Papa: të shmanget karrierizmi, por është e drejtë të shpërblehet merita
R.SH. – Vatikan
“E di se Selia e Shenjtë, çdo vit, ka një deficit të konsiderueshëm. Në fakt, i gjithë organizimi është për misionin dhe burimet e financimit janë të kufizuara. Por e dimë edhe se kur kemi deficit, do të thotë se një pjesë e trashëgimisë humbet e kjo komprometon të ardhmen. Ja arsyeja pse nevojitet një ndryshim i kësaj prirjeje. Për këtë duhet të jetë i vetëdijshëm çdo nivel i bashkësisë sonë: të gjithë jemi përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë, që të sigurohen burimet e nevojshme për të vazhduar udhëtimin edhe për ata, që vijnë pas nesh". Kështu shkruan Papa në një letër për punonjësit e Sekretarisë vatikanase për Ekonominë. "Për ta bërë këtë, do të na nevojiten aftësi të reja – vë në dukje Papa - njerëz të rinj, por edhe njerëz të rinovuar në shpirt dhe në profesionalitetin e tyre”.
Më pas, Papa Françesku foli për mënyrën e shpërblimit, e cila duhet të lidhet edhe me meritat. "Të gjithëve duhet t'u garantohet një shpërblim i drejtë, brenda kufijve të fondeve në dispozicion. Ai duhet të jetë i drejtë dhe i lidhur me rezultatet dhe me kontributin, që jep çdo njeri në shërbim të Kishës. Karrierizmi duhet të shmanget – i këshillon Papa punonjësit e Sekretarisë për Ekonominë - por nëse u jepen të gjithëve mundësitë e duhura dhe krijohet një ambient i favorshëm e mikpritës, shpërblimi i meritave është dëshmi e asaj drejtësie, që unë ju inkurajoj ta ndiqni", përfundon Ati i Shenjtë.