Kërko

Palestinesi a Khan Younis, colpita dai bombardamenti  (AHMED ZAKOT) Palestinesi a Khan Younis, colpita dai bombardamenti (AHMED ZAKOT)

Papa lutet për Ukrainën, Izraelin dhe Palestinën: lufta është përherë disfatë

Papa: “Mos të harrojmë të lutemi për ata që vuajnë nga tragjedia e luftës, veçanërisht për popullsinë e Ukrainës, Izraelit dhe Palestinës. Lufta është gjithmonë humbje. Askush nuk fiton, të gjithë humbasin. Vetëm prodhuesit e armëve fitojnë para”.

R.SH. / Vatikan

Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan,  Papa Françesku e përfundoi takimin e sotëm të së mërkurës me besimtarë me një mendim të ri për ata që vuajnë nga konfliktet në zona të ndryshme të botës. E përsëriti: të vetmit që fitojnë, janë prodhuesit e armëve. “Të luftojmë kundër shoqërisë së hedhurinës”, ishte thirrja drejtuar fondacionit Telethon në Meksikë.

Papa Françesku, në shërim e sipër nga bronkita e ditëve të fundit, ia besoi fjalët e tij të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme dhe përshëndetjen e shtegtarëve nga mbarë bota, Imzot Filippo Ciampanelli-t, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, por nuk i mungoi energjia për të ripohuar, me zërin e tij, afërsinë me të gjithë ata që kanë nevojë për paqe, kudo në botë:

“Mos të harrojmë të lutemi për ata që vuajnë nga tragjedia e luftës, veçanërisht për popullsinë e Ukrainës, Izraelit dhe Palestinës. Lufta është gjithmonë humbje. Askush nuk fiton, të gjithë humbasin. Vetëm prodhuesit e armëve fitojnë para”.

Në lidhje me Ukrainën, në veçanti, Papa Françesku iu drejtua shtegtarëve të gjuhës polake - në Romë për të rikremtuar lumnimin e familjes Ulma - duke u kujtuar Ditën e Lutjes dhe të Ndihmës Materiale për Kishën e Lindjes të dielën e ardhshme dhe duke i falënderuar "të gjithë ata që i mbështesin Kishat në ato troje me lutjet dhe lëmoshët e tyre, veçanërisht   Ukrainën e martirizuar”. 

Thirrja për bashkëpunim, në ndihmë të viktimave të Acapulco-s

Një ftesë drejtuar anëtarëve të Fondacionit Telethon, ardhur nga Meksika, të pranishëm në Sallën Pali VI, ishte të "bashkëpunojnë për viktimat e Acapulco-s", të dëmtuar rëndë më shumë se një muaj më parë nga uragani Otis. E edhe "t’i përfshijnë në këtë nismë edhe të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuara në Meksikë”. “Të luftojmë kundër shoqërisë së hedhurinave”- kjo, thirrja e Papës - “për ta mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu”.

Ta mësojmë nga Maria besimin pa kushte ndaj Zotit

Dy ditë para solemnitetit të Zënies së Papërlyer të Virgjërës Mari,  Papa Françesku rikujtoi se Zoja "i besoi dashurisë së Zotit dhe iu përgjigj me "po-në" e saj.

Së fundi, porosia, për të gjithë:

“Mësoni nga besimi i saj i plotë te Zoti për ta dëshmuar kudo mirësinë dhe dashurinë ungjillore”.

06 dhjetor 2023, 11:44