Papa miraton dekretet për të Lumët e rinj, gjashtë janë martirë
R.SH. – Vatikan
Histori, kryesisht të shekullit XX, përveç asaj të një murgeshe, që jetoi ndërmjet shekujve XVI dhe XVII. Nga tetë të Lumët e rinj, për të cilët Papa miratoi dekretet, më 14 dhjetor, gjashtë janë martirë, viktima të fashizmit dhe komunizmit, ndërsa dy të tjerëve u është njohur një mrekulli, atribuar ndërmjetësimit të një murgeshe karmelitane dhe të themeluesit të një instituti rregulltar. Në Dekrete përmenden edhe emrat e tre Shërbëtorëve të rinj të Zotit: një françeskan kapuçin dhe dy laikë, një nënë italiane dhe një baba nga Guatemala.
Njëra nga historitë
Po veçojmë historinë e martirit të komunizmit. Urrejtja kundër Kishës shkaktoi vdekjen e një seminaristi sllovak 37-vjeçar, Ján Havlík, i cili u përkiste Misionarëve të Shën Vinçenc de Paolit. Ashtu si shumë meshtarë, besimtarë dhe murgesha, përndjekja komuniste e detyroi të formohej si prift në fshehtësi, por, në vitin 1951, u arrestua së bashku me eprorët dhe seminaristët e tjerë, u mor në pyetje dhe u torturua, duke u dënuar me 14 vjet burgim. Ishte fillimi i kalvarit, që e çoi në burg e në punë të detyruar, duke ia dëmtuar rëndë shëndetin. Bënë ç’është e mundur për t’ia keqësuar edhe më, duke i dhënë ilaçe, që i shkaktuan dëme psikologjike. Tre vite pas rifitimit të lirisë, më 27 dhjetor 1965, vdiq papritmas në Skalicë, tejet i lodhur nga dhuna e mundimet e pësuara. Histori e dhimbshme, e ngjashme me atë të shumë martirëve të Shqipërisë komuniste.