Kërko

2023.12.14 Gaza catholic church 2023.12.14 Gaza catholic church  (© KIRCHE IN NOT)

Françesku: në Gaza vriten civilë të pambrojtur,"është luftë, terrorizëm"

Pas të shtënave nga ushtria izraelite jashtë famullisë të Familjes së Shenjtë në Gaza, Françesku lutet përsëri për paqen në këtë tokë të martirizuar dhe shqipton emrat e viktimave të sulmit fatal që ndodhi "ku nuk kishte terroristë, por familje, fëmijë, të sëmurë, invalidë, murgesha. E ku mbetën të vrara një nënë me të bijën”.

R. SH. - Vatikan

“Dikush thotë: ‘Është terrorizëm, është luftë’. Po, është luftë, është terrorizëm! Për këtë arsye Shkrimi pohon se “Zoti i bën të pushojnë luftërat... i thyen harqet dhe i copëton shtizat" (shih Ps 46:9). Le t'i lutemi, prandaj, Zotit për paqe".

Pas lutjes së Engjëllit në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku bëri përsëri thirrje për atë që po ndodh në Tessa Santa, pas sulmit izraelit në famullinë latine të Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës, që shkaktoi vdekjen e dy grave, nënë e bijë: Naheda dhe Samar.

Dhimbja për vdekjen e civilëve

Papa po e ndjek me shqetësim evolucionin tragjik të konfliktit në Lindjen e Mesme: “Vazhdoj të marr lajme shumë të rënda dhe të dhimbshme nga Gaza”, pohon:

“Civilët e paarmatosur janë objket i bombardimeve dhe i të shtënave. E kjo ndodhi edhe brenda kompleksit famullitar së Familjes së Shenjtë, ku nuk ka terroristë, por familje, fëmijë, të sëmurë, invalidë, murgesha. Një nënë dhe vajza e saj, zonja Nahida Khalil Anton dhe vajza e saj Samar Kamal Anton, u vranë, të tjerë u plagosën nga gjuajtësit e zgjedhur, teksa po shkonin në banjë... U dëmtua shtëpia e motrave të Nënë Terezës e u godit gjeneratori i tyre. Dikush thotë: ‘Është terrorizëm, është luftë’. Po, është luftë, është terrorizëm. Kjo është arsyeja pse Shkrimi Shenjt thotë: ‘Hyji bën që luftërat të pushojnë... i thyen harqet e i copëton shtizat" (shih Ps 46:9). Le t'i lutemi Zotit për paqe”.

OMS: spitali Al-Shifa, pellg gjaku

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se mori pjesë në një mision të përbashkët të Kombeve të Bashkuara për të sjellë furnizime mjekësore dhe për të vlerësuar situatën në spitalin Al-Shifa, në Gaza. Ekipi dërgoi ilaçe dhe pajisje kirurgjikale e ortopedike, materiale anestezie e ilaçe në spitalin, i cili "aktualisht funksionon fare pak” - pohon OBSH, cituar nga gazeta Haaretz. Dhoma e urgjencës në spitalin al-Shifa, më i madhi në Gazën veriore, është shndërruar "në pellg gjaku", ndërsa objekti "ka nevojë për rianimacion" - pohon Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH, e cituar nga Guardian, kujtoi se "dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur po përdorin ndërtesën e spitalit dhe mjediset për t'u strehuar" dhe se ka "mungesë serioze" të ujit të pijshëm dhe të ushqimit. Sallat e operacionit nuk funksionojnë për shkak të mungesës së karburantit, oksigjenit dhe furnizimeve të tjera - pohon organizata- që flet 'për qindra të plagosur'.

Në Gaza vazhdon ndërprerja e dritës

Ndërprerja e komunikimeve telefonike dhe e shërbimeve të internetit në Gaza vazhdon në atë që, deri më tani, është periudha më e zgjatur që nga fillimi i luftës. Dy kompanitë kryesore në Strip, Paltel dhe Jawall, njoftuan përfundimin e shërbimeve "për shkak të agresionit izraelit" në enklavën palestineze pasditen e së enjtes së kaluar, kur nisi dhe ndërprerja. Burimet amerikane - të cituara nga media amerikane dhe të raportuara nga ANSA - nënvizuan "nevojën ekstreme" që shërbimi të rikthehet, edhe me përpjekjen e Izraelit - shtuan ata - për të pakësuar viktimat civile.

17 dhjetor 2023, 13:47