Papa: Familja Shenjte “eksperte në vuajtje”, na kujton se në vështirësi nuk jemi vetëm
R.SH. / Vatikan
"Një çift turtujsh ose dy pëllumba”: kjo është oferta që, sipas Ungjillit të Lukës, Maria dhe Jozefi kishin me vete kur shkuan, sipas ligjit, në tempullin e Jeruzalemit për t'ia paraqitur foshnjën Zotit. Dhuratë që flet vetë për varfërinë e familjes. Për këtë foli edhe Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të kësaj së diele, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetriut në Vatikan, kur festojmë Familjen Shenjte të Nazaretit, duke nënvizuar se me atë rast Marisë i drejtohet një profeci e ngarkuar me dhimbje: “E ty, një shpatë do të ta shporojë shpirtin”. Papa vëren se e gjithë kjo mund të na befasojë:
“Po si kështu? Familja e Jezusit, e vetmja familje në histori që mund të krenohet në vetvete me praninë e Zotit me mish e gjak, në vend që të jetë e pasur, është e varfër! Në vend që të lehtësohet, pengohet! Në vend që të jetë larg lodhjes, është e zhytur në dhimbje të mëdha? Çfarë u thotë kjo familjeve tona?”.
Duke ardhur mes nesh, Zoti nuk i shmangu vështirësitë
Familja e Nazaretit - shpjegon Papa Françesku - na kujton se Zoti nuk është mbi problemet tona, por se ai ka ardhur të banojë vetë në jetën tonë ashtu siç është. Për 30 vjet, Jezusi jetoi si bir një jetë "të rëndomtë, të fshehur, të heshtur":
“Dhe nuk iu shmang vështirësive, përkundrazi, duke zgjedhur një familje ‘eksperte në vuajtje’, u thotë familjeve tona: ‘Nëse jeni në vështirësi, e di çfarë ndjeni, e kam jetuar: unë e nëna ime, babai im. Ndaj u përpoqa t'i them edhe familjes suaj: nuk je vetëm!’”.
Aftësia për t'u mahnitur, sekret për të ecur përpara në familje
Në fragmentin e sotëm nga Ungjilli i Lukës, lexojmë se Maria dhe Jozefi "mbetën të habitur nga fjalët, që u thanë për Jezusin". E Papa na shpjegon që nga ky qëndrim kuptojmë se aftësia për habi mund të jetë sekret që të ecim mirë përpara në familje. Duhet të dish të mahnitesh para së gjithash nga Zoti. Duke jetuar çaste të thjeshta lutjeje në shtëpi, së bashku, duket sikur e ftojmë atë mes nesh, sikur rilindemi nga paqja dhe dashuria që vetëm Ai mund ta japë:
Para së gjithash, duhet ditur sesi të mahnitesh nga Zoti - kujtoi Papa - duke u lutur për disa çaste së bashku dhe duke e lënë Atë të rivendosë paqen dhe dashurinë në shtëpi. Kështu Ati i Shenjtë Françesku i shoqëron besimtarët në zbulimin e të gjitha të mirave nga të cilat shumë prej nesh janë të rrethuar por që shpesh kalojnë pa u vënë re:
“Është mirë të dini gjithashtu se si ta mahnitni bashkëshortin tuaj, për shembull duke e marrë për dore dhe duke e parë në sy në mbrëmje për disa çaste, butësisht. Dhe pastaj të mrekullohuni me mrekullinë e jetës, të fëmijëve, duke gjetur kohë për të luajtur me ta dhe për t'i dëgjuar. Dhe të mrekullohuni me mençurinë dhe qetësinë e gjyshërve, të cilët e jetojnë gjërat themelore të jetës. Më në fund, habituni nga historia juaj e dashurisë, në të cilën Zoti beson, edhe kur duket se mbizotërojnë aspektet negative”.
E në përfundim, para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa ia besoi të gjithë Marisë, Mbretëreshë e familjes, në mënyrë që të mësojnë mahnitjen e përditshme nga e mira.