Kërko

Palestinezët ikin nga shtëpitë e tyre në Gazë Palestinezët ikin nga shtëpitë e tyre në Gazë

Papa: Siria, Gaza, Ukraina, shkretëtirë të vdekurish. Të lutemi e të luftojmë për paqen

Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, Françesku ia besoi ndërmjetësimit të Shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterë, "popujt e rrënuar nga lufta". Më pas, u shprehu afërsinë atyre bashkësive të krishtera, që vuajnë nga diskriminimi, duke i ftuar të gjithë besimtarët të mahniten nga lindja e Jezu Krishtit e ta adhurojnë Birin e Zotit bërë njeri

R.SH. – Vatikan

Popujt dëshirojnë paqe, “të lutemi për paqen, të luftojmë për paqen”. Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, kushtuar Shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterimit, Papa Françesku bëri një thirrje të zjarrtë në favor të gjithë popujve, që vuajnë nga dhuna.

“Ndërmjetësimit të Martirit të parë ia besoj thirrjen për paqen e popujve të rrënuar nga lufta. Mediat na tregojnë se çfarë prodhon lufta: e kemi parë Sirinë, e shohim Gazën. Të mendojmë për Ukrainën e martirizuar. Shkretëtirë vdekjeje. Këtë dëshirojmë? Populli do paqe. Të lutemi për paqen. Të luftojmë për paqen”.

Pranë të krishterëve të diskriminuar

Në vazhdën e dëshmisë së Shën Shtjefnit, Françesku shprehu afërsinë e tij me bashkësitë e krishtera "që vuajnë diskriminime".

“Ju nxis të ngulni këmbë në bamirësinë për të gjithë, duke luftuar paqësisht për drejtësinë dhe lirinë fetare”.

Mahnitja, që kthehet në adhurim

Papa, pasi falënderoi të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe urimi dhe lutje, gjatë ditëve të fundit, përshëndeti të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i ftuar besimtarët të ndalen para Shpellës së Betlehemit, frymëzuar nga betlehemi i gjallë i Shën Françeskut në Greccio, 800 vjet më parë, për t’u mahnitur para lindjes së Jezu Krishtit.

“Duke shqyrtuar shtatoret, do të vëreni një tipar të përbashkët në fytyrat dhe qëndrimet e tyre: mahnitjen. Do të shihni mahnitjen, që kthehet në adhurim. Le të mahnitemi para lindjes së Zotit. Ju uroj ta ruani këtë në shpirt: mahnitjen, që bëhet adhurim”.

26 dhjetor 2023, 13:49