Papa: lutemi për njerëzit që vuajnë nga luftërat e për jetët e humbura
R. SH. - Vatikan
Kujtoi luftërat dhe tmerret e konflikteve, që gjakosen vitin 2023 Françesku që, duke parë nga dritarja e Pallatit Apostolik, në një ditë të ngrohtë dimërore, i dha lamtumirën e fundit këtij viti, që po zhduket dalë-nga-dalë në horizontet e pamatura të kohës. Fjalë dramatike, duke nisur nga dhuna e Krishtlindjeve në Nigeri, ku në vende të ndryshme të shtetit Plateau, në pjesën qendrore të vendit, të paktën 170 persona u vranë nga sulmet e grupeve të armatosura:
“Fatkeqësisht, festimi i Krishtlindjes në Nigeri u shoqërua nga dhuna serioze në shtetin Plateau, me shumë viktima. Lutem për ta dhe familjet e tyre. Zoti e çliroftë Nigerinë nga këto tmerre!”.
Françesku përmendi edhe aksidentin dramatik në Liberi, ku mbi 40 persona humbën jetën nga shpërthimi i një cisterne. E më pas iu drejtua të gjithë atyre popujve, që jetojnë konflikte dramatike:
“Vazhdojmë të lutemi për popujt që vuajnë për shkak të luftërave: popullin e munduar ukrainas, popullin palestinez dhe izraelit, popullin sudanez dhe shumë të tjerë. Në fund të vitit, të guxojmë e ta pyesim veten: sa jetë njerëzish humbën nga konfliktet e armatosura? Sa vdekje? E sa shkatërrim, sa vuajtje, sa varfëri? Kushdo që ka interes në këto konflikte duhet të dëgjojë zërin e ndërgjegjes. E të mos i harrojmë as Rohingya e martirizuar”.
Kujtim prekës për Benediktin XVI
Një vit më parë vdiq Benedikti XVI e Françesku, duke kujtuar dashurinë e tij të madhe për Kishën, kërkoi duartrokitje:
“Një vit më parë Papa Benedikti XVI e kreu shtegtimin tokësor, pasi i shërbeu Kishës me dashuri dhe urti. Ndjejmë për të shumë dashuri, shumë mirënjohje, shumë admirim. Nga Qielli na beko dhe na shoqëro. E, një duartrokitje për Benediktin XVI”.
Në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku, më në fund, iu drejtua veçanërisht të gjitha familjeve, si në shesh, ashtu edhe të lidhura nga shtëpia, për të ritheksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri:
“Të mos harrojmë se familja është qeliza themelore e shoqërisë: duhet ta mbrojmë dhe ta mbështesim gjithmonë, gjithmonë!”.