Papa: kreativiteti dhe thjeshtësia, ky stili i misionit sipas Shpirtit Shenjt

Në audiencën e përgjithshme Françesku i përshëndeti të pranishmit në Sallën Pali VI, por nuk e lexoi katekizmin, duke përsëritur se është "shumë më mirë me shëndet", por se lodhet kur flet "shumë". Reflektimi iu kushtua shtyllës së katërt të zellit apostolik, Shpirtit Shenjt, që frymëzon krijimtarinë dhe thjeshtësinë në kumtimin ungjillor.

Papa, siç është bërë zakon që kur u sëmur nga ftohja në mushkëri, leximin e katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, sot katekizmi i pari i Kohës së Ardhjes, ia besoi Imzot Filippo Ciampanelli-t, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, duke u përsëritur të pranishmëve e atyre që e përcjellnin përmes mediave: "Lodhem prap. Jam shumë më mirë, por lodhem nëse flas shumë".

Në tekstin e  katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme Papa Françesku u ndalua tek dhurata e Shpirtit Shenjt, e cila duhet të gjallërojë çdo zell apostolik. Kështu, plotësohet seria e karakteristikave të kumtimit të Ungjillit, që është gëzimi, universaliteti dhe aktualiteti por, mbi të gjitha - shton Ati i Shenjtë Bergoglio - duhet të vijë në Shpirtin Shenjt.

Pa Shpirtin Shenjt çdo zell është i kotë

Papa Françesku largon menjëherë çdo hije dyshimi dhe çdo tundim për egocentrizëm: duke cituar Evangelii gaudium, nënvizon përparësinë e Zotit dhe të Shpirtit Shenjt në çdo formë ungjillizimi. Njeriu është thjesht bashkëpunëtor.

“Pa Shpirtin Shenjt i gjithë zelli apostolik është i kotë, i rremë: do të ishte vetëm yni dhe nuk do të jepte fryt. [...] Shpirti është protagonist, u paraprin gjithnjë misionarëve dhe i bën të mbijnë frytet. Kjo vetëdije na ngushëllon  shumë! E na ndihmon të sqarojmë një tjetër, po aq vendimtare: domethënë se në zellin e saj apostolik Kisha nuk shpall vetveten, por një hir, një dhuratë. E Shpirti Shenjt është pikërisht dhurata e Zotit, siç i tha Jezusi samaritanes (krh. Gjn 4,10)”.

Përparësia e Shpirtit nuk duhet të çojë në plogështi

Megjithatë, kjo njohje është e vështirë të pajtohet me dembelizmin  e njeriut, saktëson  më tej Papa. Ne jemi thirrur të bashkëpunojmë në mënyrë të ndërgjegjshme, me pjekuri, guxim, përkushtim:

“Besimi nuk e justifikon çkujdesjen. Vitaliteti i farës që rritet vetë nuk i autorizon bujqit ta lënë pas dore arën [...] Zoti nuk na ka lënë fletëpalosje teologjike apo doracakë baritorë për t’i zbatuar, por Shpirtin Shenjt, që e frymëzon misionin. E shkathtësia e guximshme që na e frymëzon Shpirti, na bën të imitojmë stilin e tij, i cili ka gjithmonë dy karakteristika:  frymën krijuese dhe thjeshtësinë”.

 Larg dorëzimit në krahët e rehatisë

Papa Françesku përdor shpesh fjalën “krijimtari”. E kjo, sepse e konsideron atë si motor të vërtetë të veprimit të Zotit, për t'u imituar nga secili njeri në gjendjen e tij. Sot e kujton rëndësinë e saj pikërisht lidhur me shpalljen ungjillore. Pranon se epoka jonë bashkëkohore "nuk na ndihmon të kemi pikëpamje fetare për jetën" dhe se shpallja e Ungjillit, në vende të ndryshme, është bërë "më e vështirë, e lodhshme, në dukje e pafrytshme". Ndaj paralajmëron rishtas  rrezikun e “dorëzimit”:

“Ndoshta strehohemi në zona sigurie, të tilla si përsëritja e zakonshme e gjërave që bëjmë gjithmonë, ose në thirrjet tunduese të përshpirtërisë intime, apo edhe në keqkuptimin e qendrës së liturgjisë. Të gjitha tundime, që paraqiten si besnikëri ndaj traditës, por shpesh, më shumë se përgjigje ndaj Shpirtit, janë reagime ndaj pakënaqësisë vetjake”.

Frymë krijuese e thjeshtësi

Krijimtari baritore “domethënë guxim në Shpirtin Shenjt, përvëlim nga zjarri i tij misionar, dëshmi e besnikërisë ndaj Tij” - theksoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, i cili për këtë arsye na nxit të kthehemi në stilin e asaj “shpalljes së parë” të Ungjillit të Jezu Krishtit, duke u pushtuar nga Shpirti. E Papa na këshillon ta thërrasim çdo ditë, që ta kemi pranë çdo çast:

“Ai e gjallëron dhe e përtërin Kishën: me Të nuk duhet të trembemi, sepse Ai, që është harmonia, mban gjithnjë bashkë krijimtarinë dhe thjeshtësinë, frymëzon bashkimin, dërgon në mision, hapet në diversitet dhe të çon përsëri në unitet. Ai është forca jonë, fryma e shpalljes sonë, burimi i zellit tonë apostolik”.

06 dhjetor 2023, 11:28

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >