Mesha e Papës në solemnitetin e Zojës së Guadalupes Mesha e Papës në solemnitetin e Zojës së Guadalupes

Papa: ta parfumojmë jetën me vepra të mira për të eliminuar urrejtjen e frikën

Sot pasdite, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimi eukaristik i Françeskut në solemnitetin e Zojës së Guadalupes. Ai i ngulitur në mantelin e Shën Juan Diego Cuauhtlatoatzin është imazhi i dishepulles së parë, i nënës së besimtarëve, i vetë Kishës, pohoi Papa. Maria është nënë dhe ky mesazh i thjeshtë na mbron nga shumë ideologji shoqërore dhe politike, që e përdorin realitetin e Guadelupes për të fituar para

R.SH. – Vatikan

"Ta parfumojmë realitetin tonë të brishtë me vepra të mira, duke u rritur në virtyt dhe duke eliminuar urrejtjen dhe frikën". Kështu Papa Françesku, në homelinë e meshës së kremtuar në Shën Pjetër, me rastin e festës së Zojës së Guadalupes.

"Sot, kremtojmë këtë festë të dashur - pohoi Papa në spanjisht - dhe gjëja e parë, që na vjen në mendje, është pamja e Virgjërës, stampuar në veshjen e përvuajtur të një bujku - tilma – që tani është e ekspozuar për t’u nderuar nga shtegtarët, që i afrohen Nënës së Zotit”.

Ta parfumojmë realitetin me vepra të mira

“Është pamja e dishepulles së parë, e nënës së besimtarëve, e vetë Kishës – nënvizoi ai – që mbetet e ngulitur në përvujtërinë e gjithçkaje, që jemi e që kemi, e cila nuk vlen shumë, por do të jetë aq e madhe sa ç’do të jetë në gjendje të transmetojë mesazhin e Zotit”. "Për ta arritur këtë - vazhdoi Françesku - Virgjëra i kërkon Juan Diego-s një punë të vogël, të mbledhë lule. Më duket se është paralelizëm i qartë me shëmbëlltyrat e Mbretërisë të Zotit, në të cilat Hyji na kërkon të japim fryte".

"Lulet, në misticizëm - shpjegoi Papa - përfaqësojnë virtytet, që Zoti na i dikon në zemër, nuk janë vepër e jona. Veprimi i mbledhjes së tyre na zbulon se Zoti dëshiron që ta mirëpresim këtë dhuratë, ta parfumojmë realitetin tonë të brishtë me vepra të mira, duke eliminuar urrejtjen dhe frikën”.

Virtytet, që nuk i ka bota

Imazhi i Marisë i stampuar në veshjen e Juan Diego-s është mënyra e Zojës për të ndenjur me ne, nënvizoi Papa, duke shtuar se “kjo mënyrë është ngulitur përgjithmonë në ato rroba të varfra, të parfumuara nga virtytet e mbledhura në një botë, që duket e paaftë për t'i prodhuar”; virtyte, që e “mbushin varfërinë tonë me thjeshtësinë e gjesteve të vogla të dashurisë, që na e ndriçojnë tilmën, pa e kuptuar edhe ne vetë, me pamjen e një Kishe, që bart Krishtin në kraharor”.

Maria, nëna jonë

Së fundi, Françesku kujtoi edhe një herë imazhin, tilmën dhe trëndafilat e Guadalupes, të cilat na tregojnë se Maria është nënë krah të gjithëve dhe na transmetojnë një mesazh të thjeshtë.

“E ky mesazh na mbron nga shumë ideologji shoqërore dhe politike, nga të cilat përdoret kaq shpesh realiteti guadalupian për t'i dhënë vetes një bazë, për ta justifikuar vetveten dhe për të fituar para. Mesazhi i Guadalupes nuk toleron asnjë lloj ideologjie. Vetëm imazhin, tilmën, trëndafilat”.

12 dhjetor 2023, 13:16