Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa përmirësohet, nesër Engjëlli do të kremtohet nga Shën Marta

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, foli përsëri për gjendjen shëndetësore të Françeskut, që “vijon të përmirësohet". Lutja e së dielës në mesditë do të transmetohet drejtpërdrejt në Vatican News dhe do të ndiqet në ekranet gjigante në Sheshin e Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Papa nuk ka më temperaturë, ndërsa vazhdon mjekimin e duhur për shëndetin, që duket se është “në përmirësim”. Kështu e përshkroi gjendjen shëndetësore të Papës drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, pak pas orës 13:30 të ditës së sotme, 2 dhjetor. Prej një jave, Françesku vuan nga inflamacioni i mushkërive, gjë që e ka detyruar të ndryshojë kryesisht angazhimet në vijim, e, mbi të gjitha, udhëtimin në COP28, ku fjalimin e pritur në vend të tij në Dubai, e mbajti Kardinali Pietro Parolin.

Engjëlli, përsëri nga Shën Marta

Masat paraprake padyshim vazhdojnë dhe Bruni saktësoi se "për të shmangur ekspozimin ndaj ndryshimeve të papritura të temperaturës, nesër në drekë Papa Françesku do ta kremtojë Engjëllin përmes lidhjes nga Shtëpia e Shën Martës". Gjë që ndodhi edhe të dielën e kaluar, kur Papa u duk i ulur pranë Imzot Paolo Braida-s, kreut të zyrës së Sekretarisë së Shtetit, i cili lexoi në emër të tij si meditimin përpara Engjëllit, ashtu edhe thirrjet dhe përshëndetjet pasuese, ndërsa Françesku përshëndeti shkurt besimtarët që e ndoqën më të emocionuar se kurrë, në fillim dhe në çastin e përfundimit të lutjes mariane.

Engjëlli i nesërm, saktësoi Bruni, do të transmetohet gjithashtu drejtpërdrejt në televizion dhe në ekranet në Sheshin e Shën Pjetrit, nga Vatican Media dhe në transmetim, në faqen e internetit të Vatican News.

02 dhjetor 2023, 15:45