Papa para Zojës: "Fati ynë nuk është lufta, por paqja"
R.SH. / Vatikan
Sot pasdite Papa, i gjunjëzuar në Sheshin e Spanjës, para Shtatores madhështore të Zojës së Papërlyer, u lut për Ukrainën, Palestinën e Izraelin, të rënë në spiralen e një lufte që nuk i duket fundi!
Etapa e parë e sotme ishte Bazilika e Shën Marisë së Madhe, ku Françesku iu lut Zojës Salus Populi Romani dhe i dhuroi “Trëndafilin e artë”, gjest që nuk kryhej prej 400 vjetësh.
Pastaj, vizita në Sheshin e Spanjës, te Shtatorja e Zojës, stolisë me lule, dhuratë e popullit romak, së cilës Ati i Shenjtë iu drejtua me fjalë tronditëse, ngarkuar me besim të plotë në ndërmjetësimin e së Papërlyerës për t’i dhënë fund luftërave dhe për t’i hapur udhën paqes ndërmjet gjithë popujve. Ta ndjekim lutjen:
Virgjër e Papërlyer!
Ne vijmë tek ti me zemrën e ndarë më dysh ndërmjet shpresës dhe ankthit.
Kemi shumë nevojë për ty, o Nëna jonë!
Por para së gjithash duam të të falënderojmë
sepse në heshtje, ashtu si e di ti vetë, e ruan këtë qytet,
që sot të rrethon me lule, për të shprehur dashurinë e tij.
Në heshtje, ditë e natë, rri zgjuar e ruan:
mbi familjet, me gëzimet dhe shqetësimet - që ti i njeh mirë -
mbi vendet e studimit dhe të punës; institucionet dhe zyrat publike;
mbi spitalet dhe shtëpitë e pleqve; mbi burgjet; mbi ata që jetojnë në rrugë;
mbi famullitë dhe të gjitha bashkësitë e Kishës së Romës.
Faleminderit për praninë tënde të kujdesshme dhe të pafundme,
që na jep ngushëllim dhe shpresë.
Kemi nevojë për ty, o Nënë,
sepse ti je e Zëna e Papërlyer.
Ti vetë, e vetë fakti që jeton
na kujton se e keqja nuk e ka as fjalën e parë e as të fundit;
se fati ynë nuk është vdekja, po jeta,
nuk është urrejtja, por vëllazëria, nuk është sherri, por harmonia,
nuk është lufta, por paqja!
Duke të parë Ty, ndihemi të fortë në këtë fe
që ngjarjet ndonjëherë e vënë në provë.
E ti, o Nënë, silli sytë e tu plot mëshirë
mbi të gjithë popujt e shtypur nga padrejtësia dhe varfëria,
të vënë në provë nga lufta; shikoje popullin e martirizuar ukrainas,
popullin palestinez dhe popullin izraelit,
të rënë rishtas në spiralen e dhunës.
Sot, o Nënë e Shenjtë, ne sjellim këtu, përpara syve të tu,
shumë nëna që, siç të ndodhi edhe Ty, janë të pikëlluara:
Nëna, që vajtojnë bijtë e vrarë nga lufta dhe terrorizmi.
Nëna, që i shohin bijtë kah largohen në shtegtimet e shpresës së dëshpëruar.
Nëna, që përpiqen t'i çlirojnë bijtë nga leqet e varësive,
e nëna që u rrinë mbi kokë në sëmundjet e gjata dhe të rënda…
Sot, Mari, ne kemi nevojë për ty si grua,
për t'i besuar të gjitha gratë që pësuan dhunë
dhe ata që vijojnë të jenë viktima të saj
në këtë qytet, në Itali dhe në të katër anët e botës.
Ti i njeh një nga një, ua njeh fytyrat e lotët!
Teri, të lutem, lotët e tyre dhe të njerëzve të tyre të dashur.
Ndihmona që, në shtegtimin e edukimit dhe të pastrimit,
ta njohim dhe ta luftojmë dhunën që i pushton
zemrat e mendjet tona,
duke i kërkuar Zotit të na çlirojë prej saj.
Na trego sërish, o Nënë, rrugën e pendesës!
Sepse paqe nuk mund të ketë, pa falje
as falje, pa pendim.
Bota ndryshon, nëse ndryshojnë zemrat;
e të gjithë duhet ta thonë këtë: duke nisur nga imja.
Por zemrën njerëzore mund ta ndryshojë veç Zoti
me hirin e tij: atë në të cilin ti, Mari,
u zhyte që në çastin e parë.
Veç hiri i Jezu Krishtit, Zotit tonë,
që u zu në korpin tënd,
që vdiq dhe u ringjall për ne dhe që ti gjithmonë na e tregon.
Ai është shpëtimi, për çdo njeri dhe për botën.
Eja, o Zot Jezus!
Ardhtë mbretëria jote e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes!
Amen.