Papa: mania e dhuratave zbeh mahnitjen, thjeshtësia sjell gëzimin e vërtetë
R.SH. / Vatikan
Katekizimi i Papës në audiencën e fundit të përgjithshme para Krishtlindjes, mbajtur sot paradite në Vatikan, i kushtohet një reflektimi mbi vlerën e skenës së lindjes së Krishtit. Duke kujtuar zanafillën e skenës së gjallë të lindjes në Greccio, Itali, 800 vjet më parë, Papa na fton të kapim në këtë skenë të Lindjes së Jezusit çastin e favorshëm për të rizbuluar heshtjen dhe lutjen, kujdesin e vërtetë për shpirtin e, mbi të gjitha mahnitjen.
Të mahnitemi, përballë lindjes së Jezusit
Ashtu si biografi i Shën Françeskut të Asizit, Tommaso da Celano, shkroi se në skenën e lindjes së Krishtit të krijuar nga njeriu i varfër është "një Betlehem i ri" ku shkëlqen thjeshtësia ungjillore, kështu edhe të krishterët duhet ta jetojnë stinën e Krishtlindjes përballë pamjes "artistike" të lindjes së Jezusit.
Françesku i Asizit nuk dëshiron të krijojë një vepër të bukur arti, por të zgjojë, nëpërmjet skenës së lindjes së Krishtit, mahnitje për përvujtërinë e skajshme të Zotit, për dhimbjet që pësoi për dashurinë tonë, në shpellën e varfër të Betlehemit – pohon Papa. E pikërisht tek mahnitja ndalet Ati i Shenjtë Bergoglio, duke shtuar jashtë tekstit disa porosi prekëse, që meritojnë të dëgjohen e të vihen në jetë jo vetëm në këto ditë të mëdha, por edhe gjatë gjithë vitit e gjithë jetës:
“Nëse ne, të krishterët, shikojmë Shpellën e Betlehemit si diçka e bukur, si gjë historike e edhe fetare e lutemi para saj, kjo nuk mjafton. Para misterit të mishërimit të Fjalës së Zotit, para lindjes së Krishtit, duhet sjellja fetare e mahnitjes. Nëse unë para mistereve, nuk arrij tek kjo mahnitje, feja ime është krejt e sipërfaqshme: ‘fe informatike’. Mos e harroni kurrë këtë”.
Gëzimi i maturisë
Ndër tundimet më tinëzare - kujtoi Papa - është ai që të shtyn t’i vlerësosh sendet, para njerëzve. Jezusi bëri pikërisht të kundërtën, "njerëzit para sendeve " - përsëriti dy herë Ati i Shenjtë Françesku. "Shpella e Betlehemit - këmbënguli - u krijua për të na rikthyer tek ajo që vlen: tek Zoti që vjen të jetojë mes nesh". Më pas Papa hapi, duke u larguar gjithnjë nga teksti i përgatitur, një analizë të thellë, atë të rëndësisë së gëzimit që lind nga maturia, atij gëzimi që “ndryshe nga argëtimi”, është gëzim i vërtetë, jo i përciptë:
“Të argëtohesh nuk është gjë e keqe nëse e bën në rrugë të mira, apo jo? Nuk është një gjë e keqe, është një gjë njerëzore. Por gëzimi është edhe më i thellë. Më njerëzor. Ndonjëherë ekziston tundimi për t'u argëtuar pa gëzim; duke u argëtuar duke bërë zhurmë, por gëzimi nuk është aty. Është pak si figura e kllounit, që qesh, qesh, të bën të qeshësh, por zemra e tij është e trishtuar. Gëzimi është rrënja e argëtimit të mirë në Krishtlindje”.
Konsumizmi e gërryen kuptimin e Krishtlindjes
Më pas Papa shkoi drejt e në zemër të konsumizmit që, gjatë kohës së Krishtlindjes, “ia gërryen kuptimin”, ndërsa - saktësoi - në vend të tij lindi pikërisht “shkolla e maturisë”. Kjo vlerë e thellë rrezikon të humbasë sot - kujtoi e, duke folur rishtas lirisht, vërejti:
“Konsumizmi i Krishtlindjes. Është e vërtetë që kërkon dhurata, kjo është e mirë, është mënyrë sjelljeje, por mania e të bërit pazar - hajde, hajde, hajde - kjo tërheq vëmendjen gjetiu dhe nuk ka maturinë e Krishtlindjes. Le të shohim skenën e lindjes së Krishtit - do ta shohim, apo jo - atë mahnitje përballë skenës së lindjes së Krishtit. Nuk ka hapësirë shpirtërore për mahnitje, vetëm për të organizuar festën, për të bërë festë. Nuk është punë e keqe, por me çfarë fryme e bëj?”.
Dashuria e Zotit nuk të lë të qetë, por të ngushëllon
Papa Françesku shpjegon se këtu flitet për “gëzimin që del nga zemra kur prek me dorë afërsinë e Jezusit, butësinë e Zotit, i cili nuk na lë të qetë, por na ngushëllon”. Siç bën shpesh, kujton tre qëndrimet e Zotit: afërsinë, butësinë dhe dhembshurinë. E na fton rishtas të shikojmë skenën e lindjes dhe të lutemi përballë saj me këtë stil që “na ndihmon në jetën e përditshme”. Së fundi, Papa kujton një shëmbëllim – atë me Ungjillin:
“Skena e lindjes së Krishtit është si Ungjill i gjallë, Ungjill shtëpiak. Është si pusi në Bibël, vend takimi, ku njeriu mund t'ia hapë zemrën Jezusit, siç bënë barinjtë e Betlehemit dhe njerëzit e Greccio-s, t’i tregojë pritjet dhe shqetësimet e jetës. Sillini, pra shpresat dhe dhe shqetësimet e jetës tek Jezusi”.