Kërko

Françesku: lufta është e keqe, të mos harrojmë Palestinën, Izraelin dhe Ukrainën

Në fund të audiencës së përgjithshme, Françesku dënon përsëri konfliktet e botës të cilat, rithekson, janë gjithnjë "humbje". Më pas na nxit të mendojmë për fëmijët në luftë dhe të lutemi para skenës së lindjes së Krishtit: “Ta kërkojmë paqen nga Jezusi”. Një inkurajim për OJQ-në mesdhetare Saving Humans: "Bëjnë punë të mirë, shpëtojnë shumë njerëz." E edhe një mendim për viktimat e tërmetit në Kinë dhe shpërthimit në Guine

R. SH. - Vatikan

Ndjehet dhimbja për Tokën Shenjte dhe për Ukrainën e "martirizuar", shqetësimi për fëmijët në luftë, afërsia me familjet e viktimave të tërmetit në veri-lindje të Kinës dhe të shpërthimit në Conakry në Guine, inkurajimi për OJQ-në mesdhetare Saving Humans, e cila bën "një punë të mirë" duke shpëtuar shumë jetë në det. E gjithë këjo ndjehet në përshëndetjet e Papës në gjuhë të ndryshme, pas katekizmit të audiencës së përgjithshme.

I ndërprerë nga duartrokitjet e besimtarëve dhe grupeve të pranishme në Sallën Pali VI, me frymëmarrje të ngadaltë, por me ton solemn, Françesku e dënon përsëri luftën - çdo luftë - që plagos botën dhe rëndon kremtimin e afërt të Krishtlindjes:

“Të mos harrojmë njerëzit dhe popujt që vuajnë të keqen e luftës. Luftërat janë gjithmonë disfatë, të mos e harrojmë këtë. Disfatë…”.

Një mendim për popujt në luftë

Papa, si në shumë raste të tjera, kujton edhe në këtë audiencë të fundit para Krishtlindjes se të vetmit njerëz që përfitojnë nga konfliktet janë prodhuesit e armëve. Më pas i kujton me emër tre vendet në të cilat në këto orë, ashtu si për muaj të tërë, si në rastin e Tokës së Shenjtë e për vite me radhë në Ukrainë, lufta po shkatërron çdo shpresë për të ardhmen:

“Ju lutem, të mendojmë për Palestinën, për Izraelin. Të mendojmë për Ukrainën, ambasadori i saj është i pranishëm këtu (Andrii Yurash, red.). Ukrainën e martirizuar, që vijon të vuajë kaq shumë…”.

Të lutemi për paqen para Betlehemit

Nuk mungoi as një mendim për “fëmijët në luftë”, pasuar nga ftesa për të shkuar para Shpellës së Betlhemit: “T’i kërkojmë Jezusit paqen, Ai është Princi i paqes”. “Në këto ditë do ta shohim Zotin të shtrirë në një grazhd: është mesazhi më i fortë i Paqes për jetën e secilit prej nesh dhe për botën sot”, tha Papa në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve portugezë.

Inkurajim për punën e Mediterranea Saving Humans

Në përshëndetjet italisht, Papa iu drejtua grupit Mediterranea Saving Humans, krijuar për të dëshmuar dhe për të denoncuar atë që po ndodh në Mesdhe dhe aktive në Mare Nostrum për shpëtimin e emigrantëve në det. Grupi shoqërohet nga kapelani Don Mattia Ferrari. Mediterranea - kujtoi Papa - shkon në det për të shpëtuar njerëzit e varfër që ikin nga skllavëria në Afrikë. Bëjnë punë të mirë, shpëtojnë shumë njerëz, shumë njerëz”.

Pranë familjeve të viktimave të tërmetit në Kinë dhe shpërthimit në Guine

Vështrimi i Papës zgjerohet më pas drejt Kinës, ku të hënën e kaluar, më 18 dhjetor, një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 6.2 lëkundi provincat kineze të Gansu dhe Quinghai, në veri-lindje të vendit. Pasojat: rritja e numrit të të vdekurve, tashmë pothuajse 200 viktima dhe rreth 500 të plagosur. Françesku shpreh "afërsinë, dashurinë dhe lutjen" me popullsinë e vuajtur:

“Inkurajoj shërbimet e shpëtimit dhe kërkoj bekimin e të Gjithëpushtetshmit, duke iu lutur të sjellë ngushëllim dhe lehtësim në dhimbje”.  

Me të njëjtin shqetësim, Ipeshkvi i Romës u shpreh afërsinë familjeve të viktimave dhe të plagosurve në shpërthimin që ndodhi në Conakry, kryeqyteti i Guinesë, ku tetë vetë humbën jetën dhe 84 u plagosën në orët e para të së hënës, për shkak të shpërthimit të terminalit kryesor të naftës në Afrikën Perëndimore: “Shpreh afërsinë time me familjet e të vdekurve dhe të plagosurve. Zoti i përkrahtë dhe u dhëntë shpresë” - u lut Papa.

Bekimi i nismës së Karitasit në Poloni

Në përfundim, duke përshëndetur polakët, Françesku kujtoi nismën e Caritas-it që po zhvillohet në vend me titull “Ndihmë për fëmijët në prag të Krishtlindjes”. Një projekt bamirësie që ndez qirinjtë e Caritas-it në tryezat e familjeve më të varfra: “Është shprehje solidariteti për fëmijët  nevojtarë në Poloni dhe në vendet e prekura nga varfëria” - kujton Papa Françesku, për të shtuar më pas:

 “Ju bekoj nga thellësia e zemrës e bekoj edhe qirinjtë e Karitasit!”.

20 dhjetor 2023, 12:54