Papa Prefektëve të Italisë: ndërthurni ligjshmërinë dhe humanizmin
R.SH. / Vatikan
Rendi publik është “aspekti i parë e më delikat i punës suaj, sepse, shpesh në situata të paparashikueshme dhe emergjente, ju kërkon të kombinoni respektimin e ligjit me vëmendjen ndaj njerëzores”. Këtë theksoi Papa në fjalimin drejtuar prefektëve të Republikës Italiane, pritur sot paradite në audiencë, duke u ndalur në tri pika: rendi publik, çështjet kritike ambientale dhe drejtimi i flukseve migratore. Kujtojmë se Prefektët e Republikës Italiane përfaqësojnë qeverinë në nivelin provincial; janë autoritete provinciale të sigurisë publike.
“Ndërthurni ligjshmërinë me humanizmin. Duke i shtuar edhe përgjegjësinë tuaj të madhe për t’u bërë ballë rreziqeve që hasin çdo ditë punonjësit e forcave të policisë, për të cilët kujdeseni”- kjo ishte porosia e parë e Papës drejtuar prefektëve, në takimin e sotëm. Më pas, në lidhje me kryerjen e detyrës publike, Françesku citoi një maksimë e lashtë, e cila të kujton rendin e jetës personale: “serba ordinem et ordo servabit te”, “shërbeji rendit, e rendi do të shpëtojë”.
“Është pohim i mençur, sepse rendi publik nuk mund të administrohet pa një rend personal dhe të brendshëm” - kujtoi Françesku - “Por kur kjo është në rregull, përgjegjësia për rendin publik perceptohet si thirrje për të krijuar atë klimë të bashkëjetesës harmonike, falë së cilës mund të përballohen dhe të zgjidhen të gjitha vështirësitë. Dua të them se juaja është një lloj atësie institucionale: e ushtruar me ndërgjegje dhe përkushtim, nuk i kursen sakrificat dhe netët pa gjumë, ndaj e meriton plotësisht mirënjohjen tonë”.