Kërko

Papa takon 30 meshtarë të Romës, në Qendrën baritore në Acilia

Papa vazhdon vizitat në periferi të Kryeqytetit: dje pasdite ishte në Prefekturën XXVII të Dioqezës së Romës për të dialoguar me famullitarët e Sektorit Jugor të qytetit, në Qendrën Baritore Santa Gianna Beretta Molla. Në këtë strukturë, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme bamirësie, shkëmbeu pyetje-përgjigje, që zgjatën rreth dy orë. Përshëndeti edhe vullnetarët, të cilët punojnë me të varfërit, emigrantët dhe vajzat-nëna. Ipeshkvi Gervasi: "Ças emocionues"

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku shkoi, dje, e enjte, 21 dhjetor, pasdite vonë, në Qendrën Baritore Santa Gianna Beretta Molla të famullisë kishtare të San Giorgio-s, në rrugën Amedeo Bocchi, 169, në Acilien jugore, në Romë. Këtu, sipas një njoftimit të Vikariatit të Romës, Papa u takua me Bashkësinë e Bijve të Mëshirës- Kanosianët, të cilëve u është besuar si famullia kishtare, ashtu edhe Qendra baritore, me meshtarët e prefekturës XXVII dhe famullitarët prefektë të sektorit jugor të dioqezës së Romës. Gjithsej rreth tridhjetë priftërinj. Papën e pritën ipeshkvi i sektorit jugor, imzot Dario Gervasi; famullitari i San Giorgio, Atë Antonio Romeo Vettorato dhe prefekti, Don Angelo Compagnoni, famullitar i San Timoteos.

Takim prekës

Takimi i Papës, si ipeshkëv i Romës, me priftërinjtë e dioqezës së tij, ishte “i bukur dhe emocionues”, komenton ipeshkvi Gervasi. Dialogu zgjati rreth dy orë - vijon prelati - sepse pasi foli me meshtarët, Papa Françesku përshëndeti edhe vullnetarët e strukturës. Gjithçka u zhvillua në një atmosferë miqësore, humane,  vëllazërore. Edhe biseda me priftërinjtë ishte miqësore dhe e dashur, ndiheshim si fëmijë rreth atit të tyre, që duhen e inkurajohen prej tij. Kishte hapësirë të begatë ​​për pyetje dhe u larguam të lumtur". Ndër temat që preku Papa - vazhdon ipeshkvi - “ishte përvoja jonë meshtarake, mikpritja, afërsia me popullin, sinodaliteti dhe procesi sinodal, domethënë qëndrimi i Kishës në rrugën drejt së ardhmes”.

Struktura ku u zhvillua takimi është filiale e adhurimit të famullisë së San Giorgio-s, e cila organizon të gjitha veprimtaritë bamirëse dhe solidare. Lindi me nxitjen e motrës së Shën Gianna Beretta Molla, Virxhinia,  Kanosiane, e cila punonte në famullinë e Acilias.

  “Çdo mëngjes fillojmë me shpërndarjen e ‘Bukës së përditshme' - pohon Atë Vettorato - në mbrëmje një grup vullnetarësh shkon nëpër furrat e bukës në zonë, të cilat na japin bukët dhe picat e pashitura dhe të nesërmen në mëngjes u shpërndajmë atyre që kanë nevojë, aq sa mblidhen. Kryesor, ndër aktivitetet e ndryshme që vazhdojmë, është 'Projekti nëna”, i cili ndihmon nënat dhe fëmijët e tyre nga zënia, deri në 3 vjeç; tani ndihmohen rreth njëqind nëna në vështirësi financiare, pothuajse të gjitha të pamartuara e pothuajse të gjitha të huaja. Dy herë në javë ata mund të marrin ushqime, veshje dhe gjëra të tjera të domosdoshme, që u mungojnë, por ne vërejmë edhe nëse kanë nevojë për vizita specialistike apo të tjera”.

Për të mbështetur “Projektin e nënës”,  sivjet lindi "Hapësira e nënës ", ku ndihmojnë disa vullnetarë, e edhe gra të ndryshme, që ndjekin Qendrën dhe njihen me njëra-tjetrën. Akoma, në strukturën kushtuar Shën Gianna Beretta Molla-s, ata gjejnë edhe “Karitasin e famullisë me qendër dëgjimi, pranimi dhe shpërndarjeje të pakove ushqimore, që ndihmon afërsisht 300 familje - kujton famullitari - është, pastaj, edhe 'butiku i veshmbathjeve', ku mblidhen rrobat.  Ne i lajmë, i rregullojmë dhe i vëmë në dispozicion të njerëzve, që kanë nevojë, falë një grupi vullnetarësh”.

22 dhjetor 2023, 14:13