Kërko

Shpella e Betlehemit 2023 Shpella e Betlehemit 2023 

Shtegtimi drejt Betlehemit, me fjalët e Papëve

Nga Piu XII, te Françesku, gjashtë Papë përshkruajnë lindjen e Krishtit, duke nisur nga një Shpellë ideale Betlhemi, për t’u ndaluar tek elementet më kryesore që karakterizojnë misterin e poezisë së Krishtlindjes.

R. SH. - Vatikan

Rruga për në Betlehem hapet duke lartuar sytë drejt qiellit. Një yll i udhëzon Tre Mbretërit për të arritur në këtë qytet të vogël, në Jude. Këtu i pret një shpellë. E një fëmijë i vendosur mbi një grazhd.

Ylli

Ylli i Betlehemit shkëlqen në çdo kohë, për çdo njeri. Papa Piu XII, në mesazhin radiofonik të 24 dhjetorit 1941, nënvizon se ky yll tregon "djepin e Shëlbuesit të porsalindur" dhe "shkëlqen në qiellin e krishterimit":

“Nga kjo Romë, qendër, kështjellë dhe mësuese e krishterimit, qytet më shumë për Krishtin sesa për Cezarët, e përjetshme në kohë, Ne, të prekur nga dëshira e zjarrtë dhe shumë e gjallë për të mirën e popujve të veçantë dhe të gjithë njerëzimit, u drejtojmë të gjithëve zërin tonë, duke u lutur  që të mos vonojë dita kur në të gjitha vendet ku sot armiqësia kundër Zotit dhe Krishtit i tërheq njerëzit në rrënim të përkohshëm dhe të përjetshëm, të mbizotërojnë më shumë njohuri fetare e mendime të reja; dita në të cilën mbi djepin e rendit të ri të popujve, do të shkëlqejë rishtas ylli i Betlehemit”.

Betlehemi

Në prag të Krishtlindjes gjithçka shtegton drejt Betlehemit. Papa Benedikti i XVI, në Engjëllin e Tënzot të 20 dhjetorit 2009, rishikon historinë e këtij qyteti të vogël në Jude, dëshmitar i ngjarjes së madhe të lindjes së Jezusit:

“Një mijë vjet para Krishtit, Betlehemi ishte vendlindja e mbretit të madh David, të cilin Shkrimet e paraqesin si paraardhësin e Mesisë. Ungjilli i Lukës tregon se Jezusi lindi në Betlehem sepse Jozefi, rojtari i Marisë, duke qenë nga ‘shtëpia e Davidit’, duhej të shkonte në atë qytet për regjistrimin e popullsisë. E pikërisht në ato ditë Maria lindi Jezusin (shih Luka 2 , 1-7). Profecia e Mikesë vazhdon duke përmendur një lindje misterioze: “Zoti do t'i vërë nën pushtetin e të tjerëve - thotë ai - / derisa të lindë, ajo që duhet të lindë; / dhe pjesa tjetër e vëllezërve tuaj do të kthehet te bijtë e Izraelit" (Mi 5,2). Prandaj ekziston një plan hyjnor që përfshin dhe shpjegon kohët dhe vendet e ardhjes së Birit të Perëndisë në botë”.

Barinjtë

Barinjtë janë atje për të pritur Jezusin. Papa Françesku, në Meshën e solemnitetit të Krishtlindjes, më 24 dhjetor 2018, kujton se barinjtë "shkuan pa vonesë":

“Barinjtë e Betlehemit na tregojnë edhe si ta takojmë Zotin. Ata rrinë zgjuar gjatë gjithë natës: nuk flenë, por bëjnë atë që Jezusi u kërkon disa herë: të jenë vigjilentë (shih Mt 25,13; Mk 13,35; Lk 21,36). E mbeten vigjilentë, duke pritur zgjuar, në errësirë; e Zoti "i mbështjell me dritë" (Lk 2:9). Kjo vlen edhe për ne. Jeta jonë mund të jetë pritje, e cila edhe në netët e problemeve ia beson veten Zotit dhe e dëshiron; atëherë do të marrë dritën e tij. Ose një pretendim, ku vlen vetëm forca dhe mjetet e veta; por në këtë rast zemra mbetet e mbyllur për dritën e Zotit”.

Shpella

Vendi drejt të cilit shkon rruga e barinjve dhe e Tre Mbretërve është një shpellë. Papa Gjon Pali II, në audiencën e përgjithshme më 23 dhjetor 1992, nënvizon se kjo zgavër e thjeshtë natyrore është pika e konvergjencës, ku kryqëzohen dashuria për Zotin dhe fati i njeriut:

“Në shpellën e Betlehemit, qielli dhe toka takohen, pafundësia hyn në botë dhe dyert e trashëgimisë së përjetshme hyjnore hapen në të dy kanatat për njerëzimin. Me praninë e "Zotit-me-ne", edhe nata më e errët e dhimbjes, e ankthit dhe e hutimit kapërcehet dhe mundet përgjithmonë. Fjala e mishëruar, Emanuel, "Zoti-me-ne" është shpresa e çdo krijese të brishtë, kuptimi i gjithë historisë, fati i të gjithë racës njerëzore”.

Grazhdi

Fëmija i lindur në Betlehem mbështillet me pelena dhe vendoset në një grazhd. Papa Pali VI, në Meshën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor 1969, ndalohet tek misteri i Mishërimit, "realitet i pashoq, që na mahnit dhe na lartëson gjithmonë":

“E lindur nga Shpirti Shenjt, Fjala e Zotit që lindi dhe qe një Fëmijë i vogël e i varfër, u mbështoll menjëherë me pelena për shkak të të ftohtit dhe të dinjitetit të natyrës së tij njerëzore. Dhe e vunë mbi një grazhd, ku hanë kafshët. A mund të kishte lindur më i varfër? A mund të kishte lindur në një vend më të varfër? A mund të ishte më i vogël, më i nënshtruar se të gjithë?”.

Urimi

Udhëtimi i stinës së Krishtlindjes, që kulmon me lindjen e Zotit, është urim i cili përtërihet çdo vit, në mënyrë që çdo njeri të mund të ecë, në jetën e tij, duke ndjekur hapat e Birit të Zotit. Papa Gjon XXIII, në mesazhin radiofonik të 22 dhjetorit 1960, u drejtonte këto fjalë, gjithnjë aktuale, “njerëzve të shpërndarë nëpër botë”:

“Ju lutemi mirëpriteni, siç jua ofrojmë në festë, urimin për Krishtlindje të Gëzuara. Frymëzohet nga faqja e parë e Ungjillit të Shën Gjonit, nga ai prolog që i jep motivin poemës sublime, e cila këndon misterin dhe realitetin e bashkimit më intim e të shenjtë ndërmjet Fjalës së Zotit dhe bijve të njeriut, ndërmjet qiellit dhe tokës,  ndërmjet rendit të natyrës e atij të hirit që shndrit e shndërrohet në ngadhënjim shpirtëror nga zanafilla e shekujve e deri në fund të fundit të tyre”.

Qofshin Krishtlindjet e Jezusit

Ky shtegtim gjatë Krishtlindjeve, që mbërrijti fundin, gërshetohet me një tjetër udhëtim të shoqëruar nga zërat e Papëve: atë të Vatican News - Vatican Radio podcast me titull "Papale papale".

Në shpellën e Betlehemit, qielli dhe toka preken, pafundësia ka hyrë në botë dhe dyert e trashëgimisë së përjetshme hyjnore hapen gjerësisht për njerëzimin. Me praninë e "Zotit-me-ne", edhe nata më e errët e dhimbjes, ankthit dhe hutimit kapërcehet dhe zhduket përgjithmonë. Fjala e mishëruar, Emanuel, "Zoti-me-ne" është shpresa e çdo krijese të brishtë, kuptimi i gjithë historisë, fati i të gjithë racës njerëzore i rendit të natyrës dhe atij të hirit, që shkëlqen dhe shndërrohet në një triumf shpirtëror që nga fillimi i shekujve, deri në përfundimin e tyre.

Çdo ditë reflektimet e Papëve, nga Piu XII deri te Françesku, sillen rreth një fjale.

“Nëse dëshirojmë që të jetë Krishtlindje, Krishtlindje e Jezusit dhe e paqes - nënvizon Papa Françesku në mesazhin Urbi et Orbi të 25 dhjetorit 2022 -  të shohim Betlehemin dhe t’i ngulim sytë në fytyrën e Foshnjës, që lindi për ne! E në atë fytyrë të vogël, të pafajshme, do të shikojmë atë të fëmijëve, që dëshirojnë paqen në katër anët e botës".

23 dhjetor 2023, 12:31