me ju, sepse shkatërrimi i krijimit është fyerje ndaj Zotit,  mëkat jo vetëm personal, por strukturor që prek qeniet njerëzore, veçanërisht më të dobëtit, është rrezik i madh që shtrihet mbi të gjithë dhe rrezikon të shkaktojë konflikt ndërmjet brezave".

Multilateralizmi

 Ka vetëm një rrugëdalje: "Rruga përpara, multilateralizmi". Multilateralizmi po ftohet, ndërsa planeti po nxehet. “Është themelore të rikrijohet besimi, themeli i multilateralizmit”, shpreson Papa, duke cituar Gjon Palin II në fjalimin e tij në OKB në vitin 1995. Kjo vlen për kujdesin ndaj krijimit, por edhe për paqen.

“Sa energji po shpenzon njerëzimi në luftëra të shumta e të vazhdueshme, si në Izrael dhe në Palestinë, në Ukrainë dhe në shumë rajone të botës: konflikte që nuk do t'i zgjidhin problemet, por do t'i shtojnë!”, është vëzhgimi i hidhur i Papës:

“Sa burime të shpërdoruara për armatime, që shkatërrojnë jetë e rrënojnë shtëpinë e përbashkët!”.

Një fond për të çrrënjosur urinë

Pastaj Papa kujton një Papë tjetër, paraardhësin e tij, Palin VI, për të rinisur propozimin e Populorum Progressio: "Me paratë që përdoren për armët dhe shpenzimet e tjera ushtarake ne krijojmë një fond global për të eliminuar përfundimisht urinë".

Për të ecur përpara, nevojitet "ndryshimi politik" - shton Françesku - “Të dalim nga kufizimet e partikularizmave dhe nacionalizmave, janë modele të së shkuarës”, është ftesa e tij, “të përqafojmë një vizion alternativ, të përbashkët”, sepse “nuk ka ndryshime të qëndrueshme, pa ndryshime kulturore”.

Të punohet për jetën, jo për vdekjen

Tani për tani ndryshimi i vetëm që po kujtojmë, është ndryshimi i klimës - thekson Papa - "problem social global, i cili është i lidhur ngushtë me dinjitetin e jetës njerëzore". “A po punojmë për një kulturë jete apo vdekjeje?” pyet Ipeshkvi i Romës:

Të zgjedhim jetën, të zgjedhim të ardhmen! Të dëgjojmë rënkimin e tokës,  të dëgjojmë britmat e të varfërve, të dëgjojmë shpresat e të rinjve dhe ëndrrat e fëmijëve! Kemi përgjegjësi të madhe: të garantojmë që e ardhmja e tyre të mos mohohet.

Shfrytëzim e lakmia, kllapitë e plotfuqishmërisë

Papa hyn në zemër të emergjencës së vazhdueshme klimatike, ndaj flet për "mbinxehjen e planetit", të shkaktuar nga gazrat serë në atmosferë, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, i cili në dekadat e fundit është bërë "i paqëndrueshëm për ekosistemin". Papa stigmatizon "ambicien për të prodhuar dhe zotëruar", e cila është kthyer në "obsesion", "lakminë e pakufishme", "shfrytëzimin e shfrenuar", "delirin e plotfuqishmërisë". Ndërsa nxit për t’i kapërcyer ndarjet, pengesa e parë në këtë rrugë:

Një botë tërësisht e lidhur, si kjo e sotmja, nuk mund të shkëputet nga ata që e qeverisin, me negociatat ndërkombëtare, që nuk mund të avancojnë ndjeshëm për shkak të pozicioneve të vendeve që i vënë interesat e tyre kombëtare mbi të mirën e përbashkët globale.

“Jemi dëshmitarë – nënvizon Papa – të qëndrimeve të ngurta, nëse jo fleksibël, të cilat tentojnë të mbrojnë të ardhurat e tyre dhe të kompanive të tyre, ndonjëherë duke u justifikuar në bazë të asaj që të tjerët kanë bërë në të kaluarën, me rikthime periodike të përgjegjësisë”.

Mos ua hidhni fajin njerëzve të varfër dhe lindjeve

 Në këtë kuptim, Jorge Mario Bergoglio kujton se preket thellë nga përpjekjet për ta "shkarkuar përgjegjësinë mbi njerëzit e shumtë të varfër dhe numrin e lindjeve". "Ato janë tabu, të cilave duhet t’ua nxjerrësh bojën," pohon qartë.

Nuk është faji i të varfërve, sepse pothuajse gjysma e botës, më e varfëra, është përgjegjëse për vetëm 10% të emetimeve ndotëse, ndërkohë që hendeku ndërmjet disa të pasurve dhe atyre shumë të pafavorizuarve nuk ka qenë kurrë kaq i thellë.

Prandaj, "popullatat indigjene" janë "viktima" dhe përreth ka shpyllëzim, uri, pasiguri uji dhe ushqimi, flukse migratore të nxitura. “Lindjet nuk janë problem, por burim: ato nuk janë kundër jetës, por për jetën, ndërsa disa modele ideologjike dhe utilitare që u imponohen me doreza kadife familjeve dhe popullsive përfaqësojnë kolonizime të vërteta”, thekson Papa Françesku

Falni borxhet që rëndojnë popullin

Më pas ai kërkon që "zhvillimi i shumë vendeve, tashmë të ngarkuara me borxhe të rënda ekonomike, të mos penalizohet" por “përkundrazi, të merret parasysh ndikimi i disa kombeve, përgjegjës për një borxh shqetësues ekologjik ndaj shumë të tjerëve”:

Do të ishte e drejtë të identifikoheshin mënyra të përshtatshme për shlyerjen e borxheve financiare që rëndojnë mbi popujt e ndryshëm edhe në dritën e borxhit ekologjik ndaj tyre.

Të rinisë udhëtimi

Prandaj, urohet që "ndryshimi i ritmit" i shumëpredikuar, të mos jetë modifikim i pjesshëm i rrugës, por mënyrë e re për të ecur së bashku. Nëse Marrëveshja e Parisit shënoi "një fillim të ri", tani duhet të "rinisim rrugën". Ky COP është pikë kthese: tregon një vullnet të qartë dhe të prekshëm politik, i cili çon në një përshpejtim vendimtar të tranzicionit ekologjik.

Duhet shkuar përpara, jo përprapa

Papa e shoqëron shpresën me propozime praktike për realizimin e saj: efiçenca e energjisë; burimet e rinovueshme; eliminimi i lëndëve djegëse fosile; edukimi me stile jetese më pak të varura nga këto të fundit. “Ju lutem: të ecim përpara, të mos kthehemi pas”, komenton ai. “Dihet – shton  – se marrëveshjet dhe zotimet e ndryshme të ndërmarra kanë pasur nivel të ulët zbatimi, sepse nuk janë vendosur mekanizma të përshtatshme kontrolli, verifikimi periodik dhe sanksionues për mosrespektim”. Por  vitet e fundit janë bërë shumë ndryshime dhe "këtu bëhet fjalë për të mos shtyrë më, për të zbatuar, jo vetëm për të shpresuar për të mirën e bijve tuaj, të qytetarëve tuaj, të vendeve tuaja, të botës sonë":

Jeni ju arkitektët e një politike që jep përgjigje konkrete dhe kohezive, duke demonstruar fisnikërinë e rolit që mbuloni e dinjitetin e shërbimit që kryeni.

Pushtet për të shërbyer

Për këtë duhet fuqia: "Të shërbesh". “Dhe nuk vlen fare sot një autoritet që do të mbahet mend nesër për paaftësinë e tij në ndërhyrjet, kur ishte urgjente dhe e nevojshme”, paralajmëron Papa Françesku.

“Historia - siguron - do t'ju jetë mirënjohëse. E edhe shoqëritë në të cilat jetoni e brenda të cilave ka ndarje katastrofike në 'tifozë': ndërmjet katastrofistëve dhe indiferentëve, ambientalistëve radikalë dhe mohuesve të klimës... Është e kotë - vëren - të  hysh në grupe të ndryshme; në këtë rast, si në kauzën e paqes, ky nuk është ilaçi. Ilaç është vetëm "politika e mirë".

Dil nga nata e luftërave dhe e rrënimeve

Duke cituar Shën Varfanjakun, që i frymëzoi emrin dhe misionin, Shën Françeskun e Asizit, autor i Këngës së Krijesave, Papa e mbyll mesazhin e tij me shpresënqë "2024  të  ketë shenja kthese".

T’i lëmë pas shpine përçarjet dhe të bashkojmë forcat! E, me ndihmën e Zotit, të dalim nga nata e luftërave dhe shkatërrimeve ambientale për ta shndërruar të ardhmen e përbashkët në agim drite.

02 dhjetor 2023, 13:22