Papa Françesku Papa Françesku

Viti 2023 i Papës Françesku, ndërmjet mundimeve dhe shpresës

Në kapërcyell të viteve është bërë traditë të shihet viti, që përfundon, për të bërë një bilanc të tij, me të mirat e të këqijat, por edhe të shihet me shpresë viti i ri, që fillon, duke uruar që të jetë më i begatë. Nga kjo praktikë nuk bën përjashtim as Papa Françesku e papnia e tij, 2023-shin e të cilit po e përshkruajmë me pak penelata

R.SH. – Vatikan

Përfundoi një vit intensiv për Papën Françesku, gjithnjë i palodhur, pavarësisht nga 87 vitet e tij e ndonjë problem shëndetësor. 2023-shi i Atit të Shenjtë u karakterizua nga thirrje të pandërprera për paqen, si në favor të "Ukrainës së martirizuar", ashtu edhe për të gjithë skenarët e tjerë të kësaj “lufte të tretë botërore pjesë-pjesë”. E fundit, ajo për Tokën Shenjte, me konfliktin e përgjakshëm ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Një vit - i dhjeti i papnisë së Françeskut – me disa probleme shëndetësore, nganjëherë, shqetësuese, si shtrimi në spital për bronkit në mars, një operacion në qershor, pastaj bronkiti përsëri në nëntor. Dhe me shumë thashetheme për dorëheqjen e tij, ashtu si paraardhësi, Joseph Ratzinger.

Viti, që po përfundon, shënoi fundin e epokës së “dy Papëve në Vatikan”. Funerali i Papës së nderit Benedikti XVI hapi vitin 2023, duke përuruar kështu një fazë të re të papnisë së Bergoglios. Gjatë të njëjtit vit edhe dënimi historik nga ana e Gjykatës së Vatikanit për kardinalin Angelo Becciu, dënim i shpallur në emër të “Shenjtërisë së Tij Papës Françesku”: pesë vjet e gjysmë burg dhe përjashtim i përhershëm nga funksionet publike, për përvetësim dhe mashtrim të rëndë në kuadrin e Gjyqit për skandalin financiar lidhur me shitjen e Pallatit të Londrës.

Dhimbja e Papës për luftërat në botë

Bergoglio, gjatë gjithë vitit, shprehu pa pushim dhimbjen e tij për luftërat në botë. Në një podcast, realizuar për dhjetë vitet e papnisë, vërejti: ''Nuk e mendoja se do të isha Papë në kohën e Luftës III Botërore. Nuk do të kisha dashur të shihja fëmijët e vdekur, për shkak të konflikteve''.

Të pandërprera, thirrjet e Atit të Shenjtë, gjatë gjithë vitit, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të cilën emëroi kardinalin italian Matteo Zuppi si të dërguarin e tij të veçantë për paqen. Papa përmendi shpesh vendet ku konfliktet janë harruar dhe Lindjen e Mesme, pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor. Françesku u takua, në dy audienca të veçanta, me familjet e pengjeve të Hamasit dhe me një grup palestinezësh, megjithëse rabinët italianë e akuzuan se mbajti një “distancë të barabartë e të ftohtë” për të dyja palët, duke i trajtuar njëlloj. E vijuan paralajmërimet e tij për shpërdorimin e Tokës, 'shtëpisë sonë të përbashkët', nxitja për të shpëtuar dhe për të mirëpritur emigrantët, lufta kundër 'kulturës së hedhurinave'.

Pesë, udhëtimet apostolike ndërkombëtare

Nga 31 janari deri më 5 shkurt 2023, Papa shkoi në Kongo dhe në Sudanin e Jugut, një udhëtim në tokat e shfrytëzimit dhe të konflikteve të brendshme. Në fund të prillit, sapo e mori pak veten, i erdhi radha udhëtimit në Hungari për të “kërkuar paqen përtej nacionalizmit”. Në qershor, një tjetër ndalesë e papritur: Papa Françesku, pasi u ndie keq në fund të audiencës së të mërkurës, u dërgua përsëri në spitalin Gemelli, ku u operua në bark. Por shpejt iu kthye shtegtimeve: në gusht, shkoi në Portugali për Ditën Botërore të Rinisë, pastaj, në Mongoli, në emër të dialogut me fetë e tjera dhe të afërsisë me bashkësinë lokale katolike e, më tej akoma, në Marsejë, ku e ngriti zërin për emigrantët.

I palodhur, impenjimi i Françeskut për çështjen e klimës: në vitin 2023, publikoi një përditësim të enciklikës “Laudato Si'” dhe i dërgoi një mesazh COP28-ës në Dubai ("Shkatërrimi i krijimit është fyerje kundër Zotit"). Por Papa denoncoi edhe aksidentet në punë, që i quajti "fatkeqësi" të rënda, si edhe feminicidet, "egjër helmuese", që "duhet shkulur nga rrënjët".

''Do të jetë Zoti, që do të thotë mjaft''

 Për vitin 2024 që fillon, deri tani, është planifikuar një udhëtim apostolik, siç tha vetë Papa në një intervistë të fundit për TV meksikan N+: shtegtimi në Belgjikë, ndërsa projektet për Argjentinën dhe Polinezinë mbeten në pritje. Kohë më parë pati përmendur edhe një udhëtim në Kosovë. Në po atë intervistë, Papa pranoi se është moshuar dhe nuk e përjashtoi mundësinë për të dhënë dorëheqjen, sipas shembullit të Benediktit XVI. Nuk ka ardhur ende koha, nënvizoi megjithatë: ''Do të jetë Zoti, që do të thotë mjaft''. Ndërkaq, njoftoi se e ka zgjedhur vendin e varrimit: duke e thyer traditën e Papëve të shekullit XX, pohoi se do të varroset në bazilikën e Zojës së Madhe, pasi është tejet i përkushtuar ndaj Shën Marisë - Salus Populi Romani.

Sinodi mbi sinodalitetin

Gjatë vitit 2023, ipeshkvijtë dhe laikët nga e gjithë bota u takuan me Papën, në Vatikan, për Sinodin mbi sinodalitetin. Për herë të parë, gratë votuan, por pikërisht për çështjet që lidhen me rolin e gruas (kryesisht çështja e diakonatit), si edhe me trajtimin e homoseksualëve, u regjistruan ndarjet më të mëdha. Me siguri, do të flitet sërish për këtë, vitin e ardhshëm.

Fjalën e fundit do ta ketë Papa, i cili vetëm para pak ditësh, duke kapërcyer ndalimin e vitit 2021, me deklaratën “Fiducia supplicans”, miratoi mundësinë që çiftet "e parregullta" dhe çiftet e të njëjtit seks të marrin bekimin nga një meshtar. Një bekim të thjeshtë, një lutje, që nuk duhet të përfshihet në ndonjë rit liturgjik të Kishës. Me pak fjalë, nuk po flasim për ndonjë "martesë", sqaroi Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë.

Kështu pra, Ati i Shenjtë Bergoglio po mbyll një vit 2023 mjaft intensiv. E viti 2024 do të paraqesë sfida të tjera, ndoshta edhe më të mëdha: vërtet, është viti që i paraprin Jubileut të vitit 2025. Papa Françesku do ta jetojë bashkë me Kishën Univerale, për të punuar për ttë mirën e mbarë njerëzimit.

31 dhjetor 2023, 09:57