Papa: para skenarëve të luftës, t’i lutemi Marisë për udhë paqeje
R.SH. – Vatikan
Maria, nëna e Jezu Krishtit, rrugë e paqes dhe e faljes. Këto janë fjalët e Papës Françesku në një letër drejtuar kryeipeshkvit të Sirakuzës, imzot Francesco Lomanto, me rastin e 70-vjetorit të çastit kur lotët e Zojës së Bekuar u derdhën me dhembshuri në tokën e Siçilisë. Ndërmjet 29 gushtit dhe 1 shtatorit 1953, lotë njerëzorë rrodhën nga sytë e Virgjërës, pasqyruar me Zemrën e Papërlyer në pikturën e vendosur në krye të një shtrati martesor.
“Përballë sprovave të jetës dhe të historisë, - shkruan Ati i Shenjtë - veçanërisht përballë skenarëve shqetësues të luftës, të mos lodhemi së kërkuari ndërmjetësimin e Marisë, Mbretëreshës së Paqes dhe Nënës së ngushëllimit”.
Na ndihmoftë Maria të ndjekim shtigjet e paqes
Mendimi i lotëve të derdhur nga Maria, pashmangshmërisht, e bën Papën të shkojë me zemër në situatën e përjetuar nga shumë popuj, të detyruar të jetojnë në mesin e konflikteve. “Lotët e Nënës – vijon Papa – vazhdojnë të derdhen kur diskriminohen më të brishtët dhe kur përhapen dhuna e luftërat, disfata që shkaktojnë viktima të pafajshme”. Pasardhësi i Pjetrit fton vazhdimisht t’i besohemi Zojës:
“Shqetësimi i saj amnor t'i inkurajojë besimtarët të krijojnë dhe të ndjekin shtigje paqeje dhe faljeje, si edhe të jenë pranë të sëmurëve në trup dhe shpirt, të vetmuarve dhe të braktisurve”.
Maria ndan me njerëzimin dhimbjet e tij
Për 70 vjet, Kisha në Sirakuzë i ka ruajtur këto lotë "me kujdes dhe përkushtim" e ato, shpesh, lexohet në letër, arrijnë tek të sëmurët, të moshuarit, të vuajturit, tek bashkësitë kishtare në anë të ndryshme të botës".
“Lotët e Marisë – vë në dukje Papa - tregojnë pjesëmarrjen e saj në dashurinë e dhembshur të Zotit, i cili vuan për ne, bijtë e tij; i cili shpreson me zjarr të bëjmë kthesë; i cili na pret, si Atë i mëshirshëm, për të na falur gjithçka dhe gjithmonë”.
Preferenca e Zotit për të varfërit
Letra kujton historinë e lotëve të Zojës së Sirakuzës, në sfondin e pasigurt të Luftës II Botërore, në një shtëpi të thjeshtë në periferi, ku jetonte familja e Angelo Iannuso dhe Antonina Giusto, në pritje të fëmijës së tyre të parë. “Ngjarja e mrekullueshme, në intimitetin e një shtëpie, - vëren Papa - na fton të marrim parasysh bukurinë e jashtëzakonshme të vatrës shtëpiake, qendër e dashurisë dhe e jetës dhe të mbështesim familjen e themeluar mbi martesën, duke theksuar vlerën e saj si qelizë bazë e shoqërisë dhe e Kishës”.
Kërkoni hirin më të madh: imitoni Jezusin
Së fundi, jo vetëm për Kishën e Sirakuzës, Papa uron që besimtarët t’i luten Zojës për hirin e imitimit të birit të saj, Jezu Krishtit, për ringjalljen e fesë, të dashurisë e të shpresës. Edhe vetë Ati i Shenjtë lutet: "O Virgjër Mari, shoqëroje udhëtimin e Kishës me dhuratën e lotëve të tu të shenjtë, jepi paqe mbarë botës dhe ruaji fëmijët e tu me mbrojtjen tënde amnore. Na ndihmo t’i mbetemi besnikë Zotit, në shërbim të Kishës, me dashuri për të gjithë vëllezërit. Amen".