Papa e Sigg. Valentina Alazraki, 2021.11.13 Papa e Sigg. Valentina Alazraki, 2021.11.13

Papa: shëndeti është përmirësuar, nuk mendoj të jap dorëheqjen, dëshiroj të shkoj në Belgjikë

Françesku, në bisedë me gazetaren Valentina Alazraki për radion meksikane N+ në ditën kur Meksika feston Zojën e Guadalupes. Papa tregon se dëshiron të varroset në Santa Maria Maggiore: "Vendi është gati, devocioni im, i madh". Dhe kujton lidhjen e tij "të ngushtë" me Benediktin XVI: "Ishte njeri i përvuajtur, njeri i madh. E admiroj".

R.SH. / Vatikan

Më shumë se një vendim apo një revolucion, është premtim që ai vetë i bëri Virgjërës: «Dua të varrosem në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Vendi tashmë është gati”. Papa Françesku, 87 vjeç më 17 dhjetorin e ardhshëm, i zbulon radios meksikane N+, qëllimin e tij, duke shpjeguar edhe se po punon për të thjeshtuar ritin e varrimit të Papëve e duke e bërë të qartë se, megjithëse ekziston mendimi i vdekjes edhe për shkak të pleqërisë e cila “ia mbërrin ashtu siç është”, ideja e dorëheqjes nuk është fare në plan. Jorge Mario Bergoglio shpreh dëshirën për të shtegtuar në Belgjikë në vitin 2024, përveç udhëtimeve "në pritje" në Polinezi dhe vendlindjen e tij, në Argjentinë.

Shën Maria e Madhe, vend i varrimit të ardhshëm

Biseda shkëmbehet me korrespondenten e njohur Valentina Alazraki, veterane e të gjithë korrespondentëve të Vatikanit, në ditën kur Meksika  kremton “Nënën” e saj, Zojën e Guadalupes. “Morenita” - “Zeshkanja” është e pranishme në të gjithë intervistën, gjatë së cilës Papa përsërit “devocionin e tij të thellë” për Zojen. Prej këndej, zgjedhja e Shën Marisë së Madhe si vendi i varrimit në të ardhmen, gjë që, nga njëra anë, shënon një risi historike në krahasim me Papët e së kaluarës, të gjithë të varrosur në Kriptën e Vatikanit (i fundmi, Benedikti XVI, i cili ndërroi jetë më 31 dhjetor 2022); nga ana tjetër, forcon lidhjen me Bazilikën liberiane,  të cilën e ka vizituar 115 herë, që nga dita pas zgjedhjeve, 14 mars 2013, para dhe pas çdo udhëtimi ndërkombëtar, e deri më 8 dhjetorin e kaluar, kur shkoi për të nderuar me një "Trëndafil të artë” Salus Populi Romani, ikonën Mariane, për të cilën tradita thotë se është pikturuar nga Shën Luka dhe që ruan banorët e qytetit. “Është devocioni im i madh. Devocioni i madh! Dhe më parë, kur isha në Romë, shkoja gjithmonë të dielën në mëngjes, rrija atje një copë herë. Është lidhje shumë e fortë - kujton Papa Françesku.

Marrëdhëniet me Benediktin XVI

Më pas Françesku shpjegon se ritin e varrimit të Papës e “përgatiti me ceremonierin”. “E thjeshtuam shumë” - pohon. Varrimi i fundit ishte ai i Benediktit XVI, më 5 janar, në Sheshin e Shën Pjetrit. Pikërisht për marrëdhëniet me paraardhësin e tij, Papën e Nderit, dhjetë vjet me radhë, flet Françesku në intervistë, pak ditë pas përvjetorit të parë të vdekjes. “Marrëdhënia ime me Papën Benedikti ishte shumë e ngushtë. Ndonjëherë shkoja të këshillohesha me të. E ai, me shumë urti, më jepte mendimin e tij, por më thoshte “shihe vetë”, e ma linte në dorë. Ai më ka ndihmuar gjithmonë. Shumë bujar në këtë”. Françesku e përshkruan si "hir" që mundi "t’i jepte lamtumirën" paraardhësit të tij, sapo mësoi nga një infermiere se ishte i sëmurë dhe kërkonte lutje gjatë audiencës së fundit të përgjithshme të vitit 2022. "Shkova për ta parë atë - tregoi - Ishte i kthjellët, por nuk mund të fliste më, ndaj më shtrëngonte doren. Ishte e bukur kjo lamtumirë! E bukur. E tri ditë më vonë vdiq. Njeri i madh Benedikti ishte njeri i madh, njeri i përvujtë, i thjeshtë, i cili, kur kuptoi kufizimet e tij, pati guximin të thoshte mjaft! E e admiroj këtë njeri”.

Nuk u “kujtova” se Benedikti nuk ishte më me ne - pohoi Papa - në kuptimin se vdekja e tij ishte paksa si në vitet e fundit të jetës së tij në Mater Ecclesiae: i matur, i heshtur, i natyrshëm. “Nuk e kam vënë re. Ndonjëherë shkoj të lutem te varri i Papëve dhe kaloj pranë tij. Por nuk e kuptova si atëhere kur më këshillonte, nuk e kuptova se ishte dikush tjetër që po më këshillonte. Kishte urtinë t’i bënte gjërat duke dhënë liri. Por njësoj si më parë. Më parë e kisha pranë, tani e kam larg, por me një natyrshmëri shumë të madhe”.

Asnjë dorëheqje!

Ashtu si në raste të tjera, Papa nuk përjashton mundësinë se një ditë mund të ndjekë gjurmët e Benediktit, por kjo kohë nuk ka ardhur akoma! Një vit më parë, në një intervistë tjetër me ABC, Françesku kujtoi se, në fillim të papnisë së të tij - siç është zakon - i kishte dorëzuar një letër dorëheqjeje në rast të pengesës mjekësore, Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, Kardinalit Tarcisio Bertone. Ajo leter mbetet aty ku është: "Nuk e mendova e vërejta guximin e Benediktit që, kur e kuptoi se nuk mundte më, preferoi të thoshte mjaft! E ky është shembull i mirë për mua! Ndaj lus Zotin te thotë mjaft në një pikë të caktuar, kur të dojë."

Pleqëria e shëndeti

I pyetur nëse është e vërtetë, siç thuhet nga disa kritikë, se pas vdekjes së paraardhësit të tij, ai "u bë më i ashpër" dhe njëkohësisht edhe kritikuesit e tij u bënë "më të ashpër, më të egër", Papa Françesku përgjigjet me një shaka: "Jo, ndokujt duhet t’i japim pak...”. Ai bën krahasimin me baballarët në marrëdhëniet me fëmijët e tyre: «Ndonjëherë duhet një leksion, por njerëzit janë shumë të mirë këtu. Unë jam i komplikuar dhe ndonjëherë pak i padurueshëm, por më durojnë... Njerëzit e Kuries janë shumë të mirë”. "Por tani është më pak i ashpër me ta," vëren Alazraki. “Ndoshta pse edhe gjyshërit bëhen më të këndshëm, se edhe pleqëria është pjesë e jetës”.

Duke folur për "pleqërinë", Papa - së fundmi i prekur nga bronkiti dhe i operuar dy herë në dy vjet në Gemelli - pranon brishtësinë e shëndetit të tij, por flet qetësisht për gjendjen. “Ndihem mirë, jam përmirësuar”, thotë ai, por “kam nevojë që të luteni për shëndetin tim”, sepse “pleqëria nuk vjen vetëm”, “nuk zbukurohet, paraqitet ashtu si është». Nga ana tjetër, “duhet të dimë të pranojmë dhuratat e pleqërisë” dhe “se mund të bëjmë shumë mirë edhe nga ky këndvështrim tjetër”. “Ndonjëherë – tregon më tej Papa – më thonë se jam i pamatur sepse dua të bëj gjëra dhe të lëviz”. Është një shenjë që tregon se "Jam shumë mirë".

Udhëtimet e ardhshme

Bronkiti  e detyroi të anulonte udhëtimin e fillimit të dhjetorit në Dubai për Cop28. “Është e vërtetë - pranon Papa Françesku - se të gjitha udhëtimet tani po rimendohen. Më të largëtat janë rishikuar. Këto janë kufij, apo jo? Kufiri që të bën të kuptosh se diçka mbaron këtu e diçka tjetër fillon. Mosha e vjetër të bën të piqesh shumë, është e bukur”.

Udhëtimet janë rimenduar, por dëshira për të përfunduar tre në vitin e ardhshëm mbetet: Belgjika, Polinezia, Argjentina. I pari në Belgjikë është "i sigurt", i ftuar nga Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde në audiencë më 14 shtator - pohon Françesku. Dy të tjerët janë “në pritje”: “Të shohim si do të shkojnë gjërat”. Është hera e parë që Papa flet publikisht për Polinezinë, ndërsa idenë e kthimit në vendlindje e ka përmendur pothuajse në të gjitha intervistat e dhëna gjatë vitit të kaluar. Edhe presidenti i ri Javier Milei e ftoi në bisedë telefonike pas fitores në zgjedhje. Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me shprehjet për Papën, përdorur nga vetë presidenti në të kaluarën, Françesku thotë: “Gjatë fushatës zgjedhore gjërat thuhen me shaka, e them ndër thonjëza: thuhen seriozisht, por janë gjëra të përkohshme, gjëra që sherbejnë për të tërhequr pak 'vemendjen, por që më pas zhduken vetë. Duhet të bëjmë shumë dallime ndërmjet asaj që thotë një politikan gjatë fushatës zgjedhore dhe asaj që do të bëjë më pas, sepse më pas vjen çasti i konkretësisë, i vendimeve”.

13 dhjetor 2023, 15:26