Papa: Ungjilli kërkon zemra të hapura
R.SH. / Vatikan
“Pasioni për shpalljen e Ungjillit ka të bëjë me çdo të krishterë”: ky është mesazhi qendror i katekizmit të Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme të kësaj së mërkureje, mbajtur paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan, e cila përfundoi serinë e gjatë të reflektimeve mbi pasionin për ungjillëzimin apo zellin apostolik. Pjesa ungjillore që sapo dëgjuam nga shën Marku (Mk 7,31) përshkruan Jezusin që e shëron një shurdhmemec duke shqiptuar fjalën "effatà" - “hapu” mbi të. Mrekullia ndodh në një zonë të banuar kryesisht nga paganë.
“Hapu - i thotë Jezusi çdo besimtari e edhe Kishës së tij: hapu, sepse Ungjilli ka nevojë që ti ta dëshmosh dhe ta shpallësh”. “Të jesh i shurdhër për Zotin e për të tjerët nuk është qëndrim i krishterë. Ungjilli kërkon zemra të hapura!”. Kjo porosi përshkoi tej e ndanë katekizmin e sotëm të Papës, mbajtur në Sallën Pali VI, i fundmi i një serie të gjatë reflektimesh kushtuar pasionit për ungjillëzimin. Papa komentoi Ungjillin e Markut, i cili përshkruan një mrekulli të kryer nga Jezusi: duke shqiptuar fjalën "effatà", domethënë "hapu", ia kthen një shurdh-memeci fjalën dhe dëgjimin.
“E mori mënjanë, larg turmës, ia vuri gishtat ndër veshë dhe ia preku gjuhën me pështymë; pastaj duke parë drejt qiellit, psherëtiu dhe i tha: ‘Effata’, domethënë: ‘Hapuni!’. Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm”.
Lëri kufijtë e ngushtë, për të arritur tek të largtit
Papa shpjegoi se në Bibël belbëzimi dhe shurdhimi të kujtojnë "mbylljen ndaj thirrjes së Zotit". Por këtu të mbyllur - vijoi Ati i Shenjtë - janë sidomos të gjithë dishepujt e Jezusit, të cilët nuk dëshirojnë që Mjeshtri të rrijë ndërmjet këtij lloj njerëzish:
“Të duket sikur Jezusi, duke i nxjerrë dishepujt e tij nga siguria e territoreve të tyre të zakonshme dhe duke shëruar një pagan në mënyrë që ai të dëgjojë Ungjillin, dëshiron që dishepujt e tij ta mirëpresin ftesën për t'u larguar nga kufijtë e ngushtë të një populli ose një rrethi fetar, e për t’ua shpallur të gjithëve praninë shëlbuese dhe çliruese të Zotit: të huajve, atyre që janë larg, që kanë veshë e zemër të shurdhër e atyre që nuk flasin të njëjtën gjuhë”.
Ungjilli duhet shpallur nga secili prej nesh
Ftesa e Mësuesit Hyjnor për t’i hapur zemrat u drejtohet, pra, dishepujve të tij, me të cilët flet aramaisht, por edhe dishepujve të të gjitha kohërave, si dhe secilit prej nesh "që kemi marrë thirrjen “hapu” të Shpirtit në Pagëzim". E Papa vazhdon:
“‘Hapu’, i thotë Jezusi çdo besimtari dhe Kishës së tij: hapu, sepse mesazhi i Ungjillit ka nevojë që ti ta dëshmosh dhe ta shpallësh! Hapuni, mos u mbyllni në rehatitë tuaja fetare dhe në ‘kështu është bërë gjithnjë’! Hapu, Kishë, për frymën e Shpirtit Shenjt, që të shtyn të jesh misionare, ungjillëzuese!”.
Në episodin e mrekullueshëm të përshkruar nga Shën Marku Ungjilltar, Jezusi prek gjuhën e shurdhmemecit me pështymën e tij, e cila në atë kohë konsiderohej "frymë e ngjeshur", duke pëshpëritur më pas, "effatà"! Françesku vëren se "frymëmarrja dhe psherëtima" janë “transmetim i Shpirtit Shenjt" e ftesë "për të rigjetur gëzimin e misionit në zjarrin e Shpirtit":
“Hovi misionar nuk është propagandë për të marrë miratime, nuk është prozelitizëm, as mbushje e kokës me nocione, është ndezja e shkëndijës së dashurisë së Zotit në zemër. Duke perifrazuar një shprehje të bukur, mund të themi se zemra e atyre të cilëve u shpallim "nuk është vazo për t’u mbushur, por zjarr për t’u ndezur".
Duke folur përsëri për dëshirën misionare të Jezusit, Papa kujtoi se Ai ia besoi Pjetrit detyrën "t’i kullosë delet e tij" dhe të jetë "bari për të gjithë". E këtë e bëri në Galile, "zona më heterogjene dhe më e ndërlikuar e këtyre trojeve në atë kohë", jo në Jerusalem, "vendi më i njohur fetar":
“Mesazhi është i qartë: për të qenë barinj të Popullit të Zotit, duhet të jemi edhe peshkatarë njerëzish, të gatshëm për t'i lënë brigjet e sigurisë sonë e për të dalë me Ungjillin në detin e botës”.
Ati i Shenjtë Françesku e përfundoi reflektimin duke i ftuar besimtarët ta ndjejnë veten të thirrur për ta dëshmuar Ungjillin, për ta shpallur dhe për të pyetur veten për gatishmërinë e shpalljes. Papa i nxiti të gjithë ta pyesin veten: “A dua të bëhem dëshmitar i Zotit, apo jam i kënaqur kështu, si dishepull i tij?" –e edhe:
"Dua të bëj diçka që gëzimi i Ungjillit, i cili ma shndërroi jetën, ta zbukurojë edhe jetën e njerëzve që takoj?”.