Papa punonjësve të Vatikanit, 'me shërbimin tuaj kontribuoni për të mirën e Kishës e të shoqërisë'

Në audiencën e sotme për urimet e Krishtlindjes me personelin që shërben në Selinë e Shenjtë, Papa Françesku tregon rrugën e maturisë në një kohë që nganjëherë shfaqet "e fiksuar pas dukjes", veçanërisht përmes rrjeteve sociale: në familje pamja dhe maskat nuk kanë rëndësi, me rëndësi është të mos mungojë dashuria, afërsia, mirëkuptimi dhe dhembshuria reciproke

R.SH. / Vatikan

Në audiencën e sotme për urimet e Krishtlindjes me personelin që shërben në Selinë e Shenjtë, Papa Françesku tregon rrugën e maturisë në një kohë , e cila shfaqet "e fiksuar pas dukjes", veçanërisht përmes rrjeteve sociale: po në familje pamja dhe maskat nuk kanë rëndësi, me rëndësi është të mos mungojë dashuria, afërsia, mirëkuptimi dhe dhembshuria reciproke".

"Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita! Edhe këtë vit, Krishtlindja na bashkon për të shkëmbyer urime. Faleminderit që erdhët, edhe me familjen tuaj! Duke soditur së bashku Misterin e lindjes së Jezusit, është bukur të mund të kuptosh stilin e Zotit, i cili nuk është madhështor apo i zhurmshëm, por, përkundrazi, është stili i fshehtësisë dhe vogëlsisë. Dy fjalë të rëndësishme: fshehtësia dhe vogëlsia. Ato na transmetojnë tiparin e butë e të ëmbël të Zotit, i cili nuk vjen tek ne për të na tmerruar me madhështinë e tij apo për të imponuar veten me madhështinë e tij, por e bën veten të pranishëm në mënyrën më të zakonshme të mundshme, duke e bërë veten një nga ne".

Kështu u tha Ati i Shenjtë Bergoglio punonjësve të Vatikanit, me rastin e shkëmbimit të urimeve të Krishtlindjes, të cilët i falënderoi të gjithë për punën e tyre: “Puna juaj këtu në Vatikan zhvillohet kryesisht në fshehtësinë dhe heshtjen e përditshme, shpesh duke kryer punë e gjëra që mund të duken të parëndësishme, por që, në realitet, kontribuojnë për të mirën e Kishës dhe të shoqërisë. Unë ju falënderoj për këtë dhe shpresoj se mund të vazhdoni punën tuaj me një frymë mirënjohjeje, me qetësi e përvujtëri, duke dhënë dëshminë e krishterë pikërisht aty, në punën e përditshme, në marrëdhëniet me koleget dhe kolegët tuaj''.

''Edhe këtu, madje, para së gjithash këtu ka nevojë, apo jo për një dëshmi të krishterë autentike? Shikoni fshehtësinë dhe vogëlsinë e Jezusit në shpellën e Betlehemit; shikoni thjeshtësinë e skenës së lindjes së Krishtit – i ftoi Papa punonjësit e Vatikanit - që keni bërë në shtëpitë tuaja; dhe të jeni të sigurt se e mira, edhe kur është e fshehur dhe e padukshme, rritet pa bërë zhurmë, shumohet në një farë mënyre të papritur dhe përhap aromën e gëzimit''.

''Të dashur motra dhe vëllezër, ju bëj urimet më të mira për Krishtlindjen e Shenjtë . Është një urim që ua drejtoj edhe fëmijëve e të rinjve tuaj, familjarëve tuaj, të moshuarve – tha akoma Papa Françesku – të gjithë atyre që jetojnë me ju, veçanërisht të dashurve tuaj që janë të sëmurë. Le të hapim zemrat për gëzim: Zoti vjen mes nesh! Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! Dhe, ju lutem, lutuni për mua".

21 dhjetor 2023, 11:46