Lutja në Taizé Lutja në Taizé

Papa, të rinjve të Taizé-së: “Me guxim, ndërtoni një botë të ndryshme”

Në përshëndetjet për Takimin e 46-të Evropian të Taizé-së, Papa Françesku i inkurajon të rinjtë të rizbulojnë artin e dëgjimit dhe të mirëpresin e të ndihmojnë të mënjanuarit e shoqërisë

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku u dërgon përshëndetjet e tij të rinjve, që mblidhen në Ljubljanë të Sllovenisë, për takimin tradicional të Bashkësisë së Taizé-së, organizuar për Vitin e Ri me rininë e mbarë kontinentit "për t'u lutur dhe për të jetuar bashkë me njerëzit e me komunitetet e Kishës vendase".

Takimi i 46-të Evropian i Taizé-së, mbledhje ekumenike e të rinjve nga vende dhe besime të ndryshme, mbahet nga 28 dhjetori deri më 1 janar dhe përqendrohet në temën "Udhëtojmë së bashku".

"Guxoni të ndërtoni një botë tjetër"

Në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Ati i Shenjtë thekson se Takimi u jep mundësinë pjesëmarrësve të jetojnë "përvojën e bukur të miqësisë me Zotin dhe me të tjerët" si Kishë dhe si bashkësi.

Si "Korpi i Krishtit të Ringjallur, të pranishëm në botë", të rinjtë ftohen të rizbulojnë artin e dëgjimit, akt i vërtetë dashurie. Në një botë ku lindin vazhdimisht konflikte e luftëra, për shkak të mungesës së dëgjimit, Papa u bën thirrje të rinjve "të guxojnë të ndërtojnë një botë tjetër, një botë dëgjimi, dialogu dhe horizontesh të hapura".

Të punohet për "transformim cilësor"

Sfida, pohon Françesku, është "të punojmë për transformimin cilësor të jetës sonë në shoqëri", duke shmangur të gjitha format e "mënjanimit, mbylljes, përjashtimit dhe refuzimit" të kategorive të ndryshme të njerëzve.

Në këtë mënyrë, nënvizon Papa, të rinjtë mund të bëhen pjesë e “kulturës dhe e fesë, për një botë të qëndrueshme dhe të hapur”.

Jetoni si Jezusi

Ati i Shenjtë i inkurajon të impenjohen për të jetuar si Jezusi, i cili nuk përjashtoi askënd, përkundrazi, shikoi praninë e Hyjit në të mënjanuarit e shoqërisë.

Kardinali Parolin e mbyll letrën me sigurinë se Papa Françesku mbështetet dhe ka besim në rininë, ashtu siç bën mbarë Kisha. Bergoglio u bën thirrje të rinjve, që, me fjalë e vepra, t'i japin një mesazh të fuqishëm botës, e cila refuzon të pambrojturit. “Bëjini ëndrrat tuaja për dashurinë, drejtësinë dhe paqen realitet konkret… Mos lejoni që t’jua vjedhin ato dhe kontribuoni në ‘ndërtimin e një shoqërie të denjë për t’u quajtur e tillë’”: ky urimi dhe nxitja e Atit të Shenjtë për të rinjtë, që u mblodhën në Slloveni, duke filluar nga dita e sotme, për të festuar Vitin e Ri 2024 së bashku.

28 dhjetor 2023, 13:01