Papa: kujtimi i fëmijëve të vdekur në luftë prektë zemrën e atyre që mund ta ndalin dhunën!
R. SH. - Vatikan
Mijëra fëmijë po vdesin në luftërat që po luftohen në botë! E tani, "si drita të vogla na shikojnë nga parajsa": Papa Françesku i kujtoi ata, gjatë takimit të sotëm me fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik, në një audiencë, mbajtur paradite në Pallatin Apostolik të Vatikanit. “Faleminderit për këtë vizitë”, u tha Papa, duke i falënderuar të rinjtë që “kënduan me aq gëzim”.
Në fjalimin me shkrim, që ua dorëzoi fëmijëve, Papa kujtoi se "shumë popuj, shumë fëmijë vuajnë për shkak të luftës! Duke ardhur këtu - vazhdoi - dëshironi të kujtoni, me simbolin e yjeve, bashkëmoshatarët tuaj që vdiqën në këto muaj për shkak të luftimeve dhe që na shikojnë si drita të vogla nga qielli:
“A e dini sa fëmijë vdiqën në Gazë, në këtë luftë të fundit? Më shumë se tre mijë. E pabesueshme, por realitet. Edhe në Ukrainë ka më shumë se pesëqind, e në Jemen, në vitet e luftës, ka mijëra. Kujtimi i tyre na fton edhe ne të jemi drita për botën, të prekim zemrat e shumë njerëzve, veçanërisht të atyre që mund ta ndalojnë vorbullën e dhunës" - theksoi Papa.
Jezusi është pranë secilit prej nesh
Por “Krishtlindja na kujton se Zoti na do dhe dëshiron të jetë me ne”, “na tregon dashurinë e tij dhe na fton të duam” - nënvizoi Françesku, duke shtuar: “prandaj lindi Jezusi, u bë i vogël, jetoi në një familje me Marinë dhe Jozefin dhe vazhdon të jetë i pranishëm pranë nesh e në secilin prej nesh":
“Kjo është dhuratë e mrekullueshme. E sjell me vete edhe një tjetër: që edhe ne ta duam njëri-tjetrin si vëllezër. Sa shumë kemi nevojë për këtë sot! Shumë popuj, shumë fëmijë vuajnë nga lufta!”.
Së fundi, Papa nxiti për ta dashur, përveç Zotit dhe të tjerëve, edhe krijimin. Zoti “na fton ta njohim dhe ta respektojmë bukurinë që na rrethon, në natyrë dhe në njerëz, dhe kështu të rritemi me bujari e vëllazëri”, përfundon Françesku, i cili na nxit të ecim “me përkushtim në këtë shteg”.