Thirrje e Papës për dioqezën indiane, në prag të skizmës
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku ndërhyn personalisht në çështjen e krye-eparkisë siro-malabareze të Ernakulam-Angamaly, dioqezë indinane në prag të skizmës për divergjenca të brendshme, lidhur me liturgjinë. Në një videomesazh, Ati i Shenjtë u bën thirrje besimtarëve: “Në emër të Zotit, për të mirën shpirtërore të Kishës suaj, të Kishës sonë, ju kërkoj ta mbyllni këtë çarje. Është Kisha juaj, është Kisha jonë. Rivendosni bashkimin, qëndroni në Kishën Katolike!”.
Probleme lidhur me kremtimin e meshës
Problemi kryesor i dioqezës është se refuzon të pranojë liturgjinë e miratuar nga sinodi siro-malabarez, sipas së cilës, meshtarët kthehen nga altari vetëm gjatë lutjes eukaristike të meshës. Kjo gjë – në dukje, jo aq e ndërlikuar – ka shkaktuar deri përleshje e revolta, aq sa pikërisht në pragun e Krishtlindjes së një viti më parë, u mbyll bazilika e Shën Marisë, sepse grupe të ndryshme, në konflikt e sipër, arritën të djegin fugure e kryqe brenda saj.
Delegati i Papës u prit me protesta
Nuk u trajtua më mirë as delegati i Papës, imzot Cyril Vasil, i cili u prit me protesta verën e kaluar, duke u kthyer në Romë pa asnjë zgjidhje për situatën. Sot (7 dhjetor), Papa pranoi, ndërkaq, dorëheqjen e kryeipeshkvit të madh të Ernakulam-Angamaly, kardinalit Mar George Alencherry. Përveç çështjes liturgjike, sipas protestuesve, pikërisht kardinali i ka shkaktuar dioqezës dëme të mëdha ekonomike, duke shitur terrene dhe pasuri të tjera kishtare, nga të cilat ka përfituar personalisht. Natyrisht, çështja ka nevojë për hulumtime të mëtejshme, pasi veprimet e kardinalit Alencherry janë deklaruar gjithnjë të rregullta nga Vatikani. Në letrën me të cilën pranon dorëheqjen e kryeipeshkvit, edhe Papa i konsideron “shenjë gatishmërie dhe bindjeje ndaj Shpirtit Shenjt”.
“Mos u ndani nga rruga e Kishës”
Nga ana tjetër, Françesku kritikon besimtarët, por edhe meshtarët disidentë. “Ju, meshtarë, kujtoni shugurimin dhe impenjimet, që keni marrë. Mos u ndani nga rruga e Kishës suaj”, pohon Papa në videomesazh. E përmend faktin se edhe delegati i tij pati kërkuar “t’i jepet fund konfliktit, t’u jepet fund kundërshtimeve e, edhe dhunës së herëpashershme. Sepse ekziston!”, denoncon Ati i Shenjtë.
“Mos u shndërroni në sekt”
“Bëni të mundur që për Krishtlindjen 2023, kryedioqeza juaj, me përvujtëri e besnikëri, të vihet në të njëjtën udhë me pjesën tjetër të Kishës – këshillon Papa – duke respektuar të gjitha vendimet e Sinodit. Ju lutem, kini kujdes! Kini kujdes që djalli të mos ju nxisë për t’u shndërruar në sekt. Jeni Kishë, mos u bëni sekt. Mos e detyroni autoritetin kompetent kishtar – paralajmëron Françesku – të verifikojë se keni dalë nga Kisha, sepse nuk do të jeni më në bashkim me barinjtë tuaj dhe me Pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull”. “Në atë rast – përfundon Ati i Shenjtë – me dhimbje të madhe, duhet të ndërmerren sanksionet përkatëse. Unë nuk dua të arrij në këtë pikë”.