Françesku: në Koncertin e Krishtlindjes me të varfrit është mesazhi i vërtetë i krishterë
R. SH. - Vatikan
“Është më e lehtë të krijosh harmoni me notat, sesa me njerëzit..., por nuk është ky rasti juaj! Ju mund të krijoni harmoni ndërmjet jush!”. Papa Françesku i priti me një shaka organizatorët e Koncertit të Krishtlindjes “për të varfërit” e Vatikanit, që do të shfaqet nesër, më 16 dhjetor, në Sallën Pali VI. Tre mijë vetë - të pastrehë, emigrantë, të varfër - të ftuar nga Dikasteri për shërbimin e Bamirësisë dhe shoqatat e ndryshme vullnetare, do të mund të dëgjojnë këngët tradicionale të Krishtlindjes të alternuara me krijimet e klasikëve, si Mozart, Rossini e Çajkovski. Koncerti do të shfaqet nga Orkestra dhe Kori i Teatrit të Operas së Romës, së bashku me dyqind anëtarë të Korit të Dioqezës së Romës, me regjisorë Speranza Scappuccin dhe Imzot Marco Frisinën, që Papa i falënderoi.
Ndërlidhje me mesazhin e Krishtlindjes
"Ju po ofroni një koncert falas për mijëra të varfër e, me muzikë, një çast takimi. Më pas, edhe ushqime e batanije" - kujtoi Françesku - duke nënvizuar edhe se ky duhet të jetë kuptimi i fjalës vëllazëri “shumë në përputhje me mesazhin e Krishtlindjes”
Jep "për" të varfërit a "me" të varfërit
Koncerti, tashmë në edicionin e katërt, nuk është thjesht "për të varfërit", por edhe "me të varfërit", dhe pikërisht në këtë ndryshim, në kalimin nga "për" në "me", është i gjithë kuptimi i mesazhit të krishterë:
“Ne fillojmë nga ‘për’, por duam të arrijmë në ‘me’. Kjo është e krishterë. Zoti erdhi për ne, por si? Në ç’mënyrë? Erdhi për të jetuar me ne, ose më mirë, duke u bërë si ne. Ky mister na lë gjithmonë pa fjalë. Është tepër i lartë për natyrën tonë. Megjithatë, unë mund ta përjetoj atë në takimin me dikë tjetër, të ndryshëm: kur jap diçka, që për tjetrin bëhet marrje, bëhet ndarje, bëhet miqësi”.
Ftesa e Françeskut është të lutemi që kjo të ndodhë. “Nuk mjafton muzika, nuk mjaftojnë dritat, dekorimet, jo, duhet lutja”, përsëriti, duke ia besuar gjithë këtë ndërmjetësimit të Marisë.