Kërko

Papa me artistët e Koncertit të Krishtlindjes Papa me artistët e Koncertit të Krishtlindjes  (Vatican Media)

Papa: Krishtlindja nuk duhet të jetë viktimë e modelit komercial dhe konsumistik

Françesku, duke pritur artistët e Koncertit të Krishtlindjes, theksoi nevojën për ta mbrojtur mesazhin e Lindjes së Jezusit dhe për ta kënduar, duke refuzuar homologimin dhe uniformitetin. Kujtoi, më pas, ata që i jetojnë "këto ditë me dhimbje dhe frikë për shkak të luftës. Luftërave të shumta. Për fat të keq, edhe në Tokën e Jezusit".

R. SH. - Vatikan

Mesazhi i Lindjes së Jezusit “është sa i lashtë, aq edhe i ri”. Është unik por, sipas traditës, mund të transmetohet me origjinalitetin dhe “vulën” e vet, me “stile të ndryshme, duke filluar nga kulturat dhe gjuhët e ndryshme”, por pa iu nënshtruar konsumizmit. Françesku pret artistët e koncertit të Krishtlindjes dhe u kërkon të reagojnë kundër sistemit, gjithmonë me mendime të drejtuara nga Toka e Jezusit dhe në të gjitha vendet e tjera, ku jetohet dhimbja e luftës:

“Sepse Ungjilli i Krishtlindjes është një i vetëm, por nuk mund të këndohet njëlloj. Ndërsa tendenca e modelit teknokratik është e kundërta, është homologimi, standardizimi. Por arti është ndryshe dhe këngët e Krishtlindjes duhet të këndohen me atë art, që gurron nga zemra. Ne, për fat të keq, e dimë se edhe Krishtlindjet janë viktimë e këtij modeli komercial dhe konsumistik. Por të paktën këngët e Krishtlindjes e ruajnë poezinë dhe spontanitetin, që u jep aq shumë jetë. Na ndihmoni ta mbrojmë nga ky shpërdorim”.

Shembulli i "Ti zbret nga yjet"

Fjalët e Papës u drejtohen atyre që pasdite do të shfaqin Koncertin XXXI, sponsorizuar nga Fondacioni Papnor Gravissimum Educationis - Kultura për Edukimin, i cili ftoi artistë të mëdhenj edhe në skenën e Auditoriumit Conciliazione në Romë, për koncertin që do të transmetohet në Canale 5 natën e Krishtlindjes. Françesku flet për "këngët popullore" si "pjesë përbërëse të kulturave" dhe citon këngën "Tu scendi dalle stelle"(Ti zbret nga yjet)"që, në thjeshtësinë e saj, është kryevepër e teologjisë dhe e harmonisë", dhe "njihet jo vetëm në Itali, por në mbarë botën” si vepër e kompozuar "nga Ipeshkvi  shenjt Alfonso Maria de' Liguori, këngëtari i madh i Krishtlindjes"

“Që në kohët më të lashta, njeriu i trashëgoi historinë dhe lutjet në formë të kënduar. E kjo ndodh edhe sot, veçanërisht në disa popullsi vendase. Por këtë fenomen e gjejmë edhe në shoqëritë moderne: mendoni se sa adoleshentë i dinë përmendsh këngët e këngëtarëve të tyre të preferuar, sepse ato fjalë të kombinuara me muzikën u ngjallin një mori emocionesh dhe domethëniesh”.

Një mendim për ata, që jetojnë luftën

Papa nuk mund të mos kujtonte edhe, e sidomos, njerëzit që vuajnë nga dhuna e konflikteve në të katër anët e botës:

“Të dashur miq, e di se sot do të këndoni duke menduar edhe për ata që i jetojnë këto ditë me dhimbje e me frikë nga lufta. Shumë luftëra! Fatkeqësisht edhe në Tokën e Krishtit. Edhe për këtë ju falënderoj dhe ju bekoj”.

16 dhjetor 2023, 12:50